AK: Këshilltari i Kserës në 94-vjetorin e Vorio Epirit, prokuroria të marrë masa

Postuar në 18 Shkurt, 2013 13:25

 

Aleanca Kuq e Zi ka denoncuar sërish përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë Berisha në festimet e 99- vjetorit të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, festime te cilat u mbajtën në Athinë më 17 Shkurt dhe ku morën pjesë këshilltari i Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera, pjesëtari i “Agimit të Artë”, Theofan Kaliviotis.

“Në foton që Aleanca Kuq e Zi po publikon, në rreshtin e parë të festuesve të 99 vjetorit të pavarësisë së “Vorio Epirit” në qendër të Athinës ndodhet i pari në rresht Theofan Kaliviotis, këshilltari i Spiro Kseres për të cilin Aleanca Kuq e Zi ka depozituar në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm Z.Adriatik Llalla, kallëzimin penal pak ditë më parë. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të marrë masa të menjëhershme ndaj Spiro Kserës, i cili paguan me paratë e taksapaguesve shqiptarë anëtarët e “Agimit të Artë”, duke punuar drejtpërsëdrejti për destabilizimin e jugut të Shqipërisë”, thuhet në një deklaratë për mediat të AK-së.

Sipas kuqezinjve këto akte meritojnë vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptare dhe institucioneve zyrtare të hetimit për ti dhënë dënimin e merituar këtyre shtetasve anti-shqiptarë të cilët shkelin Kushtetutën, integritetin territorial dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Aleanca Kuq e Zi premton se çdo formë e mosveprimit në kohë të institucioneve shqiptare do të sjellë pasoja të mëvonshme të cilat do të reflektohen në stabilitetin e rajonit, burimi i të cilave do të jenë pikërisht këta shtetas si: Spiro Ksera dhe Theofan Kaliviotis, të cilët në sipërfaqe paguhen nga qeveria e shtetasit Sali Berisha dhe nën llogore punojnë për interesat e “Agimit të Artë” duke shkaktuar dëme të paimagjinueshme në imazhin e Shqipërisë dhe krijuar një situatë të panevojshme për stabilitetin e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit.

Aleanca Kuq e Zi zotohet se do t’i japë këtyre zyrtarëve anti-shqiptarë dhe shtetasit Sali Berisha që paguan këta zyrtarë, goditjen e merituar më 23 Qershor pasi shqiptarët të vendosin për qeverinë e ardhshme e cila do të jetë krejtësisht kuq e zi dhe mbi interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundon deklarata e AK-së.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.