ACR, Tahiri i kërkon informacion Haxhinastos

Postuar në 05 Shkurt, 2013 13:21

 

Nënkryetari i Grupit Kuvendor i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri nëpërmjet një letre i ka kërkua informacion, ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, për shfrytëzimin e galerive të kromit në Bulqizë.

Që në fillim të kërkesës së tij për informacion, Tahiri akuzon ministrin dhe kryeministrin, se janë kthyer në varrmihës publik të një tragjedie që konsumohet pa zhurmë, në thellësitë e galerive të minierave të Bulqizës.

Sipas tij, tragjeditë familjare nuk kanë të sosur, ndërkohë që babëzia e skllavopronarëve modernë, nuk kursen as fëmijë, as gra, as të moshuar e askënd tjetër që nën thundrën e varfërisë, detyrohet të lërë dhe kockat në terrorin e mineralit.

“Mësova se kompania kryesore shfrytëzuese e kromit të Bulqizës, ACR, e cila fitonte miliarda pa përmbushur planin e investimeve, siç nuk e ka përmbushur dhe sot, ka shitur të drejtën e shfrytëzimit, duke u larguar përfundimisht nga vendi, prezumoj me miliona euro fitim, e duke lënë pas vetëm minatorët që rropaten po njëlloj.”- shkruan Tahiri në letër.

Tahiri thekson se ACR ka ikur pa shlyer gjobat, sipas tij, duke marrë vetëm fitimin kolosal, duke mos kryer investimet, ndërsa shton se fati i kompanive që marrin në shfrytëzim kromin e Bulqizës është i njëjtë.

“Të gjitha këto kompani vijnë, shfrytëzojnë mineralin, fitojnë miliarda, nuk bëjnë investime, nuk paguajnë gjoba e krisin e ikin.”- shkruan Tahiri.

Tahiri ka kërkuar informacion për këtë çështje;

1-            Dokumentacionin që provon garancitë financiare të shoqërisë së re që merr koncesionin në përmbushje të legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjen koncesionare të miratuar në parlament;

2-            Dokumentacionin që provon se shoqëria e re plotëson kushtet e investitorit të fushës;

3-            Praktiken e transferimit të lejes koncensionare nga ACR Sh.A tek shoqëria e re koncensionare;

4-            Realizimin e investimeve nga shoqëria koncensionare ACR Sh.A nga 1 Korrik 2009 deri në 31 Dhjetor 2012;

5-            Dokumentacionin që provon pagesën e penaliteteve nga shoqëria ACR Sh.A për moszbatimin e kushteve të kontratës koncensionare mbi realizimin e investimeve brenda afatit;

6-            Grafikun e hapjes te pusit nr.9 të thellësisë të Minierës së Kromit Bulqizë dhe reliazimin e këtij grafiku për periudhën 1 Korrik 2009 deri ne 31 Dhjetor 2012;

7-            Sasinë e rezervave të mineralit të kromit që kanë shfrytëzuar shoqëritë koncensionare dhe prodhimin e mineralit të kromit të realizuar nga këto kompani, të ndarë për secilën shoqëri për të gjithë periudhën e dhënies me koncesion deri në 31 Dhjetor 2012;

8-            Sasinë e rezervave të mineralit të kromit që kanë mbetur pa u shfrytëzuar mbi nivelin e 14 të thellësisë të Minierës së Kromit Bulqizë;

9-            Sasinë e rezervave që është shfrytëzuar nga shoqëria koncensionare ACR Sh.A për periudhën 1 Korrik 2009 deri ne 31 Dhjetor 2012 dhe prodhimin e mineralit të kromit që ajo ka realizuar për këtë periudhë;

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.