8 Marsi, Nishani pret gratë gjyqtare

Presidenti i Republikës ka pritur sot pasdite në Presidencë gratë gjyqtare me rastin e festës së 8 Marsit. Kreu i shtetit në fjalën e tij të rastit uroi sot edhe çdo grua, nënë e vajzë shqiptare. Nishani vlerësoi se sot profili i gruas shqiptare ka ndryshuar, ajo nuk është më vetëm gruaja e fortë që punonte pambarim si në kohën e diktaturës, por sot ka fituar edhe brishtësinë femërore.
“Sot në ditën e 8 Marsit kur gratë kujtojnë vlerat, të drejtat dhe arritjet e tyre ja vlen të theksoj se profili i gruas shqiptare është një grua e fortë, dhe që ka fituar atë brishtësinë që i ishte shkatërruar gjatë diktaturës. Nuk besoj se ka ndonjë grua, që sot është gjyshe dhe s’i kujton vuajtjet e rinisë, punën e rëndë më shumë se burrat ndonjëherë”, theksoi ai.
Presidenti shtoi më tej se:“Nuk ka grua shqiptare që nuk e duron dhe nuk e fal më shumë se gjithkush dhunën fizike, shpirtërore që në një çast të caktuar është ushtruar mbi të, për të mbrojtur familjen. Nuk ka grua shqiptare që të mos jetë e etur për të marrë dije, për tu zhvilluar dhe emancipuar. Gratë këto katalizatore të energjive pozitive, që kanë trashëguar nga familja shqiptare, vlera si etika, morali edukata, respekti e dashuria për njëri-tjetrin. Ato sot mund të bëjnë shumë për veten e shoqërinë”.
Duke u ndalur tek politika, Presidenti nënvizoi se pikërisht këtu zëri i gruas duhet të dëgjohet e të jetë më i fortë.
“Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike, ku zëri i tyre të jetë më i plotë e më me peshë. Duhet të bashkojmë forcat për të krijuar një profil të plotë të grave që merren me politikë. Ju gra që ushtroni sot drejtësinë jeni dëshmitare të hapave që kanë hedhur gratë deri më sot. Ne u a njohim vlerat dhe ju jemi mirënjohëse, gëzuar 8 Marsin”, përfundoi kreu i shtetit fjalën e tij.
SHQIP
Add new comment