70-vjetori i çlirimit, Bashkia Tiranë certifikata mirënjohjeje për veteranët

Një ditë para 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, Bashkia Tiranë ka nderuar për kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare disa veteranë me certifikata mirënjohje.
Gjatë ceremonisë për shpërndarjen e këtyre certifikatave, fjalën e nderit e ka mbajtur nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Enno Bozdo i cili shprehu nderim për kontributin e madh që dhanë forcat partizane në çlirimin e vendit.
“70 vite nga ajo ditë, pikërisht sot në Tiranën e vitit 2014, kujtimi për sakrificën e tyre pulson fort në memorien tonë Në këto realitete apo kohë të vështira është në natyrën njerzore ndoshta, ti referohemi çasteve kulminante të vlerave tona, siç është dhe Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare.”- u shpreh Bozdo.
Veteranët të cilëve Bashkia Tiranë u ka dhënë certifikata mirënjohje:
Rrahman Parllaku –Kryetar i OBVL (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ), gjeneral-lejtnant në pension - Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit
Skënder Malindi, lindur më 1920. Plagosur dy herë gjatë viteve të LANÇ, ndaj gëzon statusin e veteranit dhe të invalidit të LANÇ. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake “Frunxe”në Moskë. Goditur egërsisht nga dikatori Enver Hoxha në dhjetor 1974 duke e quajtur “njëri me biografi të dyshimtë” – aktualisht nënkryetar i OBVL.
Edip Ohri - ka lindur më 03.01.1925. Ka marrë pjesë në LANÇ që në vitin 1941 duke arritur në fuknsione drejtuese të reparteve partizane. Është ndër themeluesit dhe drejtuesit e Armës së Aviacionit.
Myfi Guxholli – Ka lindur më 7.6.1930. Nënkryetar i OBVL, ish pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Tiranës, i inkuadruar në Brigadën e IV-të Sulmuese. Pjesëmarrës aktiv në LANÇ që në vitin 1942. Më pas si Ing. topograf ka shërbyer në funksione të ndryshme të Ushtrisë Shqiptare.
Liri Belishova – Ka lindur më 1926. Ka marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste që në demostratat e rinisë në prill 1939; më pas ka punuar me të rejat e Institutit “Nëna Mbretëreshë” në qytetin e Tiranës. Ish e persekutuar politike e regjimit komunist.
Sotir Budina – Ka lindur më 15.10.1926. Ka marrë pjesë në LANÇ që në vitin 1939. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftën për çlirimin e Tiranës në kuadrin e Brigadës së IV-t Sulmuese. Është ndër anëtarët më akëtivë të kryesisë së OBVL.
Flora Dishnica – Datëlindja 20.10.1924. Ka marrë pjesë në mënyrë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare; Arrestuar e burgosur nga fashistët për një vit (42-43). Është anëtare aktive e OBVL.
Themistokli Çule, i datëlindjes 27.5.1926 – Ka marrë pjesë në Lëvizjen Nacional Çlirimtare që në korrik 1942 dhe ka kryer disa funksione në repartet partizane. Ka kryer arsimin e lartë ushtarak gjithëarmësh. Është anëtar aktiv i OVBL.
Dhimitër Ndrenika, ish pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare; mbështetës i proceseve demokratike.
Tase Çorri - ish pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare; mbështetës i proceseve demokratike.
Isuf Imeraj, lindur më 1930, ish pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare; mbështetës i proceseve demokratike
Jorgji Terca - ish anëtar i Orgainizatës DEBATIK nga krijimi më 1942 deri në çlirimin e vendit. Anëtar aktiv i OBVL-së.
Petrit Hajdëri (Çami) , i datëlindjes 28.2.1927 – Ka qenë pjesëmarrës në grupet e rinisë antifashiste, duke u aktivizuar që në vitin 1942. Është ndër mbështetësit aktiv të proceseve demokratike dhe të OBVL.
Beqir Pepa, ka lindur më 1929 – ish anëtar i Orgainizatës DEBATIK nga krijimi më 1942 deri në çlirimin e vendit. Anëtar aktiv i OBVL.
Jani Dori, lundur më 1927. Pjesëmarrës në LANÇ që me grupet antifashiste të vitit 1943 në Tiranë. Plagosur në korrik 1943 në demostratën e Tiranës. Anëtar aktiv i OBVL.
Xhavit Ferra - ish anëtar i Orgainizatës DEBATIK nga krijimi më 1942 deri në çlirimin e vendit. Anëtar aktiv i OBVL.
Fiqiri Karapici, ish anëtar i Orgainizatës DEBATIK nga krijimi më 1942 deri në çlirimin e vendit.
Filloreta Fejzo, ish pjesëmarrëse aktive në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare; mbështetëse e proceseve demokratike.
Zenel Hoxha, lindur më 1924. Ka marrë pjesë në LANÇ që në vitin 1943. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftën për çlirimin e Tiranës në kuadrin e Brigadës së IV-t Sulmuese.
Zekie Voshtina - Ka marrë pjesë me armë në dorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ku është dalluar në disa aksione kundër armikut nazifashit. Ish-e persekutuar polike e regjimit komunist; mbështetëse e proceseve demokratike.
Fjala e plotë e nënkryetarit të Bashkisë z. Enno Bozdo:
I nderuar Gjeneral Parllaku,
Të nderuar veteranë, pjestarë të Organizatës të Bashkuar të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe Zotërinj,
Më lejoni që fjalën time ta nis duke ju sjellë në emër të z. Lulzim Basha, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe njëherësh kryetarit të Partisë Demokratike, i cili për shkak të axhendës së tij është nisur për një vizitë dy ditore në bruksel, urimet më të mira dhe vlersimet më të larta për sakrificën tuaj.
70 vite më parë, Tirana u çlirua nga pushtuesit nazifashistë, duke u renditur në listën e paktë të kryeqyteteve evropiane që u çlirua nga lufta partizane e popullit të tyre.
Roma dhe Parisi ishin çliruar tashmë në sajë të kontributit të forcave aleate anglo-amerikane. Tirana, ndërkohë u çlirua nga bijtë dhe bijat e saj, në një betejë që zgjati rreth 20 ditë dhe që i kushtoi jetën 130 partizanëve.
Ishte kjo ditë kulmore, që në fakt do të lajmëronte fitoren e madhe përfundimtare të popullit shqiptar ndaj nazifashistëve. Popull i cili që nga pushtimi i Prillit 1939 rezistoi, u organizua dhe triumfoi në sajë të sakrificës madhore të atyre të rinjve dhe të rejave që dashuronin lirinë, dashuronin atdheun, dashuronin të ardhmen, më shumë se jetën e tyre.
70 vite nga ajo ditë, pikërisht sot në Tiranën e vitit 2014, kujtimi për sakrificën e tyre pulson fort në memorien tonë kolektive. Jo vetëm pse është një vit jubilar ky, po sepse historia, me të drejtë na sjell herë pas here përballë realiteteve dhe kohërave të vështira. Në këto realitete apo kohë të vështira është në natyrën njerzore ndoshta, ti referohemi çasteve kulminante të vlerave tona, siç është dhe Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare.
70 vite më vonë Shqipëria nuk është më e pushtuar, dhe as në luftë me ndonjë vend tjetër. Kosova është e pavarur dhe shqiptarët jetojnë në një vend të lirë pjesë e familjes evropiane, pjesë e demokracive perëndimore. Por sigurisht, edhe pse 70 vite më vonë, sfidat e shoqërisë shqiptare janë po aty, shumë më të ndryshme, dhe po kaq të ngjashme me 70 vite më parë.
Por, atëherë pushtuesi ishte përballë dhe ndarjet shumë më të qarta, dikush duhet të ishte pjesë e vlerave ose e antivlerave, e luftës për çlirim kombëtar dhe dinjitet njerzor, apo e një sistemi të tmerrshëm totalitar, i ngërrthyer në krime dhe i mbeshtetur në antivlerat njerëzore.
Në këtë pikëpamje, edhe pse jeta dhe realiteti ishte shumë më i vështirë 70 vite më parë, rinia bëri zgjedhjen e saj duke u bërë përfaqësuese e atij brezi që çlirimin kombëtar, prosperitetin e atdheut, dinjitetin njerzor e vuri në piedestal, dhe madje dha edhe jetën për të, kur iu kërkua.
Sot, është koha të kthejmë kokën pas, të nderojmë ata që ranë për liri, por edhe ata të cilët u angazhuan me vullnet të qartë, në këtë përpjekje të madhe të shqiptarëve që quhet Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ). Këtë e bëjmë jo edhe vetëm për hir të respektit historik, por sepse, pikërisht sot shoqëria shqiptare ka përpara vetes sfida të mëdha të saj, ne duhet ti referohemi kurajos së këtij brezi, kurajos tuaj, të gjithëve këtu, pasionit tuaj për liri, dashurisë tuaj për atdhe, për të bërë edhe ne sot zgjedhjet tona të drejta.
Sot, veçanërisht brezit të ri, i bie barra e angazhimit për të kontribuar në një shoqëri më të mirë, më të drejtë, më të hapur dhe më evropiane.
Në fakt jo vetëm të rinjve, por të gjithëve ne, na bie barra e ngritjes në këmbë kundër padrejtësive, e solidarizimit njerzor, përballë probleme shoqërore, zgjedhjes së të mirës kundër të keqes, kundër pseudodemokracisë, kundër cënimit të lirisë personale dhe të drejtave bazike të njeriut, kundër atyre që betohen për shtetin ligjor dhe më pas janë të parët që e shkelin ligjin me të dyja këmbët, kundër atyre që deklarojnë se respektojnë mendimin pluralist, dhe pastaj dhunojnë kundërshtarët politikë, kundër atyre që deklarojnë se do të punojnë çdo ditë për të mirën e popullit dhe pastaj gdhihen të pasuruar brenda një nate të vetme.
Kjo luftë e jona sigurisht që nuk është më e vështirë se lufta që ju të nderuar veteranë bëtë dje. Ndoshta, zgjedhja juaj ishte më e thjeshtë, sepse përballë kishit një rregjim vrasës dhe një makinë të tmerrshme ushtarake. Por, angazhimi juaj ishte shume herë më i vështirë se angazhimi që kërkohet nga ne sot. Ju vutë jetën tuaj në rrezik, shokët tuaj, motrat tuaja, vëllezërit tuaj ranë për çlirimin e Tiranës, të Shqipërisë dhe viseve Shqiptare.
Ne nuk na kërkohet kjo sakrificë sublime, por sigurisht na kërkohet ajo që një atdhe i kërkon me të drejtë bijëve dhe bijave të saj kur sistemi vihet në rrezik nga diktatura të hapura apo të kamufluara, kur antivlerat si shkelja e ligjit apo korrupsioni duket se janë rregulla kryesore të lojës dhe ku vlera me e madhe për njeriu duket sikur është pasuria apo kapja e një rangu më të lartë shoqëror.
E pra, kësaj i referohemi kur themi se ne, brezi i sotëm shikojmë ndaj jush me respekt dhe me admirim. Ju jeni guximtarët tanë, ata që në ditët e vështira dhanë shëmbullin personal dhe sakrifikuan jetën e tyre.
Për këtë arsye ju nderojmë sot, ju nderojmë në këtë aktivitet përkujtimor por edhe në shumë të tjera që do të pasojnë, sepse ju jeni pasqyra ku ne duhet të shihemi dhe të reflektojmë.
Faleminderit për sakrificën tuaj.
Faleminderit që me prezencën dhe shëmbullin tuaj na kujtoni çdo ditë se jeta është e vlefshme të jetohet në liri dhe me dinjitet.
Faleminderit për gjithçka që keni bërë.
Add new comment