“Referendumi për mbetjet”, Gjykata Kushtetuese tërhiqet për të dhënë vendimin

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar sot kërkesën e Aleancës Kundër Importit të Plehrave për zhvillimin e një referendumi për ndalimin importit të plehrave. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujerave vlerësoi se kërkesa referendare për shfuqizimin e nenit 49 dhe 22/3 mbështetet në absurd dhe në kontradiktë të thellë.
Zëvendës/ministri i Mjedisit, Taulant Bino, deklaroi për mediat se: “Kërkesa e tyre në vend që të shkaktojnë ndalimin e importit të atyre pak lloje mbetjeve të parrezikshme, 25 lloje për qëllim riciklimi, ripërdorimi, rikuperimi, pra për çdo qëllim që nuk është asgjësim apo ruajtje, çon në liberalizimin dhe lejimin total të importit të rreth 550 llojeve mbetjesh të parrezikshme”.
Sipas tij, ligji aktual ka treguar se menaxhimi i mbetjeve në vend bëhet në mënyrën e duhur dhe shteti ka zbatuar Konventën e Bazelit. “Ligji aktual tregoi se menaxhimi i mbetjeve bëhet në mënyrën e duhur, qëllimi i tij nuk është importi, por menaxhimi i mbetjeve të brendshme”,- ka theksuar Bino.
Ndërkohë avokati i aktivistëve për referendumin, Dorian Matlija ka theksuar se qeveria bëri të qartë se pjesa më e rëndësishme e ligjit është neni që lejon importin dhe menaxhimi i integruar të mbetjeve është i parëndësishëm, në krahasim me këto dy nene.
Eksperti Lavdosh Ferruni ka pohuar se nga të dhënat refuzon se të gjitha industritë që merren me përpunimin e mbetjeve kanë bërë leje për importe sa 100% e kapacitetit të tyre. “Asnjë nga këto kompani nuk ka qëllim përpunimin e mbetjeve të brendshme, por plehrat e importit”, ka theksuar ai.
Në Qershor të 2012-ës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të shtyjë për në vitin 2013 zhvillimin e një referendumi për ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri, ndonëse i dha të drejtë parimisht grupit nismëtar për zhvillimin e këtij referendumi.
Presidenti i Republikës ka 45 ditë kohë nga marrja e vendimit prej Gjykatës Kushtetuese, ose nga skadimi i afatit të saj, për të shpallur datën e referendumit. Në rastin më maksimal ky afat shkon deri më 17 prill 2013.
SHQIP

Add new comment