“Ne në listat e PD-së? Nuk na intereson shkrirja e partisë”

- “Brenda kësaj mazhorance do të ketë edhe alternativa të ndryshme politike, qofshin këto të djathta, të qendrës apo edhe të majta. Siç është rasti i LSI-së apo i PBDNJ-së”
- “Ka vetëm një Parti Demokristiane, PDK-ja, pjesët e tjera, fraksionet janë thjesht dhe vetëm për tu përdorur nga segmente të tjera të politikës për diversione”
Plarent Shehu
-Intervistë me Kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, njëkohësisht dhe zëvendësministër i Brendshëm, ka deklaruar gjatë një intervistë për gazetën ‘Shekulli’ se, nuk i intereson shkrirja e partisë dhe pjesëmarrja e tij si kandidat në listën zgjedhore të PD-së. Kreut i Demokristianëve i sugjeron Kryeministrit Berisha dhe kreut të PD-së që në mazhorancën e ardhshme të afrojë krahas LSI-së, Ilir Metës edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules. Sa i përket përçarjes së demokristianëve dhe krijimit të disa forcave të drejtuara tashmë nga ish krerët e PDK-së, Ndoka komentoi se ka vetëm një alternativ ajo është PDK-ja, të tjerat janë fraksione dhe thjesht përdoren nga segmente të tjera politike për diversione të ndryshme.
Zoti Ndoka, cila do të jetë rruga që PDK-ja do të ndjekë në garën e zgjedhjeve më 23 qershor? Me listë të veten apo kryetari i PDK-se do garojë me listën e PD-së?
PDK-ja do te garojë me 140 kandidatet e vet në zgjedhjet e ardhshme. Ky është një vendim i palëkundur për ne. Do te jemi në një koalicion me PD-në dhe po shqyrtojmë të gjitha hapësirat e mundësinë për konkretizimin e këtij bashkëpunimi. Ka në tavolinë disa variante, kjo vjen si domosdoshmëri dhe për shkak të kodit zgjedhor, i cili ka pengesa artificiale për përfaqësimin e partive brenda një koalicioni, por ekziston mundësia, dëshira dhe vullneti nga PD-ja për të bërë të mundur vlerësimin e partive politike në bazë të kontributit real, pra me votat që këto parti kanë. Nuk shoh pengesa nga ana e PDK-së për bashkëpunimin me PD-në madje dhe pjesëmarrjes nesër në qeveri në bazë të asaj peshe që qytetarët do të japin në zgjedhjet e qershorit.
Ka një ofertë nga kreu i PD-së Berisha, ku iu ofron krerëve të partive aleate të hyjnë në listën e kandidimit të PD-së por me një kusht që ata të shkrinë partitë e tyre, sa qëndron kjo ofertë? Ju personalisht a keni një ofertë të tillë nga Berisha?
Nuk ka asgjë të vërtet mbi këtë ofertë. Nuk është as në interesin e PD-së dhe as në interesin tonë shkrirja e partive politike dhe pjesëmarrja jonë në listat e PD-së. Ne kemi alternativën tonë politike. PDK-ja, duhet thënë se ka disi një marrëdhënie ndryshe nga partitë e tjera në koalicion me PD-në. Kjo për vet faktin se ka parti të cilat kanë 8 vjet që bashkëqeverisin me PD-në ku në një farë mënyre kanë krijuar kohezionin dhe marrëdhënien pozitive në koalicion. Ndërsa marrëdhënia me PDK-në është disi e veçantë, nuk e kemi pasur luksin që të jemi në këtë mazhorancë për 8 vjet. Jemi përballur me vështirësi dhe kemi qenë për disa kohë dhe në opozitë. Por tani ka një marrëdhënie të re politike e cila do të jetë specifike, ndoshta edhe prej partive te cilat ndodhen sot në mazhorancë me PD-në. Gjykoj që, është në interesin e palëve skema e bashkëpunimit të jetë e besueshme, transparente për opinionin publik dhe brenda kësaj mazhorancë të ketë edhe alternativa të ndryshme politike, qofshin këto të djathta, të qendrës apo edhe të majta. Siç është rasti i LSI-së apo i PBDNJ-së.
SHEKULL
I
Add new comment