“Iliricum A”: Zyrtarë të MPB-së kanë kërkuar ryshfet

Prishtinë, 13 janar - Një nga kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave për kosovarët është riatdhesimi i shtetasve tonë pa status, të cilët jetojnë në shtete të Perëndimit.
Ky proces vazhdimisht ka kaluar me probleme në sistemimin e tyre.
Për këtë Qeveria e Kosovës kishte alokuar një fond dhe ka kontraktuar disa kompani që të merren me akomodimin e këtyre qytetarëve, por kontratat e dhëna nuk kanë kaluar pa probleme.
Një nga këto kompani e kontraktuar nga MPB-ja, e cila merret me sistemimin e tyre nëpër shtëpi, ka qenë edhe “Iliricum.A”, pronari i së cilës ka qenë pre e shantazheve dhe e kërcënimeve.
Rexhep Krasniqi, pronar i kësaj kompanie, ka thënë se ai gjatë gjithë kohës ka qenë i kërcënuar me ndërprerje të kontratës nëse nuk jep ryshfet.
Për këto kërcënime Krasniqi pretendon se ka mbi 10 orë incizime, në të cilat janë të implikuar zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.
Ministri Rexhepi nëpërmjet telefonit i ka thënë KTV-së se për këtë temë duhet të komunikohet me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë. KTV-ja ka provuar të vinte kontakt me të, por ka qenë e pamundur.
E, Tomë Gashi, avokat i Rexhep Krasniqit, ka thënë se të dhënat i janë dërguar prokurorisë, përkatësisht Drita Hajdarit për t’i ofruar asaj incizimet ku protagonistë janë zyrtarë të lartë.
Mirëpo, këto incizime, sipas Gashit, nuk i kanë mjaftuar prokurores për të ndërmarrë ndonjë veprim.
Drita Hajdari, në anën tjetër, e kontaktuar nga Kohavisioni, ka mohuar kategorikisht se këto dëshmi kanë humbur. Sipas saj, ato të dhëna ekzistojnë dhe ato ia ka dorëzuar Prokurorisë Komunale dhe, sipas saj, bazuar në ato prova është arrestuar Jeton Veliaj.
Prokuroria kishte realizuar një simulim ku Jeton Veliu, punonjës në MPB, është arrestuar në momentin që po i merrte 400 euro nga Rexhep Krasniqi.
Kompanisë “Iliricum.A” që nga qershori i vjetëm i është ndërprerë kontrata me Ministrinë e Brendshme, pa kurrfarë paralajmërimi nga kjo e fundit.
KOHA DITORE

Add new comment