‘NGJALLEN’ SHPRESAT PËR ISH-PUNËTORËT E FABRIKËS SË TUBAVE

Miratimi dhe rekomandimi, i Kuvendit të Kosovës, i cili i kërkon Qeverisë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe organeve tjera, që në afat katër mujor të bëjnë ekzekutimin e pagave për punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, të cilët tash e sa vite po kërkojnë të realizohen të drejtat e tyre për të cilat, vite me parë, kishte vendosur Gjykata komunale në Ferizaj për kompensimin prej rreth 30 milion euro, ka ngjallur shpresën se kjo çështje, së shpejti, do të marrë fund.
Të paktën kështu shpreson, përfaqësuesi i autorizuar Ligjor i punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, Fehmi Baftiu, i cili tash e sa vite merret me të drejtat e punëtorëve të kësaj Fabrike. Ai thotë se ndjehet mirë, që më në fund Kuvendi i dha fund kësaj çështje, duke shpresuar se paratë e punëtorëve, do t’u kompenzohen brenda katër muajve, ashtu siç ka rekomanduar Kuvendi.
“Vendimi i Kuvendit të Kosovës, të enjten e kaluar, i dha fund. Sepse të gjitha gjykatat kanë shkuar në favor të aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Ferizaj 340 01, me të cilin iu është pranuar punëtorëve që të iu ipet kompenzimi 10 vjeçar. E tani Kuvendi i Kosovës të enjten e kaluar u pajtua, që vërtetë Kuvendi, Qeveria dhe AKP-ja, e cila kërkush nuk ka kontroll mbi të, askush nuk e di sa pare ka aty”, tha ai.
Baftiu është optimist që kjo çështje së shpejti, do të marrë fund dhe se atij nuk do t’i duhej të merret më me këtë çështje.
“Një e pres se AKP ka pare. Në AKP ka shkuar një djalë i ri, si kryetar, i cili nuk është i zhytur në allashvereshe. Dhe është vendimi dhe i AKP-së, që t’i paguhet punëtorëve, çka besoj se me vendimin e Kuvendit, veç është përforcuar ajo sepse unë kam pasur kërkesa para Kuvendit, që me shku me i kontrollu punëtorët, a janë ata cilët janë, kush janë dhe sa janë. Shuma e përgjithshme është 25 milion e 600 mijë me kamatë 3 për qind”, tha ai.
Kjo çështje, sipas tij, është zvarritur tej mase duke mos i shpëtuar as politizimit.
Ai teksa tregon se si ndjehet për këtë vendim të Kuvendit, kujton historinë e këtyre punëtorëve, të cilët ishin larguar nga puna që në vitin 1990, e për të cilët ai kishte luftuar deri tani.
Ndryshe, ish punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, në vitin 2001, patën ushtruar padi në Gjykatën Komunale të Ferizajt, që të vërtetohet largimi i dhunshëm nga puna, prej forcave serbe në vitin 1990. Në vitin 2002 Gjykata Komunale, vendosi që ish punëtorëve të larguar padrejtësisht nga forcat serbe në vitin 1990 t’u kompensoheshin të gjitha të ardhurat mujore, prej se ata u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës.
Çështja e punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, ka qenë temë diskutimi, në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët kanë vlerësuar se po shkelen në mënyrë flagrante, të drejtat e tyre. Madje ata kanë kërkuar, që t’i bëhet presion Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për të zgjidhur këtë çështje, e disa nga ta kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e prokurorisë në këtë rast.
Punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, kërkojnë që disa vite t’u paguhet kompensimi prej 30 milionë eurosh, ashtu siç kishte vendosur Gjykata Komunale në Ferizaj, gjatë vitit 2002.
EXPRESS
Add new comment