‘Ekonomia rrezikohet nga shpenzimet në zgjedhje’

Pas vlerësimit të “Moody’s”, për Shqipërinë vjen edhe vlerësimi i agjencisë tjetër për riskun e kreditit, “Standard & Poor’s”. Jo rastësisht theksi vihet te zgjedhjet e 2013-s, duke i cilësuar ato si një test që nuk duhet të neglizhohet.
“Në prag të zgjedhjeve të 2013-s, rreziku i shpenzimeve të pakontrolluara nuk mund të injorohet. Ne besojmë se ulja aktuale e rritjes dhe presionet që vijnë nga të ardhurat e pakta dhe zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test i zotimit për konsolidimin fiskal”, vlerëson raporti. Pavarësisht kësaj, S&P jep të njëjtën “notë” për vendin tonë, duke e cilësuar atë si stabël, por duke bërë edhe një panoramë të plotë të situatës aktuale dhe të risqeve që mund të çojnë në një ulje të vlerësimit.
Kështu, sipas agjencisë, ekonomia shqiptare ka pasur një ngadalësim dhe rritja do të jetë mjaft e moderuar, kjo nëse e krahasojmë me objektivat që ka qeveria, tashmë të deklaruara.
“Ekonomia është ngadalësuar shumë në 2012-n, më tepër për shkak të kërkesës së brendshme në nivele të ulëta. Ne presim që ekonomia të rritet me 0.6 për qind në 2012-n dhe 1.8 për qind në 2013-n. Pavarësisht uljes së rritjes në një afat të mesëm, rritja afatgjatë do të mbështetet nga investimet e huaja direkte që kanë mbetur relativisht të qëndrueshme. Ato kanë financuar tre të katërtat e deficitit të llogarisë korrente dhe mendojmë se do të qëndrojnë në nivelin 11.5 për qind e GDP-së në një afat të mesëm”, thuhet në raportin e “Standard and Poor’s”, të bërë publik dje.
Panorama
Add new comment