Kryebashkiakja e Vlorës dhe “Kastrati”, takime në Athinë për të shuar protestën e Zvërnecit

Postuar në 01 Qershor, 2026 22:49

Kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini, dhe përfaqësuese të kompanisë Kastrati zhvilluan një takim me emigrantë nga Zvërneci në Athinë, vetëm pak ditë përpara protestës kundër projektit turistik që po zhvillohet në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. 

Sipas dëshmive të pjesëmarrësve, të cituara nga BIRN, gjatë takimit dyorësh u diskutua gjerësisht protesta e planifikuar më 30 maj, ndërsa banorët pretendojnë se u kërkua të mos merrnin pjesë në të. Aleksandër Pula, një prej emigrantëve të pranishëm, deklaroi se përshtypja e tyre ishte se qëllimi kryesor i takimit ishte frenimi i protestës.

Banorët thanë se nuk morën përgjigje për pretendimet e tyre mbi pronësinë e tokave të përfshira në projekt dhe se u është bërë e qartë se investitori e konsideron të ligjshëm rrethimin e zonës. Sipas tyre, gjatë diskutimeve u ngritën edhe shqetësime për përplasjet që mund të ndodhnin gjatë protestës, si dhe u sugjerua që të ndiqnin rrugë të tjera ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Kryebashkiakja Mersini konfirmoi për BIRN pjesëmarrjen në takim, por mohoi se qëllimi kishte qenë ndalimi i protestës. Ajo deklaroi se synimi i saj ishte ruajtja e “paqes sociale” dhe sqarimi i banorëve mbi projektin, të cilin e cilësoi me rëndësi të madhe ekonomike për Vlorën.

Edhe Ornela Bego, drejtuese e marrëdhënieve publike në Kastrati Group, pranoi praninë në takim, duke theksuar se kishte marrë pjesë për të dhënë shpjegime mbi projektin dhe mohoi çdo përpjekje për të ndikuar te pjesëmarrja në protestë.

Takimi në Athinë u zhvillua në një kohë kur tensionet për projektin turistik në Zvërnec ishin rritur ndjeshëm. Protesta e organizuar disa ditë më vonë u shoqërua me incidente, përfshirë dhunimin e një protestuesi nga punonjës të sigurisë private, ngjarje që shkaktoi reagime të forta publike dhe pasoja administrative e penale për personat e përfshirë.

BIRN shkruan se porjekti po zhvillohet nga kompania Zvërnec South Adriatic Development, e regjistruar në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronësia përfituese e saj mbetet jo publike. Po ashtu, ka pikëpyetje mbi lidhjet e kompanisë me interesa biznesi të përfaqësuara nga grupi Kastrati.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.