Nga përdorimi te besimi: kthesa e rrezikshme e inteligjencës artificiale

Postuar në 27 Mars, 2026 18:25
Paolo Benanti

 

Një imazh po qarkullon prej disa javësh në rrugët e Shenzhen-it: radhë të gjata njerëzish që presin të marrin asistencë teknike për të instaluar një softuer në kompjuterët e tyre. Nuk bëhet fjalë për një përditësim sistemi apo për programin e ndonjë kompanie të imponuar nga departamenti IT. Është një agjent i inteligjencës artificiale i quajtur OpenClaw – logoja e të cilit është një karavidhe – dhe turma që krijon të kujton, në njëfarë mënyre, atë të iPhone-ve të parë. Diçka, dukshëm, ka ndryshuar.

OpenClaw nuk është një chatbot. […] Është një sistem që vepron. […] Dallimi me sistemet e mëparshme nuk është në shkallë, por në natyrë. Kemi kaluar nga të kërkuarit tek të besuarit.

Jensen Huang, […] i NVIDIA-s, nuk ka hezituar ta përkufizojë si “ndoshta prezantimin e vetëm më të rëndësishëm të softuerit ndonjëherë”. Një hiperbolë? Ndoshta. Por pas retorikës së tipit keynote fshihet një intuitë strukturore që ia vlen të merret seriozisht. Cikli i madh i viteve të fundit, ai i trajnimit të modeleve gjuhësore me kosto astronomike, po mbyllet. Tani hapet epoka e inferencës: jo më ndërtimi i inteligjencës, por përdorimi i saj – vazhdimisht, në mënyrë të përhapur, në miliarda instanca njëkohësisht. Agjentët autonomë janë motori i këtij tranzicioni. Dhe si çdo motor, kanë nevojë për një karroceri për t’u bërë automobil.

Këtu del në pah sfida e parë etike e kësaj periudhe teknologjike […] korniza, skeleti që e shndërron një motor në një mjet të përdorshëm çdo ditë. Automobili nuk është një motor më i mirë: është një motor i integruar në një sistem kontrolli, sedilje, timon, frena. Fuqia bëhet e dobishme vetëm kur ndërmjetësohet nga një ndërfaqe që shpërndan rrezikun. Këtu qëndron problemi: për agjentët e AI-së, kjo “kornizë” – frenat, timoni, pajisjet e sigurisë – mungon ende në masë të madhe. Po shpërndahet fuqia para se të projektohet sistemi i kontrollit.

[…] Ekziston edhe një dimension i dytë, shpesh i neglizhuar në debatin teknik: ai i asimetrisë njohëse. Sistemet agjentike, për të funksionuar, kërkojnë akses të vazhdueshëm në të dhëna personale të ndjeshme […] Karavidhja e OpenClaw, pra, nuk është e shpërndarë në mënyrë demokratike: ajo ka prirje të favorizojë ata që tashmë kanë aftësitë dhe burimet për ta zotëruar.

Në garën se kush e nxjerr i pari agjentin e vet […], pasqyrohet një logjikë konkurruese që nuk lë hapësirë për reflektim. Shpejtësia e përhapjes së këtyre mjeteve tejkalon shumë kapacitetin e institucioneve për të zhvilluar përgjigje të përshtatshme rregullatore. Nuk bëhet fjalë për të thirrur parimin e kujdesit si justifikim për mosveprim: bëhet fjalë për të pranuar se disa tranzicione teknologjike kërkojnë, para se të përhapen masivisht, një punë kolektive të projektimit etik.

Karavidhja është tashmë në det. Pyetja është nëse duam të mësojmë ta peshkojmë apo thjesht ta ndjekim nga pas.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.