Vota kundër P(i)S-llarëve është një shans që i duhet dhënë Tiranës

Florian Binaj, një aktor i atij që në Shqipëri e quajnë humor dhe madje edhe qeshin me të, do të jetë kandidati i mbështetur nga PD-ja në zgjedhjet e Tiranës. Po të rrish e të mendosh mirë mbi atë që duhet të jetë politika dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej saj, Binaj as do të duhet të ishte në asnjë garë. Mirëpo politka është bërë një fushë e prakticitetit ekstrem dhe në këtë kuadër ai është një emër si të tjerër. Fundja, Simir Kodra, një tjetër moderator i një emisioni hetimoro-humoristik, ka kandiduar dikur nga PS-ja për zgjedhjet. Kryebashkiaku i Ersekës ka atë karrierë, ndërkohë që një tjetër gazetar, që të bën me të vërtetë për të qeshur, Marin Mema, është duke pritur thirrjen e Historisë.
Përtej ndonjë shakaje që vjen natyrshëm në gishta, duhet thënë se edhe heroi i hipokritëve të ditëve tona, Zelenskiy, ka ardhur nga humori si profesion. Pra deri këtu nuk ka ndonjë të re. E reja vjen me gjellën e medias shqiptare.
Kandidati nga shoqëria e Zenit, ashtu siç pritej, fitoi përballë kandidatit nga shoqëria civile
shkruan Mero Baze në gazetën e tij “Tema”.
Pra Binaj është shok i Shkëlzen Berishës dhe ndaj erdhi si kandidat. Ndaj që këtu, njerëzia marrin me mend se asgjë nuk ndryshon. Se opozita ka vetëm një dispozitiv politik ndaj çfarë mbetet? Mbetet natyrshëm që të votohet Ogerta Manstirliu. Po nga vjen Ogerta Manstirliu? Ajo vjen nga qeveria, përvoja në dy ministri, por është në garë pa e ditur. U propozua pa e kuptuar, ashtu e zgjedhur “me hundë” nga gjenialiteti politik i kryeministrit.
Mënyra sesi diskutohet dhe shkruhet për këto çështje është bërë me të vërtetë shumë problematike dhe priret ta shndërrojë edhe median, apo gazetarë të ndryshëm, në agjentë të një status quoje që po shkatërron kohezionin social. Ne kujtojmë sesi dikur, në vitin 1997, moderatorja e TVSH-së, Vjollca Vokshi u bë shënjestër e një urrejtjeje që nuk i linte gjë mangët asaj ndaj Berishës. Apo edhe ajo ndaj një tjetër gazetari si Robert Papa. Asokohe Mero Baze ishte i padukshëm, ndonëse talenti i tij për të qenë përherë në krahun e drejtë të historisë ishte aty, në pritje për të detonuar bashkë me demokracinë.
Kjo nuk është pa rëndësi, as kalimtare. Kjo është dukuri globale, e cila ka provokuar edhe atë mërinë në mos urrejtjen ndaj gazetarisë. Partizanllëku mund të ketë kuptim për kauza që me përkufizim e ndajnë shoqërinë, por partizanllëku i tepsisë është tjetër gjë. Në protestat e fundit në Nepal u përcollën video të rrahjes publike të të një gazetari që cilësohej se ishte propagandist i qeverisë. Të ketë qenë keqkuptim me parimërshmërinë e tij thua? Apo thjesht askush nuk e kupton dot më se ku nis gazetari dhe ku mbaron pushteti.
Tirana ka vite që drejtohet nga PS-ja. Në fillim nga Erjon Veliaj, një injorant arrogant dhe vulgar, mandej nga aradha e aparatçikëve të veshur shtrenjtë dhe tani po sugjerohet Ogerta Manastirliu. Fieri ka vite, me gjasë që me themelimin e vet që drejtohet nga PS-ja. Vlora po ashtu, Gjirokastra, Erseka e me radhë. Sikur më të ligjtë të ishin përballë turbullimi do të ishte i dobishëm. Nuk është as mençuri, as përgjegjshmëri që të vazhdosh të votosh e votosh një anë, dhe të nesërmen të nisësh të ankohesh.
Florian Binaj mund të jetë një askush. Një njeri pa cilësitë për të drejtuar. Por siç kanë shkuar punët në vend, një shans për ndryshim qyteti e do. U gjend z. Binaj. Le të provohet. Gazetarë si ky Baze aty kanë qenë e do jenë. Duke shfryrë dhe fryrë këdo e çdo gjë në emër të frutrimi të përjetshëm nga Sali Berisha. Që nuk dihet se çfarë u ka bërë që e urrejnë kaq shumë.
s.zaimi
Add new comment