Të mos harrojmë edhe Pushtët e Pushtetit

Postuar në 10 Gusht, 2025 18:09

Një dukuri e vjetër me një episod të ri. Kështu mund të përshkruhet ajo që ndodh së fundmi në Shqipëri me daljet e kryeministrit Rama që tani i ka shpallur luftë ndërtimeve pa leje dhe madje sot paralajmëroi se shkelësit nuk do të gëzojnë atë që ndërtojnë. Mirëpo në 12 vjet në pushtet, ky individ është parë vazhdimisht me certifikata pronësie në dorë duke bërë pronarë zaptuesit.

Këngën e mbajnë gazetarë dhe analistë që kolaudojnë direktivën si ide mesianike.

Nuk është vetëm për ndërtime pa leje kjo sjellje. Për turizmin, për integrimin, për Kosovën, Ukrainë, Greqinë, Belerin. Për të gjitha çështjet e ditës që mund të lëkundin balancën opinionale, zurnaja mediatike plotëson si kor kishtar meshimin kryesor.

E ndërkohë që problemet hasen dhe evidentohen ditë pas dite, ato injorohen, relativizohen dhe madje mbrohen si sajesa të një opozite miope, pavarësisht se nga vijnë, nëse janë denoncime apo kërkesa. Pikërisht sepse luftën dhe paqen, ndryshimin dhe bllokimin në këtë vend duhet ta bëjë vetëm maja e pushtetit. Nuk mund të ketë asnjë proces autonom, në asnjë sferë që të kalojë si i mëvetshëm dhe për shkak të çështjeve objektive të këtij vendi. Sepse asgjë nuk duhet të koagulohet si plazmë e një nisme, e një politike, apo edhe një aktivizmi që del jashtë kontrollit.

Rasti më flagrant ishte ai i sulmit ndaj SPAK në kuadër të çështjes “Veliaj”, që në të vërtetë u autorizua nga fjalimet e z. Rama, por u vetëgjenerua për arsye që kuptohen fare mirë në një vend të vogël si yni.

Këtu nuk kemi të bëjmë me rreshtim ideologjik, as njënaësi që lidhet me ndonjë kauzë. Këtu kemi të bëjmë me korrupsion të pastër moral dhe financiar, që është i vetmi që shpjegon deformime të këtij niveli. Uzurpimi i një pjese të medias nga njerëz që përflasin çdo të vërtetë me synim relativizimin e gravitetit të situatës dhe diversionin, apo edhe amplifikatorin në rastet e miratimit “vullnetar” të Zgjidhjeve nga Lart si këto të tanishmet, i ngjan atij uzurpimi që ndodh me Opozitën. E cila me kalimin e kohës mbetet vetëm alternativa e vetes, por jo e shumicës së shqiptarëve.

Ndaj kur ndjejmë nën këmbë gremisjen e të drejtave dhe lirive, të kthejmë gishtin jo vetëm nga pushteti, por edhe nga pushtët e përhershëm të tij. Dallohen lehtë: janë ata që përflasin edhe z. Rama, “se çfarë u tha”, “e çfarë i thanë”, të cilin rreken t’i marrin të drejtën ekskluzive të interpretimit të neurozës politike për të qenë përherë e më shumë të rëndësishëm për vëmendjen e tij.

Janë ata që presin fjalën, ndryshojnë diskutimet, apo edhe ekranizojnë përditë karagjozllëkun që i përshkruan.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.