Iluzioni i "miqve dhe partnerëve"

Para disa ditësh në mediat pranë qeverisë qarkulloi një nga ato njoftimet që janë aty, sa për arkivë dhe statistikë.
Shqipëria krah SHBA dhe 14 vendeve të tjera: Irani të ndalë sulmet që cënojnë sovranitetin tone
Deklarata kishte të bënte me një perceptim për të ashtuquajturin “kërcënim në rritje të Iranit ndaj Europës dhe SHBA”. Shqipëria është pra në krah të SHBA për lodra që janë shumë serioze në botën ku jetojmë.
Pak ditë më pas, u dha një njoftim për një telefonatë mes presidentit ukrainas Zelenskiy dhe kryeministrit Edi Rama, gjatë së cilës kreu ukrainas kishte informuar z. Rama për zhvillimet më të fundit në rajonin e tij. Cili është problemi me këto “lajme”?
Problemi është se ato mëtojnë të induktojnë në shoqërinë shqiptare, atë që është e alfabetizuar, idenë se Shqipëria bën politikë të madhe, se ajo ulet e barabartë në tryezat e të mëdhenjve, se kryeministri ynë është një shahist i sofistikuar në skakierën e gjeopolitikës ndërkombëtare e kështu me radhë. Kjo nuk është një sjellje e re, as ekskluzivitet i administratës së z. Rama. Kjo është një mani e qëndrueshme e politikës shqiptare, e cila në vijimësi tenton të kalojë investiturat e përkohshme të vetat me fuqi të mëdha, si çështje të një vëllazërie, miqësie të përjetshme, apo partneriteti të pathyeshëm dhe të veçantë të popullit.
Asgjë të tillë nuk ka patur në realitet, thjesht ashtu e kemi pare ne. Sepse marrëdhëniet mes shteteve duke qenë marrëdhënie interesi, e kanë fiziologjike aspektin koniunktural dhe të raportit të forcës. Përpjekja për të shitur narrativën e partneritetit të veçantë në relacionet e varësisë gati absolute që Shqipëria ka me një pjesë të madhe të vendeve kryesore të botës, shpjegohet sa me psikologjinë e përgjithshme politike të shoqërisë sonë që e sheh sigurinë e vet të garantuar jo nga ndonjë kanon, apo ligj, por nga një fuqi e huaj.
Në këtë kuptim, sa më shumë induktohet ideja e një marrëdhënieje të veçantë, apo e aksesit të posaçëm që një politikan ka gjetiu, aq më tepër kreditohet ai në sytë tanë. Është ky interpretim i deformuar moralisht dhe praktikisht i politikës që çon mandej në thurjen e një fantazie të pavend dhe ndërtimin e pritmërive naïve. P.sh në vitet ’90, ambasadori Chris Hill marketohej nga pushteti i kohës si “mik i shqiptarëve”, ndërkohë që së fundmi, Hill është këshilltar në “Putin Initiative”.
Tony Blair është sot një “mik i shumëpaguar” i z. Rama, por është naivitet të shohim tek ideja jonë e miqve dhe miqësisë një zotim të vazhdueshëm dhe besnik ndaj kauzave tona. Apo gjeopolitikës folklorike që gjëmon në tavolinat e Shqipërisë.
Patjetër që në rrjedhën e historisë ndihma është e çmuar. Edhe investimi në miqësi politike dhe ajo ka dhënë frute. Jo rrallë, ndihma dhe asistenca ka qenë shumë bujare, e madje edhe pa ndonjë interes imediat, por simpatitë dhe këshillat miqësore vlejnë vetëm kur dëgjohen për të korrigjuar mobilizimin dhe sjelljen. Në Shqipëri, politika I shet ato si tellalin e një suksesi imagjinar, shpesh edhe sepse atë ka dashur të blejë. Mjafton të kujtojmë deklaratat e Clinton, Blinken, lehtësia e të cilave shpjegon edhe pavërtetësinë e tyre, apo natyrën e vërtetë të të qenit një qokë kalimtare.
Ky realizëm i ftohtë nuk është mirë të përcillet te shoqëria pasi me të vjen detyrimisht një politikë e re për shumëçka, ndaj demagogjia me miq e partnerë të çmuar, ka edhe ajo dobinë e vet. Por deri në një pikë dhe pa vazhduar njësoj si në dekadat e kaluara, pasi edhe shoqëria shqiptare, mirë apo keq, me ngadalë apo duke u zvarritur, po del nga kllapia e kompleksit të inferioritetit ndaj të huajve. Të cilët i veneroi kaq gjatë edhe pse kështu e gënjeu politika e vet që nuk gjeti dot as legjitimitetin real, as edhe kapacitetin për të vetëpërmbushur një mision zhvillimi për mbarë vendin.
Add new comment