Britania po humbet liritë e veta

Erozioni i lirive civile nuk është thjesht diçka që ndodh në autokraci të largëta. Po ndodh këtu, qetësisht, ligjërisht dhe me një shpejtësi në rritje
Këto shkruan sot në “Politico” Shyam Bhatia, gazetar dhe shkrimtar indiano-britanik që vë në dukje një represion përherë e më të madh ndaj fjalës së lirë në Britaninë e Madhe.
Duke nënvizuar perceptimin e dikurshëm për Britaninë “dhe aftësinë e saj për të qeshur me veten”, “pluralizmin e ashpër”, autori shton se këto element kanë qenë dikur një lloj kartëvizitë krenarie kombëtare. Britania qeshte me veten, tallte shumëçka duke e kaluar sprovën e satirës si pjesë të ligjërimit publik dhe një kulture të vetën. Dhoma e Parlamentit, e mirënjohur për shpërthime replikash humori – ku spikat dueli Broëon-Cameron – është shfaqje e kësaj kulture.
Por diçka po ndryshon.
Kjo trashëgimi po shpërbëhet në qetësi me legjislacion dhe frikë, për t’u zëvendësuar…me një gjendje që në emër të rendit publik, kriminalizon liritë që dikur përdoreshin për të tallur të fuqishmit
shkruan Bhatia.
Ai rendit raste të fundit në Britani duke nisur që nga arrestimi i një mësueseje në pension pse mbante një pllakat pro-Palestinës dhe ushtrimi i kontrollit në banesën e saj, me arrestimin e një 67-vjeçari që talli qeverinë dhe retorikën e saj anti-terror te ushtrimi i kontrollit në banesa private bazuar në mesazhe telefonike.
Klima e frikës është zgjeruar në qarkun britanik të komedisë. Dy vjet më parë, comedian Joe Lycett, zbuloi se ishte raportuar në polici nga një spektator i ofenduar nga shakatë e tij. Policia nisi një hetim ndaj tij dhe kërkoi që ai të dorëzonte një shpjegim me shkrim
vijon autori që e ri-artikulon srategjinë që pason nga politika e frikës:
Kur e folura bëhet e rrezikshme, heshtja bëhet strategji dhe diskursi demokratik mbyllet brenda
Gazetarët këshillohen me avokatë para se të bëjnë shaka, ndërkohë që komedianët vetë-censurohen, të gjitha tregues se Britania po çmonton normën e vet demokratike: të drejtën për të qenë i paresetkueshëm, kritik, apo edhe budalla, pa u kriminalizuar.
Orwell na paralajmëroi: nëse liria civile d të thotë ndonjë gjë, kjo është e drejta për t’u thënë njerëzve atë që nuk duan të dëgjojnë
citon Bhatia shkrimtarin e “1984”.
Nuk kemi të bëjmë me asnjë ekzagjerim. Sepse cmontimi i lirive nuk është i atypëratyshëm. Nisi gradualisht dhe po ndodh edhe aty ku dukej se Liria dhe Liria Civile kishte gjetur strehën e vet përfundimtare. Ky është një sinjal për mbarë Europën që jetuam, kohën tonë që përkoi me një ortek dëshire për lirinë dhe Liritë, kompromentuar mesa duket si vlera nga kompromisi i konsumit dhe rehatisë.
Është e pabesueshme lehtësia me të cilën qeveri të zgjedhura, të ashtuquajtura liberale, marrin liritë me ligj, sesi dispozitivi legjilsativ përdoret për intimidim ndaj fjalës, kjo edhe për shkak të liderëve që okupojnë sot skenën e politikës: kompleksivë të parealizuar dhomash dhe korridoresh që i nxori në sipërfaqe jo besimi në disa vlera, por instrumentalizimi i teknologjive të reja. Padyshim që ne po hyjmë në një fazë të zymtë të historisë për të cilën do të paguajmë të gjithë dhe jo pak. Dhe një ndër faturat më të papërballueshme është paaftësia për të treguar sesi ishte Liria jonë e dikurshme, e rinisë sonë, sikurse të tjerë dështuan për të përcjellë si duhet se çfarë ishte fashizmi, nazizmi dhe komunizmi. Ato mbetën rrëfime të izoluara në një brez, me një ligjësi të ftohtë dhe cinike që e bën historinë nisur nga monumentet dhe jo humanizmi i të humburve.
Kjo do të ndodhë edhe kësaj radhe, në një kohë që mund të të ndëshkojë edhe “për një vërejtje të pakujdesshme në pub”.
skerdilajd zaimi
Add new comment