Referendumi dhe Populli prodhojnë një Diktaturë

Jean Tulard, i cilësuar si një specialist i shquar mbi figurën e Napoleon Bonapartit, ka publikuar së fundmi një libër mbi ish-perandorin e Francës: “Napoleon, të vërteta dhe legjendat”. Mbi përmbajtjen e këtij libri ai ka dhënë një intervistë për “Marianne”, në të cilën jep disa komente që kanë vlerë për të kuptuar psikologjinë e interpretimit tonë të historisë. Të suksesit në raport me motivet dhe moralin.
I pyetur se pse Napoleon Bonaparti i dha jetë një legjende që tejkaloi shumë faktet historike, aq sa vijon të mahnisë imagjinarin kolektiv francez dhe europian, Tulard e ka të menjëhershme përgjigjen.
Fati i jashtëzakonshëm i Napoleonit lidhet me faktin se ai u nis nga një familje e varfër e Korsikës, për t’u bërë zoti i Europës. Ngjitje e rrufeshme dhe rrëzim jo më pak spektakolar. T’i shtojmë kësaj figurat femërore: sensualen Zhozefinë, ekstravaganten Paulinë, të ëmblën Mari Valevska dhe besniken Mari Luizë të Austrisë, pa harruar dy tradhëtarët e shkëlqyer të historisë sonë; Talejran dhe Fushe
shprehet Tulard.
Kështu Napoleoni, fati i tij legjendoi figurën historike, më shumë sesa vepra në vetvete, që është shumë më monotone. Veprim, aventurë, femra, tradhëti. Ngjitje supersonike, rënia si supernova. Ja sesi fati i ngecur në tituj sensacionalë, sensacionalizon edhe vetë historinë. Letrarizon një person real për ta engjëllizuar fuqinë e tij, mendimin, motiviet dhe kapacitetin për të kontrolluar rrugëtimin e vet. Manovra e tij ishte megjithatë shprehje e optimizimit të rrethanave.
Me Konsullatin, Bonaparti është trashëgimtar i Revolucionit, që e konsolidon në institucionet e veta – sidomos centralizimin – dhe në parimin e barazisë. Më pas ai ecën me të shenjtën, rivendosja e një fisnikërie dhe ceremonialit monarkik
shprehet Tulard.
Strukturimi i këtij pushteti që ishte cilësisht i ri për një fisnik të vogël të Korsikës lidhet me faktin historikisht të provuar të aftësisë së Bonapartit që u gjend në momentin e duhur, në vendin e duhur. Por meritokracia të jep vëmendjen, jo legjitimitetin, pasi pushteti në fund të fundit është vetëm forcë. Dhe Napoleoni I drejtohej përherë popullit me referendum për të sajuar imazhin e një legjitimiteti që në të vërtetë adresonte në kohën e Perandorisë një status që nuk lidhej me popullin si agjent politik.
Referendumi nuk u shpik nga Napoleoni, por nga Revolucioni. Ai siguron legjitimitetin e një pushteti diktatorial, lajmëron diktaturat e e shekullit të 20-të, por pa ideologjinë e tyre vrasëse
mbyll intervistën Tulard.
Ky pasazh i fundit ka një rëndësi shumë të madhe për të kuptuar kohën që jetojmë. Patjetër se për megaproduksionin ideologjik dhe institucional të revolucionit frëng është shkruar shumë, por cekja e rastit të Napoleonit në raport me referendumin si varkë shpëtimi e legjitimitetit është moment pikant. Referendumi inauguron veten në Histori si aspekt entuziast i të drejtës universale dhe përfundon në gjeneratorin e dukurive më malinje të skenës politike.
Me referendumin patjetër që popullarizohet në politikë edhe termi tjetër po aq problematik – POPULL – subjekt i së drejtës, në të gjithë evazivitetin e vet, i padefinueshëm mirë dhe në finale: subjekti i vetëm që ushtron sovranitetin teorik dhe nuk thirret kurrë në përgjegjësi. Sot e quajmë Demokraci!
s.zaimi
Add new comment