Paradokset e Vettingut
Në një intervistë për MCN Tv, ish-prokurori Ervin Karanxha ka deklaruar se vakancat e krijuara nga vettingu po sjell probleme seroze për sistemin e drejtësisë. Jo vetëm në zgjerimin e stokut të dosjeve të pashqyrtuara, por edhe për faktin se mangësia në burime çon në ulje të cilësisë së vendimeve. Karanxha sugjeron që në sistem duhet të rikthehen prokurorë apo magjistratë që janë larguar për arsye jo shumë të rëndësishme si p.sh mosdisponimi i faturave të vjetra për një shtëpi.
Një arsye ku mbështetet ky sugjerim është edhe fakti se sipas Karanxhas, hartuesit e reformës nuk kanë parashikuar qartë se çfarë ndodh me vakancat e krijuara.
Problem vjen e merr një përmasë të re në dritën e masave disiplinore të marra nga subjekteve vendimmarrëse të sistemit të drejtësisë që e kanë kaluar vettingun. P.sh në një vendim të datës 10 prill 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur largimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledijan Llaho në bazë të ankesës së një prokuroreje. Nga hetimi i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë është verifikuar se Llaho ka ndërhryë në diskresionin e punës së prokruores për një masë sigurie ndaj një personi nën hetim penal. Llaho madje ka deklaruar se do të kërkojë nga shefi i Komisariatit të Sarandës që të mos ekzekutojë masën e sigurisë arrest me burg, ndërkohë që ka vazhduar me kërcënime të tjera.
KLP ka vendosur largimin nga detyra dhe uljen me 40% të pagës për prokurorin në fjalë. Por ai qëndron në sistem pasi ka kaluar vettingun. Pyetja që lind këtu ka të bëjë me standardin e dyfishtë që krijohet përderisa vettingu edhe për çështje shumë më të lehta se këto ka marrë karakterin e një vendimi të formës së prerë dhe të paapelueshëm, ndërkohë që për qëndrime të tilla që janë shkelje e pastër penale, prokurori vetëm sa ndëshkohet me masë administrative.
Si duhet zgjidhur ky handikap? Si duhet korrigjuar paradoksi se efekti i vettingut është i përhershëm dhe pa shuarje, ndërkohë që shkeljet e reja të rënda kalojnë me masa të zakonshme institucionale.
Si do të gjykohej nga institucionet e vettingut Llaho nëse do të verifikohej kjo gjë? Me gjasë do të nxirrej nga sistemi.
Ky është vetëm një episod që ilustron dritshkurtësinë e vettingut si procedurë e jashtëzakonshme dhe me sanksion automatik të përgjithshëm. Aq më tepër që asnjë prej subjekteve të përjashtuara nuk kaloi në ndjekje penale për veprën penale të krijimit të pasurisë së pajustifikuar. Kjo konfirmon se drejtësia nuk funksionon siç duhet me terapi shoku, sepse drejtësia duhet t’u njihet edhe atyre që merren në shqyrtim dhe këqyrje e për të cilët sanksioni është ose penal, ose administrativ. Vettingu sugjeron sanksione të një lloji të posaçëm, ndërkohë që në thelb Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, por edhe Kodet e tjera nuk janë asgjë më shumë sesa instrumente vetimi, kontrolli dhe verifikimi.
Dëmi është shumë i madh sepse precedenti nuk mund të zhbëhet, por luhatja mes dy standardeve dhe sidomos moscenimi ligjor i pasurive të pajustifikuara mban erë të një lloj kompromisi dhe amnistie ku nxjerrja nga sistemi është si të thuash një ndëshkim i moderuar. Por a është kompromisi drejtësi? Në fund duhet ta pranojmë se drejtësi si sferë e veprimit shtetëror zbatohet me normën e vet të shkruar, jo mbi arsyetimin logjik. Por asnjë drejtësi që nuk konsideron korrigjimin nuk quhet më e tillë.
Add new comment