RTS-ja dhe RTSh-ja, dy universe të kundërt

Kush ka patur rastin të ndjekë zhvillimet politike në Serbi këto muaj, do të keët vënë re, se disa herë, protestuesit kundër presidentit Aleksander Vucic, që këto tre muaj identifikohen kryesisht si studentë, bllokojnë hyrjen në seli të televizionit publik të Serbisë. Kjo ka ndodhur edhe dje në Novi Sad, pasi studentët pretendojnë se ky televizion, që paguhet me paratë e të gjithëve, nuk ka transmetuar protestën e tyre në Strasburg.
Kjo qasje na dëshmon disa gjëra. Së pari se RTS ka peshë në informim në Serbi, së dyti se profesionalizmi i raportimit të tij lidhet ngushtë me llogaridhënien për faktin se financohet publikisht dhe e treta se sjellja e institucioneve publike nuk mund të injorohet në një vend të qytetëruar.
Aq më shumë merr rëndësi kjo gjë, nëse do të mbajmë parasysh pluralitetin mediatik në Serbi. Duam apo nuk duam ne, protesta e studentëve serbë sot vendos një diferencë të madhe simbolike dhe përmbajtësore, qoftë me qytetarinë e treguar, aftësinë për të artikuluar, konsistencën dhe nevojën që demokracia të funksionojë, në krahasim me vendin tonë.
Ka patur edhe në Shqipëri protesta studentësh. Në vitin 1990, pastaj diku nga viti 2016 ndoshta. Të dyja në origjinë ishin protesta për kushtet ekonomike që mandej gjeneruan një përmasë politike. Në gjenezë protesta e studentëve serbë nisi për një ngjarje me peshë publike që nuk lidhet strikt me jetën studentore. Nuk ka vend për krahasim, as në thelbin e vet, as në formë.
Aspekti i dytë shkon për rëndësinë e televizionit publik. Hera e fundit kur dikush u kujtua se në Shqipëri ka një televizion publik ishte më 14 shtator 1998, kur Sali Berisha mësyu aty dhe mbajti edhe një fjalë në emër të demokracisë. Mandej RTSH u bë një minder i mykur parazitimi dhe qyli, aq sa sot sillet në mend për skandalet e Këshillit Drejtues.
Është shumë domethënës për një shoqëri fakti që dikush e di se KU DUHET TË PROTESTOJË, përveçse PËR ÇFARË të protestojë. Është domethënës pasi protesta kërkon patjetër barrikadën ku të përplaset e cila përfaqëson teorikisht antagonizmin. Le të imagjinojmë për një çast se protesta në Shqipëri do të organizohej para RTSH. Është thuajse e sigurtë se do dështonte pasi një pjesë e madhe e njerëzve nuk e dinë çfarë është RTSh, ku ndodhet dhe do pyesin se pse shkohet aty.
Në një vend ku protesta lidhet me thërrimet e honorareve, është aspekt i shtirur i një pretendimi që nuk qëndron, njësoj si loja jonë me rreshtim fetar në këmbi të parave, në një vend pra ku protesta ka tipare dhe përmbajtje tribale shumë herë, është iluzion të presësh që të kemi këtë ngritje. E megjthatë, Serbia është vend fqinj me ne, e akuzojmë për lloj-lloj krimesh dhe mentalitet të mbetur pas, por kur vjen puna për gjërat esenciale, ulim kokën dhe bëjmë sikur nuk e dimë që është aty. Roli që dimë të luajmë më mirë në të vërtetë. Rol nga i cili nuk po heqim dorë as tani që po bëhemi europianë safi.
s.zaimi
Add new comment