Çorba e "jetës personale" të liderëve

Këto ditë është përcjellë një intervistë e Liri Berishës për një faqe në Facebook. Mes të tjerave zonja Berisha, bashkëshorte e kreut të opozitës, flet për njohjen me këtë të fundit duke zbuluar se:
Më shumë në fillim më bëri përshtypje zëri
Një intervistë të ngjashme ka dhënë dikur edhe Nexhmije Hoxha, që tregonte sesi kishte njohur Enver Hoxhën në luftë dhe sesi ai e kishte propozuar për martesë. E njëjta për Linda Ramën kur tregonte disa vite më parë sesi “njohu Edin” apo edhe sesa shumë Edi e do Shqipërinë.
Në parim galeria e grave pranë meshkujve me pushtet në Shqipëri, në çdo vend madje, është një kategori intetresante. Dhe me rëndësi në planin historik për shumë aspekte. P.sh Tito dhe Jovanka ishin një dyshe që synonin të promovoheshin edhe si një model në veshje. Jovanka madje synonte edhe një Made in Yugoslavia si modë, çka deri diku përligjej nga një aureolë që bartte edhe bashkëshorti i saji famshëm.
Por këtu jemi në një rast të ndryshëm. Dëshmitë e këtyre grave për atë sesi janë njohur bashkëshortët që më pas qëlluan të bëheshin njerëz me pushtet kanë të njëjtën përmbajtje banale dhe të zakonshme të “dashurive në Shqipëri”. Asgjë e jashtëzakonshme, një kontakt, një rrethanë, mandej lidhja dhe befas del dikushi. Asnjë prej këtyre individëve nuk ka se çfarë të thotë për jetën profesionale, sesi ajo lidhi me jetën personale, sepse e tillë është rrethana jonë kombëtare. Ajo popullohet nga histori përditmërisht, ufesh e ahesh me njëri-tjetrin, ku konsideratata për trivialitete prevalon mbi çdo gjë.
Është pikërisht kjo arsyeja pse rrëfimet për “oborre pushteti” në vendin tonë, janë të mbushura me lojëra që lidhin karriera, ambicie personale dhe asnjëherë ide apo agjenda.
Atëherë çfarë sjell të re për figurën e “liderit” zbulimi i rrethanës sentimentale nga bashkëshortet? Asgjë. Thjesht e bën më qesharake dhe dramatike njëherazi historinë tonë. Që na bën të kuptojmë sesa e varfër është, mbushur me improvizime, ku qyli dhe rastësia janë vokacionet e vetme.
Njërës i ka bërë përshtypje zëri, tjetrës pamja, asaj tjetrës mendja dhe arti. Dhe kështu mund të vazhdohet pa ndalim në serinë e gjenive që janë përtej së zakonshmes mes nesh. Neve na bën përshtypje zullumi i këtyre të gjithëve, një zullum që në një pjesë të madhe ka ardhur edhe prej defiçencave personale të njerëzve që kanë qenë në krye, marrëzive dhe komplekseve personale, gënjeshtrave provinciale. Shikoni sesi edhe sot njëri bërtet se na çoi në Europë, tjetri se do bëjë Shqipërinë Madhështore! Cilat femra do binin në dashuri me këta dy vrunduj të mirënjohur të llapjes dhe zhvatjes nga më të mëdhatë në historinë e këtij vendi?
Apo zonja Berisha dhe zonja Rama kanë bunkerizuar në zemër dashurinë e tyre të pastër, idilin për Saliun zëkumbues dhe Edi artist, idealist dhe veshur si laro-balo në krye të një Armata Brancaleone që do të rilandite mëmëdhenë! Çfarë vegimi! Çfarë kohësh! Sa romantike! Dashurohej dikur në këtë vend, në një kohë kur flitej bukur, për të ardhmen, gjithnjë duke e bërë historinë plastelinë.
Çështja është serioze sepse dalje të tilla kanë synime propagandistike, trukimi. Është serioze sepse këta të dy të fundit I njeh çdo shqiptar. Ua njeh dertin, bereqetin dhe të mirën. Nuk ka nevojë, madje është e dëmshme që të luhet ende me kinezëri të tilla si kjo e zërit epik të Saliut Kreshnik! Është shumë private, personale, patjetër histori e një jete, por nuk ka pse të na shërbehet.
Boll më me këtë gjellë të shpifur heroizmash dhe virtytesh. Gjellë që e pamë ditë më parë edhe me një Ungjillizim të Samir Manes nga Baton Haxhiu, sipas të cilit Mane punoi gjithë jetën me vetëmohim dhe këmbëngulje. Dhe ne nuk na mbetet veçse të përulemi me nderim para veprës së tij. Siç përulet Baton Haxhiu!
Është banale, është e shëmtuar dhe nuk ka asnjë fabulë të vërtetë brenda, nga ato që ta afektojnë perceptimin në emër të respektit.
Duke mos mohuar cilësitë e njërit apo tjetrit, sepse në harkun e një jete çdokush ka dashamirësinë e fatit të provohet, ne mund të themi se të gjithë, pothuajse të gjithë, prindërit tanë, vëllezërit, ne vetë, të afërmit ia dolën si jetimë në këto 34 vjet. Vetë. Duke luftuar me fatin, përpjekur e bërë çdo gjë në një botë që na u bë shumë e madhe në një kohë shumë të shkurtër. Ne nuk e patëm shtetin tonë në krah, ne e kishim kundër gjithë kohës. Edhe për faj të njerëzve si këta të dy që sot tentojnë të shfaqen si qingja. Edhe për paaftësi të këtyre.
Kështu që duke pranuar cilësitë e tyre në politikë me shqiptarët – sepse standardi referues ka rëndësi – në aspektin e interesit publik, vlerësimit të punës dhe sigurisë së pronës, arsimit dhe shëndetësisë, që janë puna kryesore e këtyre, ne e dimë se çfarë është bërë. Ndaj me shumë qetësi urimi i vetëm që mbetet është: Mos u pafshim më! As në këtë botë dhe as në tjetrën nëse ka!

Add new comment