Osmani: BE-ja nuk i trajton baraz në proces Serbinë dhe Kosovën
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se negociatat me Serbinë kanë ngecur sepse shtetet nuk po trajtohen barabartë. Ajo ka përmendur zotimet e papërmbushura nga Serbia të dala nga procesi i dialogut, teksa ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha detyrat e veta.
“Nëse shohim listën e zotimeve që Serbia nuk i ka përmbushur... është shumë shumë e gjatë, do të na duhej deri nesër që ta lexonim. Është e lehtë ta konfirmoni, mos besoni interpretimin tim. Zgjidhni cilëndo marrëveshje, qoftë marrëveshja për lëvizje të lirë, marrëveshjen për njohjen e diplomave, njohjen e dokumenteve të tjera e të tjera, asnjëra nuk janë zbatuar, as ajo që obligon Serbinë që t’i largojë strukturat paralele ilegale nga Kosova, por fillimisht në veri. Por çfarë ka ndodhur është se në vend të heqjes së tyre, Serbia i ka forcuar vazhdimisht në atë masë sa këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafie dhe janë kthyer në rrezikun më të madh për serbët e veriut”, ka thënë ajo nga samiti i sigurisë në Pragë.
Osmani ka theksuar se pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe mospërmbushjes së zotimeve, Kosova po mbahet nën masa.
“Sigurisht se do dëgjoni kohë pas kohe deklarata mospajtimi mes zyrtarëve në SHBA dhe Qeverisë së Kosovës sa u përket disa qasjeve, por kurrë për synimet përfundimtare ose vlerat fundamentale që i ndajmë. Nuk ka mospajtime në faktin se Kosova dhe SHBA-ja duan një Kosovë sovrane, të pavarur, të suksesshme, multietnike, të bazuar në Kushtetutë. Por, nganjëherë qasja drejt ruajtjes së Kosovës demokratike, sovrane dhe të fortë dhe se si e arrijmë atë, mund të dallojë. Qasja, taktikat, nuancat, ka ndryshime në to. Por, nuk ka asnjë ndryshim në atë se çfarë Kosove duam, cilat janë vlerat fundamentale për shtetet tona dhe marrëdhëniet tona. Kur thelbi është i shëndoshë, të tjerat pavarësisht sfidave mund të tejkalohen”, ka theksuar ajo në forumin global të sigurisë “GLOBSEC 2024” në Pragë.
Burimi: Koha Ditore
Add new comment