Racizëm ndaj të bardhëve

Reagime të zjarrta ka shkaktuar në Francë një shfaqje teatri në Festivalin e Avignon, ku protagoniste ishin vetëm gra me origjinë afrikane. Shfaqja “Carte noire nommée désir” satirizon stereotipet raciste, që lidhen me gratë e zeza në shoqërinë bashkëkohore, shkruan gazeta "Liberation". Ndërkohë, zhurma që ka shkaktuar përmbledh edhe kritika ditirambike, edhe sulme verbale e trupore nga një pjesë e publikut. Pjesa është e afrikano-francezes Rébecca Chaillon, me origjinë nga Martinika, ish - koloni e Francës, e cila sot përbën pjesë e kolonive përtej detit të Francës. Në pjesën teatrale luajnë tetë aktore afrikano-franceze.
Në fillim të shfaqjes, e cila zgjat dy orë e 40 minuta, aktoret ftojnë gratë e zeza të publikut, të ulen në kanapetë e sallës, ku u ofrojnë pije frekuese, ndërsa spektatorët e tjerë, shumica dërrmuese të bardhë, qëndrojnë të ulur në shkallët e teatrit. Përse kjo ndarje raciste? Që të na bëjë të kuptojmë se si ndihen ata, që e përjetojnë racizmin çdo ditë? – thonë pjesëtarët e shfaqjes.
Duke dashur të dekonstruktojë racizmin, stereoptipet dhe klishetë që provojnë të zinjtë në Francë, autorja Rébecca Chaillon, e cila luan gjithashtu në shfaqje, sendërton rolin e e një pastrueseje, që fshin me furi platenë e bardhë, më pas zhvishet, ndërsa aktoret e tjera krijojnë në flokët e saj gërsheta gjigante, që ngjajnë me zinxhirë, që i mbajnë deri në fund të shfaqjes.
Një aktore tjetër luan rolin e një dadoje, e cila mban një hell gjigant, ku në të ka përshkuar “krejt fëmijët e francezëve, që ia kanë besuar”. Skena në fjalë ndezi polemikë në rrjetet sociale, si dhe reagimin e publikut. Shumë njerëz nga publiku, bërtisnin gjatë shfaqjes. Një burrë madje, u ngrit nga vendi, hipi në skenë dhe ndrydhi me forcë gishtin e koreografes Maguy Marin. Një burrë tjetër ulëriste “ha jashtëshqitjet e tua”, regjisorit Johan Simons. Në rrjetet sociale pati shumë reagime dhe u fol për “racizëm ndaj të bardhëve”.

Organizuesit e Festivalit të Avignon, u detyruan të nxjerrin një njoftim, ku shkruhej: “Nga 20 korriku 2023 në Avignon, aktorët e shfaqjes “Carte noire nommée désir” të Rébecca Chaillon, e cila parashtron çështjen e pozicionit të grave me origjinë afrikane që jetojnë në Francë, kanë rënë pre e sulmeve verbale e trupore të natyrës raciste, edhe gjatë kohës së shfaqjes, por edhe në vende publike. Është e papranueshme, që të heshtim në këtë demonstrim urrejtjeje. Shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë ndaj aktorëve dhe autores Rébecca Chaillon”.
Burimi: libération.fr
Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment