A mund të flitet më për aktorë malinj?

Agjencia ruse e lajmeve, “Tass” I ka lënë një vend kryesor lajmit për angazhimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për zgjatjen përtej 19 nëndorit të marrëveshjes së drithit të Ukrainës me Rusinë.
Në këtë kuadër, Kremlini po promovon një marrëdhënie të posaçme me Ankaranë prej nga ku ka gjetur një rrugë për të rifaktorizuar veten në mjedise që përndryshe i janë mbyllur, por edhe për rikapitalizuar burimet që i janë vënë nën sanksione.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman Scholz ka vizituar Kinën ku gjatë një takimi me presidentin Xi Jinping ka folur për barazi në shkëmbimet ekonomike duke anashkaluar çdo kritikë dhe dyshim për relacionet me Kinën. Si një njeri që ka për detyrë të amortizojë efektet e një recensioni për të cilin po flitet për herë e më shumë, Scholz është i detyruar të ndërveprojë me faktorë përcaktues për ekonominë gjermane, siç është Kina. Xi po ashtu ka bërë thirrje që Rusia të mos përdorë armë bërthamore, duke paralajmëruar se çdo sipërmarrje ushtarake kineze në Tajvan nuk përfshin shkatërrimin në masë.
Situata po ripërkufuzohet kështu drejt disa poleve vendimmarrëse rajonale dhe globale që po përpiqen të normalizojnë një marrëdhënie të intoksikuar jo vetëm nga një luftë si ajo e Ukrainës, por edhe nga interpretimi i veprimeve reciproke si pjesë e një axhende imperiale.
Mediat në Perëndim flasin për përpjekjen e Putin për restaurimin e Bashkimit Sovjetik, kurse Kremlini flet për axhendë të shkatërrimit përfundimtar të Rusisë.
Asnjëra dhe as tjetra nuk kanë gjasë të jenë të vërteta, por ligjërimi tashmë po i përmbahet kësaj linje dhe sanksionet që janë vendosur nuk lidhen me asnjë konsideratë strategjike, por më shumë politike. P.sh vështirësia e Rusisë për të penetruar në Ukrainë ilustron faktin e pamohueshëm se një aventurë e re ushtarake nga Rusia nëse çështja e Ukrainës do të zgjidhet nuk mund të mendohet pa të paktën 15 vjet.
Ajo që përbën risi në këtë kontekst është se militarizimi i marrëdhënies Lindje Perëndimi ka lënë fushën bosh për fuqi të tjera që po flasin për paqen dhe sigurinë ushqimore. Turqia dhe Kina shfaqen sot si alternativa të një arsyeje të ftohtë që nuk haset më në Perëndim, në establishmentin politik të tij. Shtuar kësaj faktit se paketat financiare të Perëndimi janë kryesisht për armë për Ukrainë, mbërrijmë në realitetin kur Perëndimi rrezikon të delegjitimohet si aktor i besueshëm në zona të globit ku deri më sot ka patur ndikimin kryesor.
Autoriteti në rritje i aktorëve si Turqia – deri më sot nën kritikën apo akuzën e të qenit një vend autoritarist apo autokratik – e bën të vështirë negociimin nesër të krizave të reja që lidhen me ambiciet e këtij vendi. Sepse sjellja e Turqisë dhe Kinës aktualisht destabilizon edhe narrativën e rrezikut nga aktorët malinj, të cilën kaq shumë e kemi dëgjuar deri më sot, sidomos nëse vëmë re se shtete si këto po ofrojnë një shpresë për vendet më të varfra, çka nuk mund të asimetrizojë më pretendimet moralizuese në Perëndim.
Add new comment