President, Po. Figurë presidenciale, Jo

Postuar në 02 Shkurt, 2022 21:47
Skerdilajd Zaimi

 

Diskutimi për shkarkimin e Presidentit të Republikës ka mbërritur deri në diskrecionin politik të Taulant Ballës. Nuk duam të fyejmë kënd, por teksa z. Balla sot, në cilësinë e drejtuesit të Grupit Parlamentar të PS-së, paralajmëronte se Gjykata Kushtetuese do ta shkarkojë Ilir Metën, shtonte edhe konsideratat e veta për qëndrimet publike të Presidentit. 

Mirëpo zoti Balla harron të shohë veten ose e shmang një gjë të tillë, pasi njësoj si Meta ai mishëron një mospërputhje mes funksionit që ka dhe figurës që teorikisht duhet ta ushtronte atë. 

Një institucion si Presidenti i Republikës bashkëlidh në ekzistencën e vet ushtrimin e pushtetit dhe kompetencave me figurën publike. Nëse shohim planin institucional, Ilir Meta mund të quhet padyshim si presidenti që më shumë nga të gjithë pasuroi praktikën e marrëdhënieve institucionale mes Presidencës dhe pushteteve të tjera, duke imponuar me aktet e veta zyrtare, sqarimin e pozicionit të presidentit në kushtet kur nuk kemi një ligj organik. 

Debatet për mosdekretimin e ministrave kishin motive politike, por në fakt hapën paranteza për shqyrtimin kushtetues të kompetencave. Sot ne pranojmë se presidenti nuk është dikush që duhet të firmosë pa u menduar atë që i vënë para, pasi kështu jo vetëm anullojmë atributet e një garanti, por edhe imponojmë një rregull arbitrar të firmës së pavullnetshme si parim funksional. 

Debati për betimin nisi me manovra të Metës, por përfundoi në absurdin e një shumice që sugjeronte betim gjyqtarësh para noterit. Kështu ne kuptuam që arroganca ishte replika intelektuale e vetme e shumicës përkundrejt “kokfortësisë” të mbrojtur me arsyetim juridik. 

Debati për zgjedhjet ishte asgjë më shumë sesa një sprovë në kufijtë e të mundshmes për një president që prodhoi një moment ezaurues në aspektin kushtetues e që mungonte. 

Patjetër që në këto akte Presidenti ka vepruar me instinktin e Ilir Metës, por procedurialisht ne nuk pamë asnjë ekses subversiv, sepse në të vërtetë nervozizmi i një shumice që nuk di se çfarë të bëjë me pushtetin e vet, vetëm i keq nuk është. 

Asnjë president nuk ka krijuar ballafaqim të tillë më parë. Ballafaqim që nuk ishte i panevojshëm. As Bamir Topi, që sapo erdhi në karrige miratoi shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm sepse ashtu e kishin urdhëruar, ndonëse motivet e këtij akti ishin mirëfilli politike, madje personale të Sali Berishës. Bamir Topi foli për ngjarje në bulevard më 21 janar 2011, por cili kryetar shteti mund të flasë me gjuhën e berberit dhe të merret seriozisht? 

Në Shqipëri ka një keqkuptim për moderacionin, apo radikalizmin, ngatërrohet retorika radikale që është ekzagjerim antietik me aktet zyrtare. Kështu ne dëgjojmë- ndonjëherë edhe Veten- për Nanon liberal, Berishën autokrat, apo Ramën diktator, pa u kushtuar rëndësi termave. Fundi i fundit jemi një shoqëri që fjalën e kemi atribut të fundit qytetërimor. 

Ajo që stonon në këto precedentë është mospërputhja e pritmërive për një figurë siç përshkruhet nga kuadri kushtetues me veprimet dhe formatin e politikanit. Ne kemi patur presidentë inekzistentë, figurantë të skenës politike që nuk hyjnë dot në histori, por kanë mbetur në kujtesën mediatike me profilin e ninullës politike, sikundër kemi njerëz si Meta që nuk arrijnë të vetëkufizohen në detyrën e lartë të kreut të shtetit, sepse kanë hyrë aty shumë shpejt dhe në mënyrë të panevojshme. Koha do ta sqarojë edhe këtë keqkuptim, sepse për fat të mirë në këtë rast, ne shqiptarët harrojmë shpejt, ndoshta edhe ndaj nuk mësojmë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.