Eri, ç'ne me autobus?! Disa pyetje nga njerëzit e zakonshëm të këtij vendi...siç na quan kryeministri

Postuar në 31 Korrik, 2015 11:08

Si njerëz të zakonshëm të këtij vendi siç na quan kryeministri dhe në lartësinë e  popullit të thjeshtë u çuditëm edhe nuk u çudtiëm  që pamë kryebashkiakun e ri të Tiranës, Erion Veliaj duke pritur autobusin për të shkuar në punë. Emocion, habi, barazi, hipokrizi,… Më të habitur duhet të kenë qenë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që rastisën në stacionin e Stadiumit Dinamo bashkë me qytetarin e parë të Tiranës.

Pyetjet që u kanë shkuar ndër mend duhet të kenë qenë nga më të larmishmet, po aq të zakonshme sa vetë ata. Çne ky me autobus?! Defekt në automobil apo gjeti të shpuar gomën e makinës në mëngjes?! Mos është ngushtë si fundmuaji që jemi? Fushata, shpenzimet, harxhimet e sebepeve për fitoren, nafta është rritur. Po prapë të ketë mbetur te 300 lekëshi i urbanit! Kjo e xhepit sikur nuk ta mbush mendjen, ka plot miq e shokë që do e kishin hedhur deri në qendër. Fuga, Mazniku nuk do t'i kishin thënë kurrë jo, aq më tepër që janë komshinj me njëri-tjetrin dhe dalin në të njëjtin orar për në punë. Po mbase nuk ka dashur t'u bëhet barrë, vërtet shoqëria shoqëri, po llogaria mbetet llogari. Kurioziteti i njërëzve të zakonshëm të këtij vendi ndonjëherë është edhe I pacipë kur përballet më ngjarje të tilla të jashtëzakonshme që kemi fatin t’i përjetojmë vetëm në kryeqytet, pararoja e zhvillimit dhe modernizimit. Mbase ndonjë sherr me gruan dhe si i thonë asaj fjale ruaju nga inati i burrit në mëngjes. Prapë ta ketë marrë me kaq dëshpërim një zgjim jo të mirë të gjysmës tjetër dhe të ketë dalë për shëtitje pa u gdhirë.  Mos është ekologjist dhe kërkon të japë I pari shembullin sesi mund të ulim ndotjen e  mjedisit në Tiranë? Edhe ky nuk rri shumë si arsyetim, po të kishte të tillë merak do ta kishte marrë me këmbë nga Qendra te Stadiumi, ja ku është më pak se 2 kilometra.Po deri te Stadiumi me çfarë erdhi, me ndonjë makinë të rastit?! Kush ndalon sot, spaske qenë  jo Erion Veliaj po ……..

Po nejse çrëndësi ka në fund të fundit me çfarë ka shkuar në punë, me këmbë, me biçikletë apo me autobus, kur ishte ministër ditën e parë vajti me biçikletë pastaj me makinë. Dita e parë është e rëndësishme, të tjerat janë rutinë. Prandaj dhe  të gjithë mbajmë mend  ditën e parë të shkollës, ditën e parë të dashurisë, ditën e parë të tradhëtisë..Ndoshta një refleksion për të mos harruar nga vjen dhe sa e çuditshme është jeta. Gjithcka nis zgjerohet, humbet dhe pastaj ngushtohet në një perimetër 500 metër. Nga pazari i ri me një trastë me fiq, tani pak metra më tutje kryetar i bashkisë  ku vazhdojnë të shiten fiq. Po ky sërish mbetet një moment autobiografik, rëndësi ka mesazhi. Dhe kam bindjen se edhe Erioni kësaj i mëshon. Ai tha një fjali të jashtëzakonshme ditën e betimit si kryetar i bashkisë dhe gjej rastin ta ripërsëris.Erioni tha: “Fjala bashki vjen nga fjala bashkë”. Është kaq e thjeshtë dhe nuk e kemi ditur, nuk ia kemi marrë pjalmin këtij domeni të mençur popullor, nuk ia kemi parë dobinë këtij togfjalëshi kaq domethënës. Nuk ka lidhje me ish-heronjtë e punës socialiste që ishin sa të jashtëzakonshëm aq edhe të thjeshtë, duket sikur ngjajnë, por Erioni është ndryshe, ngjan më tepër me superman-in që jeton me zgjidhjet e thjeshta dhe padiskutim me moralin e shëndoshë.

Nëse dikush do kishte kurajon për të pyetur mund të kishim marrë një përgjigje sa për të shuajtur kuriozitetin se me çfarë u kthye sot pasdite nga puna Erion Veliaj. Prapë me autobus?!

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.