Me kë qeverisi për katër vjet?

Postuar në 11 Nëntor, 2017 19:14

Kryeministri Edi Rama është shprehur sot në një bashkëbisedim me qytetarët në Mat: 
“…kemi një fenomen të trashëguar të administratës, ku ka shumë parazitë, grabitqarë, njerëz që i shohin qytetarët nga xhepi dhe s’ua kërcet fare kush është përballë”. 

Duke besuar se e ka seriozisht dhe jo me nevojën për spastrime nga njerëzit e LSI-së, ky qëndrim i fundit i Edi Ramës vendos një standard pabesueshmërie në raport me institucionet.

Përveç administratës, na u tha së fundmi se edhe Policia e Shtetit është e mbushur me të inkriminuar. Ministri i ri i Brendshëm madje premtoi vetting në polici, edhe pse për katër vjet u mburrën me “Policinë që Duam”. 

Po kështu drejtorët e spitaleve fluturuan nga puna me një turfullimë të organizuar në kryeministri, edhe pse shëndetësia u trumbetua si sektor i reformuar. 

Hipotekat me të njëjtin fat, drejtorët u akuzuan si shkelës ligji dhe u larguan me dorëheqje të rekomanduar. 

Akademia e Shkencave u evidentua me të drejtë si nëndetëse e kalbur, media është kazan dhe nuk bën, prefektët po ashtu u shkarkuan në një ditë. 

Edhe ambasadorët që ishin rehat gjithë këto vjet morën një dush të mirë. 

Në këtë skenë lëvizjesh që ecën sipas parimit sistemi korrupton njerëzit, shohim se qeveria po bën autogolin e radhës teksa pranon çorbën që ka gatuar për katër vjet. Edhe pse mundet ta shesë këtë si rilindje dhe bashkëqeverisje. 

Sepse në këto kushte kemi të drejtë të pyesim: po z. Rama me kë ka qeverisur deri më sot? Si ka qeverisur dhe a e ka ditur më parë këtë gjendje? Nëse po, pse na gënjeu për katër vjet me radhë duke shitur një tjetër realitet? Dhe pse nuk u ndërmorën më herët këto lëvizje?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.