credins
Data sot është 22-05-2013, ora 04:34

Author Bios

Blogs by this author:

  • Berisha po përdor çdo resurs shtetëror e publik për qëllime elektorale. Kandidati Alfred Peza jepte lajmin nga Peqini (të shoqëruar me foto), që na bënte me dije se është mobilizuar ushtria për të ndërtuar një rrugë në një komunë të zonës. Ben Blushi, gjatë një konference për shtypin, fliste për një ping-pong me vende pune të improvizuara në këtë stinë elektorale; kanë arritur deri atje, sa marrin në punë dikë, pastaj binden se ky nuk është në gjendje të garantojë votat e fisit të vet, apo ndoshta binden se fisin e ka të vogël në pikëpamje numerike, dhe për këtë shkak e pushojnë; në vend të tij marrin një tjetër që premton më shumë vota. Zululand e shkuar Zululandit.

    Ecim më tutje. Ditën që PD-ja hapte fushatën në Tiranë me tubimin e organizuar para korpusit universitar, nja dy kolegë më thanë në telefon se është tentuar të bëhet mobilizimi i administratës publike, d.m.th janë porositur të gjithë ata që kanë një vend pune në këtë administratë të mos mungojnë në atë tubim. Nuk i dhashë shumë peshë në momentin që ma thanë, pasi ky është avaz i vjetër. Sa herë që Berisha është në pushtet, flitet vazhdimisht për mobilizimin elektoral të administratës, e prandaj të gjithë këtë e mora për një diskutim inercial, që më tepër sillte një jehonë të largët se sa i bënte jehonë një ngjarjeje të ditës.

    Por po atë ditë, pak më vonë, këtë gjë ma konfirmuan do punonjës të administratës. Ma tha njëri në fillim, e më pas m’u desh të bëja disa telefonata për t’u bindur se nuk kishim të bënim me një sendërgji, por me një fakt. Më thanë se kishin urdhër të ishin atje në orën e caktuar, dhe se duhej të ishin në gjendje ta provonin më pas praninë e tyre. Në mos, vihej në rrezik vendi i punës.

    Njoh plot njerëz që janë të prirur për të besuar veç një nënfish në këtë histori, për ta besuar këtë pretendim pra në versionin minimal. Me fjalë të tjera, mendojnë se dukuria është e izoluar, se duhet të jenë ca drejtorë militantë që gjithçka e bëjnë me kokë të tyre, që janë ata që i vënë nën presion vartësit e tyre, e ndoshta duke u justifikuar kotmëkot me ndonjë “urdhër të ardhur nga qendra”. Të kuptohemi, edhe me kaq dukuria ka qenë dhe është e dënueshme, pasi asnjë qeverie nuk i falet që të emërojë e të tolerojë drejtorë të tillë. Por sidoqoftë, pretendimin se dukuria është e shtrirë, ata e kanë marrë dhe e marrin me rezerva.

    Ka dhe një arsye tjetër që i ka bërë këta njerëz të kenë rezervat e tyre ndaj lajmit se “Berisha ushtron presion mbi administratën publike”. “Do dilnin se s’bën disa vetë që ta denonconin këtë punë të ndyrë”, thonë. “Do dilnin se s’bën disa që do thoshin: në djall të shkojë vendi i punës; unë kam dinjitetin mbi të gjitha; e pastaj, kjo gjë duhet denoncuar fort në emër të një Shqipërie normale”. Këtu s’duket se e kanë keq. Kjo është një pikëpyetje që dhe unë e bart vazhdimisht me vete, e prandaj, atyre personave, me të cilët fola në telefon e të cilët ma konfirmuan presionin që ushtrohet mbi ta në rrethana elektorale, nuk mund të mos u bëja pyetjen: Pse nuk del askush ta denoncojë këtë situatë? Si është e mundur?

    Frika se mos humbasin vendin e punës bën të vetën (këtë më thanë ata), por është dhe një skrupull a stepje e një lloji tjetër. Ka që e shpjegojnë dhe me një frikë abstrakte, me një frikë se mund të ndodhë shumë më tepër se sa humbja e vendit të punës por, sipas meje, ka një teprim në këtë mes. Ky shpjegim i fundit është një alibi që ata ia kanë gjetur vetes. Po, motivi kryesor, për të cilin ata nuk e ngrenë zërin, është frika se mos humbasin vendin e punës. Dhe nëse mund të flitet për një motiv tjetër, ky motiv do të ishte një dispozicion i tyre psiko-mental për të ulur shpinën, për t’u nënshtruar, për t’u konformuar me mainstream-in, e mbi të gjitha me autoritetin, e në mënyrë më specifike me pushtetin. Ky është një tipar që, tok me mercenarizmin, shqiptarët e bartin prej qindra vjetësh. “Prej mijëra vjetësh”, do thoshin ata që besojnë kuturú tek një proto-kombësi shqiptare.

    Ja, marrim një rast më konkret. “Shqip”-i i djeshëm, dhe jo vetëm “Shqip”-i, fliste për një email mobilizues që u ish dërguar drejtorëve të shkollave të Fierit, me anë të të cilit u kërkohej këtyre të fundit të ngrinin në këmbë mësuesit e tyre, dhe t’i kandisnin të dilnin për të pritur Berishën që do vinte për të hapur fushatën në këtë qytet të Myzeqesë. Ja teksti i email-it, i formuluar dhe i dërguar nëpër adresa elektronike nga Drejtoria Arsimore e Fierit, e që duket si i marrë nga arkivat e komunizmit: “Nesër, ditën e mërkurë, data 15 maj, ora 18:30, në sheshin përballë Universitetit ‘Kristal’ në Fier organizohet hapja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Drejtorët e shkollave të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë miting së bashku me stafin e tyre. Brenda ditës së sotme, konfirmoni marrjen e këtij email-i dhe pjesëmarrjen.” Dhe “Shqip”-i vijon: “Menjëherë pas marrjes së këtij email-i, drejtorët e shkollave kanë nisur të telefonojnë mësuesit në varësi të tyre, duke u kërkuar pjesëmarrjen e domosdoshme dhe të detyrueshme”.

    Për këtë të dytën nuk ka prova, por nuk ka nevojë. Është email-i i drejtorisë arsimore një provë, është një provë që nxjerr në shesh paturpësinë e atyre njerëzve që punojnë në atë drejtori, e që do duhej të shkarkoheshin menjëherë pas daljes në dritë këtij email-i. Ky email është një gjë e rëndë, që komprometon çdo pretendim mbi nivelin e administratës sonë publike (po e quaj “publike” për hir të emërtimit që ka zyrtarisht).

    Sigurisht, nuk pritej ky email për të arritur në përfundimin se Berisha ka ndërtuar një administratë me logjikë tribale, nepotike, partiake. Ky fakt njihej me kohë e me vakt, dhe së fundmi është demonstruar me spastrimin masiv e në stil të gjerë të administratës prej njerëzve të LSI-së. Në këtë mes nuk është problemi pse hoqën disa mijëra vetë që de facto kanë qenë militantë të LSI-së. Në këtë mes problemi është se administrata publike është e ndërtuar qysh në krye të herës me një logjikë të mbrapshtë. Spastrimi masiv në fjalë pra tregon se çfarë administrate kemi ndërtuar. Një administratë që përdoret si një ushtri elektorale. Dhe këta njerëz kanë gojë të flasin për “tri ligjet e integrimit”, që medemek na lanë jashtë Europës! Në të vërtetë, ne jemi jashtë Europës. Dhe larg Europës. Me vite dritë larg Europës.

     

    Shqip

  • Kam një parandjenjë që po të vjen fundi, Berisha, e prandaj po ngutem të të shkruaj një letër publike (po të drejtohem në njëjës thjesht ngaqë kështu po më vjen, e jo për ndonjë shkujdesje të kërkuar etike). Kësaj letre mund t’i jepja dhe formën e një artikulli, por nuk di pse më vjen që të të drejtohem me një letër, sido që kohë më parë, me sa mbaj mend, kam bërë premtimin se nuk do të kem asnjëherë arsye për të të dërguar një letër të dytë publike. Letrën e parë, gjithnjë publike, ta kam shkruar vite më parë, dhe po aty thoja se nuk ka për të pasur një të dytë. Por nuk po e mbaj këtë premtim. Po ta dërgoj dhe një të dytë.

    Të shoh që vjen vërdallë nëpër Shqipëri, i përndezur dhe i eksituar si njëzet e kusur vite më parë, dhe gati-gati më duket e pabesueshme që ti je akoma aty, në krye të asaj partie që ish e para që u ngrit kundër komunizmit, që kërkoi rrëzimin e atij regjimi, e që premtoi ndërtimin e një rendi demokratik. Më kujtohet një konferencë e jashtëzakonshme e PD-së fill pasi ti u zgjodhe President i Republikës, në të cilën do të zgjidhej kryetari i ri i PD-së (u zgjodh Eduardi, që ish kanakari yt). Në atë konferencë, ku isha dhe unë, po diskutoheshin dhe disa norma statutore, e teksa po flitej për mandatin e kryetarit të partisë, ishe ti që e more fjalën dhe hodhe e mbrojte idenë që “askush nuk duhej të qëndronte në krye të një partie më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme; ne kemi dalë nga komunizmi, që dallohej më së pari për kultin e njëshit, për kultin e udhëheqësit, dhe ne duhet të ngrihemi dhe me statut kundër idesë që një njeri mund të jetë në krye të partisë më shumë se dy mandate”.

    E mbaj mend mirë këtë moment, Berisha, dhe duhet të jetë me siguri në arkivat e Televizionit Publik Shqiptar, i cili, edhe sot në vitin 2013, si atëherë, i fillon lajmet me ty e i mbaron me ty. E mbaj mend edhe ngaqë nuk ish hera e parë që e dëgjoja të dilte nga goja jote një ide e tillë. Ma kishe thënë dhe në një bisedë që kemi pasur andej nga gushti i vitit 1991, në Skrapar. “Nëse ka një gjë që duhet t’i japim munxët, kjo gjë është kulti i njëshit”, më ke thënë në thelb.

    E di? Kam besuar se mund të ndodhte dhe Armageddon-i këto vite, Berisha, por nuk kam besuar kurrë se njëzet vjet më pas, në vitin 2012, do të të shihja që të thoje në Parlament nga pozitat e kryetarit të PD-së e të Kryeministrit të vendit, se “edhe 35 vjet të tjera do të rrish në pushtet”. Nuk e kam besuar kurrë, se njëzet vjet më pas ti do të ishe duke drejtuar një fushatë elektorale në kërkim të një mandati të tretë kryeministror.

    Përfytyroj sikur unë të isha larguar nga vendi pas asaj bisede që kemi bërë bashkë, dhe pas asaj konference partie, ku ti, medemek i velitur prej kultit të njëshit, ke mbrojtur idenë e stafetave të vazhdueshme nga njëri lider në tjetrin; përfytyroj sikur të kisha ikur pa nam e nishan, në një vend të largët, pa asnjë mundësi, apo pa asnjë dëshirë, komunikimi me Shqipërinë, dhe të kthehesha pikërisht në këto ditë e të të shihja ty në ekranin e televizorit, duke u kërkuar votat shqiptarëve. Nuk do t’u besoja syve, dhe ti i pari, madje ti më shumë se të gjithë, do mund të përfytyroje tronditjen time përballë faktit që Berishën, të cilin unë e kisha lënë President të Republikës e kryetar de facto të PD-së në vitin e largët 1992, po e shihja tani duke kërkuar mandatin e tretë për kryeministër.

    “Çfarë mutin ka ndodhur në këtë vend?”, do pyesja, dhe ndonjë shqiptar, të cilin nuk e ka braktisur kujtesa (duket sikur kujtesa i ka lënë të gjithë, ç’është e vërteta), do më shpjegonte: “Kanë ndodhur shumë gjëra, pasi ike ti, i dashur. Berisha humbi një palë zgjedhje lokale vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të marsit të vitit 1992. Më pas, humbi një referendum, të cilin ai e shpiku për të miratuar një Kushtetutë të vetën. Ndërkohë, kish zënë të ndërtonte një regjim. Kontrollonte gjithçka, Partinë Demokratike, Parlamentin, qeverinë, policinë, ushtrinë, bankat, institucionet, administratën, shërbimet sekrete që u bënë një strukturë e ndyrë përndjekjeje ndaj opozitarëve, Televizionin Publik Shqiptar, improvizoi një ekonomi tregu të kontrolluar politikisht, dhe të gjithë këtë pushtet e përdori për të vjedhur zgjedhjet e vitit 1996, të 26 majit, e për të rrahur deputetët opozitarë në sheshin ‘Skënderbej’ më 28 maj; e kështu e trashi zullumin; u desh dhe falimentimi i firmave piramidale, që bota të fillonte t’i rrëshqiste nën këmbë. Për të shpëtuar veten, futi vendin në luftë, provokoi kaosin, hapi depot e armëve të ushtrisë, dhe pas kësaj, … gjeti strehë në opozitë, ku nuk la gjë pa bërë për tetë vjet me radhë. Dhe pas tetë vitesh, shfrytëzoi lodhjen e shqiptarëve prej një qeverie të korruptuar, shfrytëzoi dhe përçarjen e kundërshtarëve, dhe rierdhi në pushtet, për ta rindërtuar nga e para atë që nuk e lanë ta çonte deri në fund herën e parë. Por këtë radhë, rierdhi me idenë e përkohshmërisë, e prandaj iu fut plaçkitjes, mobilizoi dhe gruan e fëmijët për të bërë pará, e duke qenë se gjërat i dolën nga kontrolli (djali ‘i rezultoi’ ortak në një biznes ilegal, i cili ia bëri ‘buuum’ një ditë, dhe … la 26 të vdekur), ai zuri të riprojektonte, dhe këtë herë jo me maskën e një idealisti putativ (si në vitin 1992), por me fytyrën, dhe nga nevoja, e një horri 24 karatësh (siç është gjithë ditën e ditës), zuri të riprojektonte pra idenë e pushtetit të përjetshëm. Dhe një ditë s’e pati për gjë të vriste në bulevard katër qytetarë të pambrojtur, të parrezikshëm, për fajin e vetëm se nuk e donin qeverinë dhe se kishin dalë të protestonin kundër tij. Dhe pikërisht ky njeri po kërkon tani mandatin e tretë kryeministror”.

    Për fat të keq, Berisha, këto bëma të tuat nuk është se m’i ka thënë ndokush. I kam jetuar vetë, një e nga një, e prandaj mezi po pres fundin tënd. Dhe këtë herë është njimend fundi. Nuk është se e di. Thjesht e parandiej. Nuk ke se ç’bën më. Nuk do të hyjnë në punë armët që ke në dorë, paratë, policia, SHIK-u, gjykatat, KQZ-ja, miqtë ndërkombëtarë, që i ke blerë me paratë tona, ca kolegë të mitë që i shoh po aq të përkushtuar sa ty në këtë betejë të fundit tënden, bandat e militantëve-gangsterë që do të pushtojnë rrugët e qyteteve të Shqipërisë, apo dhe rrjetet sociale, blogjet e gazetat online, etj., etj.

    E në këtë pikë, nuk di pse më vjen të të jap një këshillë: Mos i prek zgjedhjet! Ke ardhur në politikë me ndihmën e zgjedhjeve të lira të bëra nga komunistët, dhe do të të duhej veç minimumi i minimumit të cipës, të skrupujve, e të ndjenjës së detyrës (e ke këtë minimum të minimumit?) që “të mos ikje nga politika me zgjedhje të vjedhura e të prishura, të cilat ti na i fute si flamë në praktikën tonë politike”. E di që s’varet gjithçka nga ty, pasi strukturat e institucionet i ke ndërtuar me frymën e me logjikën e ndërtimit të një bande, e rrjedhimisht mund të të dalin dhe duarsh, por bëj çmos t’ua mbash dorën (pasi të mbash tënden, në radhë të parë). Nuk duhet ta mbyllësh këtë punë “duke vjedhur dhe një herë zgjedhjet”, pasi nuk është se kështu e shmang fundin. Përkundrazi, e bën fundin shumë më dramatik. Mund ta shtysh pak në kohë, ca muaj ndoshta, por me vjedhjen e zgjedhjeve nuk ke për të zgjidhur asgjë.

    Njerëz që të njohin mirë po më thonë se edhe pas humbjes, ti do të mbetesh në politikë, do të qëndrosh në krye të PD-së. Por unë nuk e besoj se do të rrish. Nuk e di se ç’zgjidhje ke menduar, por nuk besoj se e sheh si opsion qëndrimin në krye të PD-së. Jo se s’mund të rrish. E kush do të të pengonte? Por ti nuk do rrish, ngaqë nuk është një gjë që të vlen. Përsëris: s’e kam idenë se çfarë do bësh, dhe unë vetë, sikur të të kisha mik, s’do isha në gjendje të të jepja ndonjë këshillë. Por ky është problemi yt. Se ç’do ndodhë me ty pas ikjes nuk është problemi ynë. Problemi ynë do të mbetet kjo Shqipëri që ti na lë trashëgim, kjo Shqipëri që ka fytyrën dhe frymën tënde në çdo qoshe, kjo Shqipëri e përçarë në të gjitha pikëpamjet. Problemi ynë është dhe klasa politike që do vijë pas teje, e që do të marrë në dorë fatet e kësaj Shqipërie. Por le t’i marrim gjërat me radhë e me sërë. Të mbyllim hesapet me ty njëherë. Për të tjerat kemi kohë.

    Shqip

  • “Ka shumë njerëz kureshtarë për listat. Unë jam një nga ata. Dua të marr vesh, nëse do të jetë në listat e PS-së mbiemri ‘Kokëdhima’”, shkruaja dje në mesditë në twitter-in e respublica-s. Ishte momenti që të gjithë po thoshin se një Kokëdhima do të ish se s’bën pjesë e listës. Në fillim u fol për emrin e vajzës së biznesmenit të njohur më shumë për protagonizmin publik se sa për bëmat prej biznesmeni, u fol për Besën, një këngëtare e njohur dhe e suksesshme. Më pas u fol për të shoqen, Brixhidën, dhe vetëm në mbrëmje vonë morëm vesh me siguri se në fakt ish fjala për vetë Koço Kokëdhimën që, sipas Arben Malajt që sapo kish braktisur mbledhjen e kryesisë, ishte i dyti në listën e qarkut elektoral të Vlorës. Në fund ka përfunduar i treti, gjë që në thelb është e njëjta gjë, e nuk e modifikon lajmin e ditës: Koço Kokëdhima i është futur politikës.

    Ngjarja ka bërë bujë. Dhe kuptohet pse. Kokëdhima është një personazh që ndjell vëmendje; ndjell vëmendje n’daçi për shkak të lidhjeve të tij të forta e sezonale me të mëdhenjtë e politikës, e sidomos për lidhjen “e përjetshme” me Edi Ramën (për këtë do të flas pak më poshtë), n’daçi për shkak të Shekullit, të cilën e ka shndërruar në fletushkë pa vlerën e qëmotshme, n’daçi për shkak të bëmave e ngrefosjes urbane në rolin e njeriut që tërheq shumë fije, në mos të gjitha fijet, e lodrave në këtë vend, e n’daçi për shkak të – kjo është bëma e fundit e tij – rolit ekskluziv që ai ka luajtur në realizimin e paktit PS-LSI. I gjithë teatri Rama-Meta është luajtur në shtëpinë e Koços, mbi zyrat e Shekullit, në Bllok.

    Por mbi të gjitha, Kokëdhima njihet për lidhjen e tij me Ramën. Është e hershme kjo lidhje. Dhe u ka rezistuar viteve, duke përgënjeshtruar në mënyrë paradoksale dhe imazhin e Ramës si njeri që miqtë i mban një copë herë, i përdor, e pastaj i flak. Ka ndodhur ndryshe me Kokëdhimën, veç me Kokëdhimën amá, me të cilin ka ndërtuar një lidhje simbiotike. Madje, ca e ca janë të sigurtë se Kokëdhima është ndërgjegja e tij e dytë, është alter egoja e tij, është Mr. Hyde/Dr. Jekyll që e dublon në rrethanat kur ai vetë është Dr. Jekyll/Mr. Hyde, është njeriu që e bën ta heqë maskën që mban. Të gjithë kemi maskë në këtë botë, dhe është vështirë të gjesh ndokënd, përballë të cilit të ndihemi aq në karar, sa ta heqim këtë maskë pa rrezikuar se mund të provokojmë tronditje e keqkuptime me fytyrën tonë të vërtetë; Rama e ka gjetur, me sa duket.

    Tani kthehemi tek ngarkesa e simbolika politike e ngjarjes “Kokëdhima”. Duhet thënë se, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, një denoncim i llojit etiko-moral i promovimit të Kokëdhimës në politikë në rrethanat, në të cilat jetojmë, nuk ka pikën e kuptimit. Pavarësisht nga imazhi, bëmat e legjendat urbane mbi botuesin e Shekullit, e pavarësisht nga nënkuptimet, me të cilat e vesha atë që thashë pak më sipër, Kokëdhima është si gjithë të tjerët që e përfaqësojnë mirë këtë sistem. Kështu që kandidimi i tij as nuk prish, as nuk ndreq ndonjë gjë në rendin e gjërave.

    Është tjetër analiza që duhet bërë; është tjetër dhe arsyeja pse ky kandidim të shock-on (mua, të paktën). Nuk ka lidhje me Kokëdhimën, s’ka gjë se mua më ka dhënë trishtim yxhymi i tij drejt politikës, e se do isha shumë i kënaqur sikur dikush të dilte tani e të më thosh se “e gjitha ishte një shaká”. Ka lidhje me Ramën, i cili me vendosmërinë për të kandiduar mikun e tij të ngushtë ka demonstruar se as që ka ndërmend të ndalet në projektin për të ndërtuar një parti socialiste të vetën, tërësisht të vetën. Dhe të miqve të tij. Prandaj është e kotë të mendosh, se Arben Malajn e Arben Isarajn i ka hequr nga lista, ngaqë këta të dy nuk kanë dashur apo nuk kanë ditur të sintonizohen me linjën zyrtare të Partisë, aq më pak ngaqë këta të dy nuk mund ta përfaqësojnë projektin e Rilindjes (“Rilindjen e leshit”, do thosh Topalli, e ky do ish i vetmi rast që do bija dakord me të). Jo, thjesht Malaj e Isaraj nuk janë miqtë e Ramës. Dhe të kuptohemi, Partia e miqve nuk më krijon bezdi thjesht për faktin që është e miqve. Jo, shoh  me shqetësim qëllimin, për të cilin kjo parti miqsh po ndërtohet. Rama po ndërton partinë, të cilën nuk ka ndërmend ta lëshojë ndonjëherë. Ai po ndërton partinë që do të zgjedhë e do të mbajë në krye të partisë atë vetë, në çdo rast.

    Përthyerja tjetër e kësaj ngjarjeje është e natyrës praktike. Unë ende vijoj të besoj (apo jam naiv?) se vendit do t’i bëhej mirë, nëse Sali Berishës i thuhet ‘jo’ me votë këtë herë, e rrjedhimisht hiqet qafe e çohet në shtëpi njëherë e mirë. Ky besim i imi nuk ka lidhje me ata që vinë pas. Thjesht kam besuar (sërish pyes: jam naiv?) se largimi i Berishës është një ngjarje që ka vlerë në vetvete.

    Por Edi Rama e ka komprometuar e komplikuar edhe këtë objektiv. Bëri aleancën me Metën në funksion të aritmetikës elektorale (kështu tha), dhe më pas ka bërë një numër gjestesh e ka marrë një numër vendimesh që e çbëjnë në një masë të madhe avantazhin elektoral të kësaj aleance. Ka për të humbur disa mijra vota në Vlorë (prej Malajt), disa mijra në Durrës (prej Dukës), disa mijra në Fier (prej Priftit), disa mijra në Shqipëri (prej AK-së). Me ç’është marrë vesh, nuk mund t’i vihet faj për aleancën e munguar me AK-në, as mund t’i kërkohet hesap që i dha munxët Dritan Priftit (Meta e Prifti nuk mund të rrinin bashkë, e prandaj ai, me logjikën e aritmetikës elektorale, ka zgjedhur me të drejtë Metën). Por pyetjet që bëhen janë (gjithnjë me logjikën e aritmetikës elektorale, e në daçi, edhe me logjikën e projektit të tij politik për të marrë totalisht nën kontroll partinë socialiste): Ç’dreqin pate me Arben Malajn? Po me Agron Dukën? Vetëm këta dy emra, që praktikisht janë rezervuarë votash, do ta bënin pis Rilindjen tënde “të qelibartë”? Me sa duket, Rama ka talentin e rrallë për t’i dalë kundër edhe tahmasë së vet e për t’u mbytur aty ku të tjerët llokoçiten. Është mjeshtër për të bërë hara-kiri.

    Dhe një pyetje e fundit: Vërtet mendon Rama, se do t’ia dalë, dhe se ka kuptim, të rrijë në krye të partisë socialiste, nëse këto zgjedhje i humb, siç ka humbur të tjerat? Qoftë ai që është!

    Shqip

  • Ç’do të ndodhë më 23 qershor e më pas? Do të mbahen zgjedhje normale? Do të vlerësohen si normale nga institucionet vëzhguese ndërkombëtare? Do të kontestohen nga pala humbëse (në këtë rast bëhet fjalë për opozitën; nuk pritet që të kontestojë Berisha; edhe kjo do na duhej; do ishte surreale në një kohë që i ka të gjitha në dorë)? Po vetë Berisha deri në ç’pikë është i gatshëm të shkojë? E ka në kokë idenë për t’i fituar zgjedhjet me çdo çmim, apo vetëm e thjesht me një çmim të caktuar? Cili është ky “çmim i caktuar”? Kush e përcakton këtë “çmim të caktuar”, etja e Berishës për pushtet, apo ndonjë mik ndërkombëtar i tij, që mund t’i gjendet pranë?

    Po mbetem te ky nënvizim i fundit, pasi është me shumë rëndësi dhe bën vaki që të përcaktojë llojin e procesit zgjedhor që do kemi. Berisha ka harxhuar gjatë tetë viteve të fundit plot energji, kohë e pará për të rekrutuar miq të huaj me peshë. Një pjesë e këtyre të fundit janë lodhur prej Berishës, pasi nuk e kanë parashikuar në momentin e lidhjes së paktit (se ç’pakt është tamam-tamam një dreq e di), se ky i fundit do t’u kërkonte shumë më tepër sesa ata e kishin menduar. Doris Pack ndihet e lodhur. Me sjelljen ndaj KQZ-së, Berisha nuk i la asnjë mundësi për ta marrë në mbrojtje, dhe prandaj, ajo “guxoi” e tha se “këtë herë Berisha e ka gabim”. Eduard Kukan ka kohë që ndihet i lodhur. Austriaku Wolfgang Grossruck, zv.president i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Wilfried Martens, belg, President i Internacionales së Partive Popullore Europiane, janë ende të palodhur, por nuk është se kanë në dorë shumë në një kohë që Berisha mund të ketë planifikuar, për shkak të nevojës që ka, ta bëjë baltë fare. Nëse ndodh kjo e fundit, nëse Berisha pra e bën baltë fare, veç një mik i madh, shumë i madh, mund ta ndihmojë. Dhe dihet që miqtë e mëdhenj për halle të tilla gjenden atje, në vendin e largët, dhe të madh, në SHBA.

    E ka Berisha një mik të tillë? Po, e ka. Ky miq quhet Tony Podesta, më saktë Podesta Group, kompania e famshme amerikane e lobimit, me të cilën Kryeministri ynë ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi, ku thuhet se – po e them me fjalët e mia pa ia ndryshuar asnjë çikë thelbin – “Berisha u jep atyre mbi një milion dollarë, dhe ata marrin përsipër të bëjnë çmos për të mbrojtur interesat e qeverisë shqiptare, dhe të kombit shqiptar”. Në rrugë e sipër kjo kontratë ka marrë një formë tjetër: Podesta Group ka marrë përsipër t’i ndodhet pranë Berishës në paudhësitë që ky bën. Publikimi në shtypin tonë të para disa javëve i e-mail-eve që një zyrtar i kësaj kompanie, John Anderson, u dërgonte mediave ndërkombëtare e demonstronte sjelljen e paskrupullt të kësaj kompanie; demonstronte në terma fare konkretë se ata janë të vendosur ta ndihmojnë Berishën. Paratë që kanë marrë nga Berisha (në fakt, janë tout court të taksapaguesve shqiptarë) janë një detyrim për ata.

    Për kompaninë “Podesta Group” është folur në shtypin shqiptar. Nuk është thënë gjithçka, megjithatë. Fjala vjen, nuk i është mëshuar sa e si duhet peshës që kjo kompani lobimi ka në SHBA, lidhjeve që ka me qendra vendimmarrëse shumë të rëndësishme, sidozot me Partinë Demokratike, madje dhe me Barack Obama-n, Presidentin e sotëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është ndonjë gjë e çuditshme. Kompanitë e lobimit bëjnë pjesë në fermentin e demokracisë e të sistemit qeverisës në SHBA. Ndikimi i tyre në jetën politike dhe në vendimmarrje është jashtëzakonisht i madh. Neve të këtej Atlantikut mund të na duket absurde, por ja që amerikanët kanë arsyet e tyre që t’ua njohin legjitimitetin këtyre “agjentëve”, që herë pas here – kjo është e dukshme – e bëjnë pis dhe e korruptojnë procesin e vendimmarrjes atje.

    Berisha shpreson shumë te ndihma e Podesta-ve këtë herë. Nuk është se nuk e kanë ndihmuar deri më sot. Përkundrazi, i janë ndodhur në momente shumë të vështira, siç ka qenë ai i 21 janarit, kur ai vrau katër qytetarë në bulevardin e Tiranës, dhe ai zgjedhjeve lokale, kur ai vodhi ditën me diell në mënyrë procedurale postin e kryebashkiakut të Tiranës. Nuk ka prova që vërtetojnë e dokumentojnë ndonjë presion mbi Arvizu-në nga Washingtoni, por janë të gjitha gjasat që një presion i tillë të ketë ndodhur. Arvizu-ja ka dhënë shenja se e di mirë kush është Berisha, përse ai është në politikë, përse ai don të rrijë akoma aty, dhe këto shenja i ka dhënë përpara se të bëheshin zgjedhjet lokale. Ndërsa sot mund të thuhet pa frikë se ai është një njohës i mirë i Berishës, e se ai është zhgënjyer keqas prej tij. Dhe në këtë moment ai ndodhet si në një sandwich; nga njëra anë ka presionin e Washington-it (jo të të gjithë Washington-it, kuptohet; të disa qarqeve atje), dhe nga ana tjetër ka ndërgjegjen e vet, e ndoshta edhe një simpati e empati për këtë vend të vogël, të dobët e të mjerë, në të cilin ai ka ardhur për t’i shërbyer vendit të vet të madh. Nëse në ndonjë rast ka dalë hapur kundër Berishës, siç ishte momenti kur foli kundër vendimit të mazhorancës për të ndërhyrë në KQZ (ka qenë ndërgjegjja e vet, jo DASH-i, që e ka urdhëruar), por në ndonjë rast tjetër ka marrë rolin e amerikanit sehirxhí (janë skrupujt prej diplomati, dhe miqtë e Berishës, që i ushtrojnë presion). Ja, momentalisht të jep përshtypjen se është i dobët, i pafuqishëm, se do donte ta thosh të vetën, por nuk ka lirinë e duhur, se do donte të ndërhynte, por nuk ka asnjë mundësi. Në Washington janë më të fortë se sa ai.

    Dobësia e ambasadorit amerikan është e frikshme, është një arsye pse duhet të kemi frikë se zgjedhjet ose do të vidhen, ose do të prishen. Dhe nëse është kështu, ky është një lajm i keq. Shumë i keq. Më i keqi.

    Shqip

  • Dje lexova dy komente mbi listat e mbyllura, rrjedhimisht mbi ligjin elektoral tonin, që e inkurajon dhe e bën një praktikë të detyrueshme këtë punën e listave të mbyllura. Ishte një koment i Preç Zogajt, i bërë brenda një interviste që ai kish dhënë për “Mapon”, dhe një koment tjetër, gjithashtu në “Mapo”, i Henri Çilit. Zogaj i jepte munxët sistemit elektoral të ndërtuar nga një marrëveshje mes Berishës e Ramës para zgjedhjeve të vitit 2009 dhe ai nuk është i pari që e bën këtë, gjë që do të thotë se ky sistem proporcional rajonal ua ka sjellë të gjithëve, në mos të shumtëve, në majë të hundës. “Unë nuk e dua këtë sistem; është armiku im politik; dhe duhet të jetë armiku politik i të gjithë njerëzve të lirë që vlerësojnë vlerat e individit në politikë”, thosh Zogaj. Dhe kuptohet që është ndalur në këtë mes në njërin nga papërsosmëritë e këtij sistemi.

    Çili bënte një listë dukurish që i pjell natyra perverse (“perverse” ish termi i tij) e këtij ligji, dhe në këtë listë kish dhe ndonjë dukuri të paqortueshme, siç është “mundësia që jep ky sistem elektoral për të thithur në mënyrë më komode se sa sistemi mazhoritar individë nga shoqëria jashtë politikës”. E më poshtë fliste dhe për dukuri të rrezikshme.

    Përsëris: këtij ligji që kemi i janë bërë kritika në çdo kohë e nga çdo drejtim. Unë personalisht, përpara se të miratohej në Parlament, kam shprehur simpatinë time për këtë ligj “spanjoll”, në mos për tjetër, të paktën për faktin që ky ligj do bënte të mundur t’na hiqej sysh ajo harta elektorale që njollosej blu sipër, në Veri, e njollosej rozë poshtë, në Jug, duke krijuar kështu imazhin e një demokracie tribale dhe të një ndarjeje të thellë veri-jug. Ligji i ri pra rindërtonte një hartë elektorale me plot njolla rozë sipër e me plot njolla blu poshtë.

    Një vlerësim aposteriori i këtij ligji më ka bindur, sidoqoftë, për do papërsosmëri të sikletshme, ndoshta dramatike, që bart ky ligj. Por kujdes! Nuk ka ligj elektoral të përsosur. Të paktën, shkenca politike e derisotme, që padyshim njeh rëndësinë dhe fuqinë që ka ligji elektoral, çdo ligj elektoral, për të diktuar, kondicionuar e modeluar llojin e demokracisë, të sistemit të qeverisjes dhe të jetës politike në përgjithësi, nuk ka dalë asnjëherë me pretendimin se është zbuluar më në fund një ligj elektoral i përsosur. Me fjalë të tjera, të gjitha ligjet elektorale që ekzistojnë në botën e sotme demokratike bartin cene të tyret, dhe ligjvënësit, kur u duhet të miratojnë një ligj të tillë, nuk është se vihen në pozitën për të zgjedhur midis një ligji të keq e një ligji të mirë. Jo, ata vihen në pozitën për të zgjedhur midis një ligji, papërsosmëritë e të cilit mund ta bëjnë lesh e li situatën politike dhe mund ta bëjnë jo eficiente demokracinë e sistemin e qeverisjes, dhe midis një ligji tjetër, papërsosmëritë e të cilit provokojnë trauma më të vogla.

    Duke u kthyer tek ligji ynë elektoral, duhet thënë se këtij po i mveshin ca pasoja, që në të vërtetë nuk vijnë prej tij. Po, ky ligj ka probleme, dhe nuk është keq të ndryshohet, por jo çdo problem që ne pikasim në kontekstin elektoral apo në sistemin tonë të qeverisjes duhet lidhur domosdoshmërisht me ligjin. Marrim, fjala vjen, çështjen e fuqisë që kanë kryetarët për të bërë listat e deputetëve si t’ua ketë ënda. Është ligji që kemi që na e ka bërë peshqesh këtë hall? Nuk besoj. Të paktën, nuk është thjesht e vetëm ligji. Kryetarët e dy partive tona të mëdha e kanë pasur këtë fuqi edhe kur ligji elektoral ka qenë tjetër, dhe kjo do të thotë se kjo fuqi, ky pushtet i tyre, përpara se t’u vijë prej një ligji elektoral, u vjen prej një kulture politike të vetë partive politike, e cila (kjo kulturë) inkurajon fuqizimin e numrave një të partive, dhe legjitimon çdo prapësi e çdo tekë të tyre. Shikoni se si funksionojnë partitë jashtë një konteksti elektoral. Ato kanë një kryetar absolut, dhe termin “absolut” jeni të lutur të mos e merrni si një teprim stilistik. Janë kryetarë me një autoritet njimend absolut, gjë që do të thotë se secili anëtar është në garë për t’iu qurravitur sa më shumë, për t’i fituar zemrën, për t’u futur në rrethin e ngushtë të tij. Kjo ndodh, ngaqë deputetët apo aspirantët për deputetë jetojnë gjatë gjithë kohës me frikën se mund të mos bëjnë pjesë tek lista e kanakarëve të kryetarit në momentin e ardhshëm elektoral? Një lloj roli mund ta luajë edhe ky fakt, por është e sigurt se rolin më të madh e luan natyra aspak demokratike e partive. Dhe nuk është, sipas meje, udhëheqësi që u imponon të tjerëve diktatin e tij, autoritetin e tij, funksionimin jo demokratik të partisë. Jo, janë të tjerët që kanë nevojë për një kapo; është kultura jonë politike që na bën neve të shprehim nevojën e dëshirën për (apo të inkurajojmë) fuqizimin e kapove, e që na bën ta shohim kërkesën për demokraci në parti si një kërkesë që të çon në shthurje, në kaos e në shpërbërjen e vetë partisë.

    Ja, po pyes: Ligji i pengon socialistët ta thonë të tyren, teksa shohin që listat po bëhen me frymëzime ezoterike? Ok, ligji pengoka ca syresh që e kanë shumë merak karrierën e tyre politike, e që për këtë arsye nuk donin ta prishnin me leader-in apo leadership-in, por nuk ka pse të pengojë mijëra të tjerë që nuk kanë interesa të ngushta karriere e afirmimi publik. Sipas meje, i pengon mënyra se si ata e shohin partinë, mënyra se si ata e kuptojnë luajalitetin politik, mënyra se si ata e shohin udhëheqësin e tyre.

    PD-ja është një ilustruese më e saktë e dukurisë. Në PS ka një numër rebelimesh, të paktën nga ana e atyre që janë ndeshur me shpërfilljen e kryetarit të tyre (të fundit janë Islami, Kadeli, Dogjani); kjo s’do të thotë ndonjë gjë në terma parimorë (përkundrazi), por do të thotë diçka në terma të lirisë individuale për t’u shprehur, për t’u zbrazur, për të zbrazur qoftë dhe në duf (është provë demokracie liria individuale për të zbrazur një duf), gjë që në PD nuk ekziston as në rrethanat kur kryetari i injoron, i nxjerr nga listat dhe nuk i mban në rrethin e të besuarve. 23 deputetë të PD-së nuk do të jenë kandidatë këtë herë (e thosh “Shekulli” i djeshëm), por askush prej tyre nuk është rebeluar; e nuk ka gjasa që të rebelohet. Është kjo shenjë e faktit që ata janë të ndërgjegjshëm se nuk e meritojnë këtë herë? Jo, kjo është shenjë e faktit se për ta, kapoja është kapo në çdo rrethanë, është kapo edhe në rrethanat kur ua dëmton qartazi interesat e tyre të prekshme dhe ambicien e tyre për karrierë.

    Përfundimi është që është e kotë ta kërkojmë fajin tek ligjet që kemi, qoftë dhe tek ligji elektoral që ka atë rëndësi që ka. Të bësh me faj ligjin elektoral për dukurinë e mësipërme, është njësoj si të bësh me faj të njëjtin ligj për faktin që votat manipulohen, votat vidhen, rezultati trukohet e zgjedhjet kontestohen e prishen. Të gjithë ne e dimë se nuk është ligji që prodhon zgjedhje të këqija. Është vullneti politik. Me fjalë të tjera – dhe këtu kthehem tek diskutimi i mëparshëm – është kultura politike që kemi. SHQIP

  • Na mungonte versioni artistik i persekutorit të djeshëm (në mos, i atij që ish bërë njësh me regjimin komunist), që pas përmbysjes së madhe të vitit 1990, jo vetëm nuk ka demonstruar se vuan prej ndonjë brerje ndërgjegjeje, por s’e ka pasur për gjë të shesë dëngla lidhur me gjoja qëndrime të tijat kundër diktaturës, apo me gjoja vuajtje të tijat për shkak të diktaturës. Në jetë e kemi hasur sa të duash këtë “personazh”. E kemi hasur, dhe e hasim edhe sot e kësaj dite, më së shumti gjatë kontakteve tona të përditshme, por na është shfaqur edhe si personazh publik në Parlament, në qeveri, në administratën publike, nëpër studio televizive, nëpër faqe gazetash, shkurt, në të gjitha format e shfaqjes publike.

    Na mungonte versioni fictional, por nuk na mungon më. Na e solli Pëllumb Kulla si personazh të dramës së vet “Shshsht, ule zërin!”, që sapo është vënë në skenë, fillimisht në Fier, e këtë fundjavë në Tiranë, nën regjinë e Leka Bungos, që kish kohë që nuk bëhej i gjallë këtyre anëve (edhe Kulla, edhe Bungo, jetojnë në SHBA). Na e solli me personazhin e një drejtori burgu, të cilit “në kohën e demokracisë”, ashtu si mijëra e mijëra të tjerëve si ai, i vajtën po njësoj punët mbroth.

    Nuk është se “është lodhur” që t’i venë punët mbroth. Është djali i tij që iu ngjit lëvizjes antikomuniste, që u bë militant i partisë që erdhi në pushtet pas rënies së diktaturës, e që u shpërblye me postin e zv.ambasadorit shqiptar në një vend të Perëndimit, ku tok me të përfundoi dhe i ati, ish-drejtori mizor i burgut të “Shkozës”, personazhi “ynë” pra, të cilin Kulla e zhvillon dhe e zbulon me të gjitha aftësitë e hatashme mimetike pikërisht aty, në Ambasadë, ku janë bërë bashkë si në një rrethanë të improvizuar eksperimentale për qëllime studimore komunistë e antikomunistë, të persekutuar e persekutorë, akademikë e militantë partie, diplomatë të vjetër e diplomatë rishtarë. Të gjithë këta vijnë vërdallë brenda një godine; aty – kush ka qenë në një ambasadë, e di mirë se është tamam kështu – kanë apartamentet, aty flenë e hanë, aty punojnë, aty presin e përcjellin, aty bien në dashuri, aty bëjnë dashuri, aty përflasin e përgjojnë sho-shoqin, aty bëjnë punët e liga e i vënë stërkëmbësha sho-shoqit, aty bëjnë aferat e pista korruptive, ata flasin ligësishten, “gjuhën që është mirë ta dish, jo për ta folur, por për t’i kuptuar ata që e flasin”.

    E pashë parmbrëmë këtë shfaqje, dhe në mendje më mbeti ky personazh, që luhet nga Robert Ndrenika; më mbeti në mendje pikërisht për natyrën përfaqësuese e tipizuese që ka. Na e kanë sjellë në majë të hundës këta njerëz me sjelljen e tyre, e shpesh me protagonizmin e tyre në jetën publike. Kulla ka zgjedhur në këtë rast personazhin e një drejtori burgu komunist, dhe me këtë zgjedhje ka dashur ta bëjë më të fortë e më goditës efektin dramaturgjik, por fare mirë mund të kish zgjedhur për të krijuar të njëjtin personazh një ish-aparatçik partie, një ish-komisar ushtrie, një ish-gazetar të Zërit të Popullit a të Bashkimit, një funksionar të lartë të organizatave shoqërore të atyre kohëve, një studiues të historisë, etj. Dukuria është aq kapilare sa s’ka lënë pa prekur asnjë kategori të nomenklaturës komuniste, shumë pjesëtarë të së cilës s’e kanë për gjë të qëmtojnë – janë alkimistë të shkëlqyer, s’ke ç’u thua! – vuajtjen humane tek zelli i tyre i shërbimit. Madje, pikërisht zellin, me të cilin i kanë shërbyer “me pahir” regjimit komunist, e shohin si një borxh që ua ka shoqëria që i ka shtyrë ta bëjnë atë gjë, apo që s’i ka kuptuar se me ç’vuajtje i kanë bërë këto shërbime (Kulla është marrë me këtë argument edhe në shkrimet e tij të natyrës publicistike).

    Unë u ndala tek ky personazh, por drama “Shshsht, ule zërin!” është, në fakt, më shumë se sa kaq. Ajo përcjell mesazhin se “Ancien Régime” na mban të gjithëve si pengje të vetat. Ne jemi si në kurth. Bëjmë të dalim, e s’dalim dot. Edhe kur qëllon që dalim nga gracka e regjimit të vjetër, ne mbetemi në grackën e ethosit shqiptar, që e bën të kollajtë ngritjen e regjimeve shtypëse e të korruptuara e që dallohet edhe për këtë gatishmërinë tonë për t’i shërbyer, në këmbim të ca favoreve që na garantojnë mbijetesën, apo jetën në luks, regjimeve që i zënë vendin njëri-tjetrit.

    Drama është e natyrës satirike dhe unë e kam të lehtë të përfytyroj Pëllumb Kullën, ngaqë e njoh mirë, teksa është torturuar jo pak në përpjekjen për t’i peshuar mirë situatat, personazhet, tërë fabulën, së pari për ta shpërndarë denoncimin e satirën në të dy “palët”, që në njëfarë kuptimi janë e njëjta palë, apo së dyti për të lënë njësoj të kënaqur, apo njësoj kokëmënjanë, edhe nostalgjikët e regjimit të vjetër, edhe dashnorët e regjimit të ri, që shpesh – përsëris – janë të njëjtët; teksa është torturuar pra me synimin për t’mos u dhënë motiv gardianëve të sotëm të “moralit publik”, të cilët ta fusin në filtër çdo qëndrim dhe të vërsulen me tërsëllëm sa herë që binden se autori ua ka me hile atyre. Dhe në fakt, satira bie sa mbi komunizmin, aq edhe mbi regjimin politik që ka pasuar komunizmin. Spektatori ndjek dramën dhe provon fare pa të keq edhe empathi për një ish-sigurims, edhe simpati për një ish të burgosur, që ka ende shenjat e prangave në duart e tij, edhe neveri për ata që hanë, e komandojnë, në të dy kohët (ish-drejtori i burgut të Shkozës i përfaqëson më së miri të gjithë këta).

    Ka edhe më. Kur po dilja pas shfaqjes, Mevlan Shanaj më bëri një vëzhgim që unë vetë sapo ia kish bërë dikujt tjetër: Kjo dramë, me përshkrimin e saktë të një ambasade shqiptare në Perëndim, më bëri të provoja një déjà vu. Në fakt, Mevlani ka qenë diplomat në po atë periudhë, në të cilën zhvillohen ngjarjet e dramës. Unë po ashtu, si dhe vetë Pëllumb Kulla, gjë që e ka ndihmuar shumë këtë të fundit të bëjë atë fotografi të pamëshirshme të punëve të një ambasade.

    Duket sikur me këtë dramë, Kulla ndolli dhe atë ngjarjen në Vjenë, ku mbetën të përfshirë dhe diplomatë shqiptarë, të cilët – ky është mendimi im; nuk di nëse është i Kullës – nuk u lënë gjë mangët diplomatëve të dramës me titull “Shshsht, ule zërin!”

    Shqip

  • Në “sherrin” mes Egin Cekës e Edi Ramës ka ndërhyrë dhe Neritani, i ati i Eginit, diplomat dhe ai. Ka ndërhyrë me një letër të hapur që ia ka dërguar Edi Ramës. E nënshkruan si letrën e një qytetari shqiptar në Romë, por duket se është letra e një babai. Si baba ka shumë të drejtë të shqetësohet, madje shumë, ngaqë djalin ia kanë fyer, por si qytetar do duhej të ish bërë i gjallë më përpara e për shumë gjëra të tjera më të rënda se sa kapja prej veshi e të birit nga dikush tjetër.

    Dhe këtë po ia thotë dikush që sjelljen e Ramës (kapjen e veshit të Eginit, por edhe të kujtdo tjetër në këtë botë) e konsideron lënduese, vulgare e harbute. Askush nuk mund të sillet në këtë mënyrë. Në të vetmen pikë ku bie dakord me Cekën është kërkesa bërë Ramës për të kërkuar ndjesë për këtë gjest. Rama duhej të kish kërkuar ndjesë; ai nuk ka asnjë të drejtë në këtë botë të trajtojë me një përbuzje të tillë, dhe të prekë me dorë, dikë tjetër (të prekë me dorë jo në versionin “eskatologjik” të Berishës, amá).

    Pjesa tjetër e letrës është e gabuar, tërësisht e gabuar, një melodramë banale. Në këtë vend – përsëris – kanë ndodhur gjëra më të rënda se sa kjo gjë, dhe as Ceka senior, as Ceka junior s’e kanë ngritur zërin (vijojnë të ngrefosen ende me heroizmat putativë të njëmijë viteve më parë, gjatë Lëvizjes antikomuniste, gjithashtu putative). Kështu që një show e një protagonizëm i këtij lloji nuk u ka hiç hije. Ashtu siç nuk i ka hije sjellja e vet të parit të socialistëve, që po kërkon të bëhet i pari i vendit.

    Për ata që duan ta lexojnë letrën të plotë, le të shkojnë në linkun http://gazetadita.al/incidenti-i-vjenes-neritan-ceka-leter-edi-rames-duhet-te-me-kerkosh-falje/.

     

    M. Nano

  • “Demokraci do të thotë të zbatosh ligjin”, dëgjohet të thuhet vazhdimisht nga njerëz të ndryshëm. Këtë e kish thënë pak a shumë edhe Ben Blushi në një shkrim të vetin të publikuar në “Panoramën” e djeshme. Në shkrim, në të cilin veçohej marrëdhënia që shqiptarët kanë me ligjin si tipari idiosinkratik që na dallon nga Europa në këto kohët moderne, bëhej një shpjegim i hollësishëm, dhe kronologjik, i mundimit të shqiptarëve për t’u bërë europianë dhe i zorit që po heqim për t’u pranuar në BE, por në një moment, dhe Blushit i shpëtonte fraza e mësipërme. Duke bërë dallimin midis pluralizmit dhe demokracisë, Blushi thotë: “Pluralizëm don të thotë shumë parti, gjë që ne e kemi, madje me bollëk; ndërsa demokraci don të thotë që të gjitha partitë të zbatojnë ligjin, gjë që nuk ka ndodhur”.

    Përkufizimet e mësipërme mbi pluralizmin e demokracinë janë të thjeshtëzuara, por nuk është këtu çështja (ndoshta Blushi i ka përkufizuar qëllimisht kështu). Çështja është se ai gabon te  përkufizimi i demokracisë. Të kuptohemi, merret vesh shumë mirë ajo që ka dashur të thotë, d.m.th që partitë, ashtu si edhe ne shqiptarët në tërësi, në ndryshim nga Europa e europianët, kemi një marrëdhënie problematike me ligjin, por përkufizimin e demokracisë e nxjerr nga xhepi. Për ndokënd mund të mos ketë rëndësi një ngatërresë e tillë konceptuale, pasi mesazhi i përcjellë është i qartë si drita e diellit, por duhet thënë se konceptet janë të rëndësishme, janë pjesë e kodit tonë të komunikimit; e na e vështirësojnë këtë komunikim kur një term a një koncept ndryshe e shohim ne, e ndryshe e shohin ca të tjerë, me të cilët jemi duke dhënë e duke marrë. Prandaj është mirë t’i saktësojmë (në fakt, t’i mësojmë ashtu si duhet) ca terma.

    Demokracia nuk ka lidhje me ligjin. Demokraci do të thotë, në terma të thjeshtëzuar gjithashtu, garë idesh, vizionesh, interesash, programesh etj., në të cilën (garën) bartëset e përfaqësueset e këtyre ideve apo interesave, shkurt partitë, synojnë të marrin miratimin e shumicës së zgjedhësve, gjë që u jep të drejtën dhe legjitimitetin për të marrë më pas në dorë drejtimin e vendit. Në këtë kuptim, demokraci don të thotë dhe liri shprehjeje, liri shtypi, liri ndërgjegjeje, liri besimi, liri organizimi politik, e në këtë kuptim, pluralizmi është një ‘nënartikull’ i demokracisë.

    Në një numër rastesh mund të lihet e nënkuptuar edhe marrëdhënia me ligjin sa herë që flitet për demokracinë, por në këto raste i bihet për shkurt, e koncepti “demokraci” përdoret në vend të konceptit “demokraci liberale”. Përcaktori “liberale” ka lindur si një përpjekje për të ndërtuar një koncept më të gjerë që të përfshijë si demokracinë, ashtu dhe sundimin e ligjit. “Rule of law”, thuhet në anglisht, dhe kjo nënkupton më së pari e më shumti që çdo qytetar, nga më i përunjuri e deri te më i pushtetshmi, të përgjigjen njësoj para ligjit.

    Fillimisht ka lindur liberalizmi (prej nga vjen përcaktori ‘liberale”), d.m.th ideologjia që kish në themel të vet ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit, parimin se përballë këtij të fundit, d.m.th ligjit, janë të barabartë që të gjithë etj. Sipas Giovanni Sartorit, liberalizmi ka ekzistuar qysh përpara se të pagëzohej me emrin liberalizëm, praktikat liberale kanë ekzistuar shumë më përpara se ato të merrnin emrin praktika liberale. Magna Carta, e lindur në fillim të shekullit XIII, e që synonte të kufizonte pushtetin e mbretit të Anglisë e të sanksiononte disa të drejta të baronëve feudalë, ishte në thelb një dokument liberal, s’ka gjë se termi liberal me ngarkesën semantike të sotme është një shpikje e vonë, e shekullit XIX. ‘Habeas Corpus’ është gjithashtu një praktikë në thelb liberale, pasi njeh dhe mbron të drejtën e qytetarëve për t’mos u mbajtur në burg në kundërshtim me ligjin. E kështu me radhë.

    Në fillim pra ka lindur liberalizmi, e më pas ka lindur demokracia, d.m.th partitë, gara mes partive, votimi i lirë, qeveritë që vijnë nga vota e shumicës, liria e shprehjes etj. E kështu është krijuar sistemi i qeverisjes që thirret me emrin demokraci liberale, i cili nënkupton edhe demokracinë, edhe shtetin ligjor.

    Vijmë tani në rastin shqiptar. Blushi ndalet te konceptet pluralizëm e demokraci, duke krijuar si pa dashje idenë e një lidhjeje komplementare, në mos dikotomike, mes të dyjave. Mirëpo, s’duket se është kështu. Pluralizmi është pjesë e demokracisë. Kjo e dyta e ka brenda të parin. Nëse kemi thënë demokraci, kemi thënë dhe pluralizëm. Prandaj, analiza e rastit shqiptar mund të bëhet mbi bazën e dy koncepteve të tjera, demokracisë e shtetit ligjor. Ose, nëse duam të operojmë me vetëm një koncept, mbi bazën e demokracisë liberale.

    Por është më mirë t’i marrim të ndara. Lind pyetja: Mund të thuhet që në Shqipëri ka demokraci? Pjesërisht, po. Te ne ka parti (ta lëmë mënjanë faktin që nuk janë parti në kuptimin korrekt të termit, d.m.th që janë grupe me frymëzime më shumë tribale sesa ideologjike), ka liri fjale e shtypi, ka liri organizimi politik, ka ballafaqim publik mes palëve politike etj. Nuk po ia dalim ende të organizojmë zgjedhje normale, nëpërmjet të cilave t’i njihet e drejta një shumice qytetarësh për të rrëzuar një qeveri e për t’ia dhënë të drejtën e drejtimit të vendit një qeverie tjetër, por në një farë mënyre e në një farë mase kemi bërë zgjedhje. Është e vërtetë, që shumicës në një numër rastesh i është mohuar e drejta të përcaktojë me votën e vet drejtimin e qeverisë qendrore, por në raste të tjera, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal, ka qenë shumica që ka vendosur. Shkurt, duke injoruar ndonjë rezervë të arsyeshme, s’ka gjë se të rëndësishme, mund të thuhet se ne jemi një rend demokratik.

    Por kjo nuk është ndonjë arritje e madhe. Edhe Venezuela e Chavezit ishte një vend demokratik për aq sa ishte. Egjipti i Mubarakut e Rusia e Putinit, gjithashtu. E me këtë logjikë, ne shqiptarët, edhe sikur t’ia dalim të mbajmë zgjedhje normale, prapë se prapë nuk do të na hyjë në sy si arritje. Pse? Sepse ne nuk jemi një shtet ligjor, një shtet i së drejtës, një shtet konstitucional (s’ka gjë se kemi Kushtetutë). Te ne dhunohet në vijimësi parimi i barazisë së shtetasve para ligjit, parimi tjetër i ndarjes së pushteteve (parimi check&balance, e quajnë amerikanët), dhe në përgjithësi ligji është gjëja e fundit që merret këtejpari në konsideratë, dhe në këtë pikë personalisht e nënshkruaj me të dyja duart nënvizimin e Blushit. Ky i fundit thjesht gabon, kur bën lidhjen mes koncepteve demokraci e ligj. Që për mua, përsëris, janë dy koncepte të ndara.

    Shqip

  • Në pasditen e pardjeshme u mblodhën disa dhjetëra socialistë përpara pallatit ku banon Kastriot Islami, dhe zunë të protestonin kundër deputetit që është zgjedhur me votat e tyre katër vjet më parë e që e ka bashkuar votën e tij me mazhorancën në momentin kur u bë votëbesimi i qeverisë, e sidomos në momentin kur Berisha bëri, siç e quante ish-ambasadori John Withers në një intervistë për “Shqipin” e djeshëm, një grusht shteti administrativ. Protesta e atyre dhjetëra vetëve ishte thjesht bartje në rrugë e zemërimit të deputetëve socialistë në momentin e votimit për shkarkimin e Ilirjan Muhos nga posti i anëtarit të KQZ-së.

    “Një reagim spontan” i quante te “Panorama” Gazmir Bizhga tonet e veta hakërruese në adresë të Islamit. E nuk ka pse ta vëmë në dyshim spontanitetin e reagimit të tij, apo edhe e të tjerëve tok me të. Ishte një situatë e tensionuar, ku reagime të tilla janë të pritshme. Sidomos në Parlamentin shqiptar, ku herë të tjera kanë ndodhur gjëra shumë më të rënda. Por ishte një reagim i gabuar, megjithatë. Bizhga këmbëngulte në intervistën që i kish dhënë “Panoramës” së djeshme, se “nuk kam pse pendohem, pasi jam sjellë ashtu siç do të sillej çdo koleg tjetër që ka qenë në opozitë këto tetë vite”.

    Të kuptohemi, nuk është se në Parlament ka ndodhur ndonjë hatá, e në këtë kuptim nuk ka nevojë të dramatizohet më shumë sesa duhet, por turma që bërtiste poshtë shtëpisë së Islamit “poshtë tradhtari”, “Kaçi i zi” etj., etj., është një precedent që duhej ndaluar; në mos, duhej qortuar e denoncuar në momentin që ndodhi. Presionet e turmave të militantëve partiakë e politikë te dera e shtëpisë janë një gjest i frikshëm. Secili bën mirë të projektojë veten e vet te personi i dhunuar në rrethana të tilla. Atë që ia bëjnë sot “me hak” Islamit mund t’ia bëjnë kujtdo tjetër “fare pa hak” në një rast tjetër. Turmat janë shumë tekanjoze sa herë u duhet të zgjedhin dikë për tabelë qitjeje.

    Kjo është e para. Por ka dhe një arsyetim tjetër. Politikanët shqiptarë, sidomos deputetët e këtij Parlamenti, janë të parët që duhet të provojnë njëlloj njëjtësimi empatik me “viktimën” Islami. Është gjëja më e kollajtë që në Shqipëri të mbledhësh disa dhjetëra vetë kundër secilit prej tyre, e po për të njëjtat motive që iu vërsulën Islamit. Islami nuk është një rast sui generis në politikë, nuk është një “shpikje politike” e këtyre ditëve. Islami është prototipi i politikanit shqiptar të dy dekadave të fundit, d.m.th. i arrivistit të paskrupullt, i njeriut të pa dinjitet, pa ideal, i njeriut që çfarë nuk do të jepte për të mbajtur atë karrige që ka. Janë të shumtë pra deputetët si Islami. Ajo që bëri Islami në Kuvend është një gjest i shëmtuar, por është hera për t’iu drejtuar deputetëve socialistë me frazën që Dhjata e re, në të katër versionet, e vë në gojën e Jezu Krishtit në rrethanën që këtij të fundit turma i nxjerr përpara një grua që kish tradhtuar të shoqin, dhe i kërkonte miratimin për ta lapiduar: “Ok, i pari le ta qëllojë me gurë ai që ndër ju është i pamëkat”. E dini se ç’ndodhi pas kësaj përgjigjeje të Krishtit? Të gjithë, nga më i moshuari deri te më i riu, u larguan një e nga një, pa u ndier e si të zënë në faj.

    Dua të them se Islami duhet mirëkuptuar në këtë që bëri? Jo, aspak; dua të them se Islami nuk mund të kryqëzohet e linçohet nga sivëllezërit e tij. Janë shumë të paktë ata që, me të marrë vesh se Rama nuk do t’i përfshijë në listat e kandidatëve për deputetë, do ta vuanin në heshtje këtë fakt, nuk do të ndërmerrnin iniciativa me synimin për ta dëmtuar Ramën, apo nuk do të flirtonin me kundërshtarët. Ja, Rama e bëri me tre vetë, me Kastriot Islamin, me Kadelin e Lezhës e me Dogjanin e Kukësit, dhe që të tre u hodhën në prehrin e Berishës, duke demonstruar se PS-ja për ta nuk vlen as njëzet qindarka, nëse “bytha e tyre nuk mbetet në karrige”. Dhe që të tre kanë qenë socialistë “të thekur” deri në momentin që e kanë parë veten jashtë listave të Ramës. Pse nuk duhet të mendojmë se edhe të tjerët do të silleshin në të njëjtën mënyrë? (Në kampin e Berishës kjo nuk ndodh pothuaj asnjëherë, s’ka gjë se listat e kandidatëve edhe ai i bën me të njëjtën logjikë si të Ramës, d.m.th. me idenë për të pasur në Parlament mbështetës besnikë; pse me Berishën nuk ndodh, vallë?)

    Vini re sjelljen e këtyre ditëve të një numri deputetësh, apo personazhesh publike që kanë ambicien për të qenë deputetë! Po shklyhen më dysh për t’i rënë në sy boss-it të tyre, po bëjnë çmos të japin prova besnikërie e luajaliteti, po bëjnë shkrime pas shkrimesh me lajka për të, po bëjnë të fortin me kundërshtarin politik të tij. Shkurt, po përpiqen të bien në sy të kryetarit të partisë, e po i përcjellin mesazhin: Mua më ke tëndin, më ke me vete, më ke besnik deri në fund, kurrë nuk do të zhgënjej.

    Ecim më tutje. Dukuria “Islami” është në thelb “dorëzimi e nëpërkëmbja që dikush i bën vetes për pakëz pushtet, apo me fjalë të tjera, përdorimi që i bëhet dikujt në këmbim të shërbimeve që ai ofron”. Bizhga e Co. janë zemëruar në këtë rast, por ata merret vesh se nuk e kanë me dukurinë. Po ta kishin me dukurinë, do ta kishin ngritur zërin me kohë, sidozot kur Dritan Prifti përdorej si mos më keq, kur po Dritan Priftit iu dha shkelmi pas ca muajsh, e kur po i njëjti person, Dritan Prifti pra, vijon të kërkojë shtigje të tjera për të mbijetuar në politikë. Po ta kishin me dukurinë, do të duhej ta kishin ngritur zërin edhe tani me kërcimin që Meta bëri nga Berisha te Rama. Është e njëjta gjë, apo jo? Vetëm se në rastin Islami, “të tradhtuarit” janë socialistët, ndërsa në rastin Meta, “të tradhtuarit” janë demokratët.

    Me sa më sipër dua të them se askush nuk ka të drejtë ta veçojë Islamin si devijim prej ‘racës’. Është krejt e kundërta. Islami është qenia përfaqësuese e ‘racës’. Secili prej politikanëve e deputetëve, dhe ata që iu vërsulën në Kuvend, është një Islam; është një Islam të paktën me këtë gatishmërinë e vet për të ngritur zërin jo kur shfaqen Islamë në politikë, por kur Islamët dalin kundër tyre. Dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë luftë kundër Islamëve deri sa vjen një moment kur Islamë janë vetë ata. Kështu ndodh gjithmonë, kur njerëzit i pikasin veprimet arbitrare, të padrejta, të pamoralshme, të dhunshme, të paskrupullta të të tjerëve veç kur viktimat janë vetë ata, e as u shkon në mendje t’i pikasin kur viktimat janë të tjerë. Mirëpo, njerëz të tillë nuk kanë të drejtë të ankohen, të zemërohen e të kërkojnë solidaritet. Kush nuk jep solidaritet, nuk ka të drejtë ta kërkojë atë.

    Ia vlen të përmendet ajo mea culpa anekdotike e atij pastorit luteran të Gjermanisë së paraluftës së Dytë Botërore, që është përsëritur këto kohë nga më shumë se një njeri:

    “Nazistët fillimisht u morën me komunistët, por unë s’bëzava, pasi nuk isha komunist. Pastaj, ata u morën me socialistët, por unë prapë s’bëzava, pasi nuk isha socialist. Më tej ata u morën me sindikalistët, por unë e mbajta po njësoj gojën mbyllur, pasi nuk isha sindikalist. Më tej, ata iu sulën hebrenjve, por unë heshta, pasi nuk isha hebre. Në fund, ata erdhën tek unë, por nuk kish mbetur asnjëri që të thosh një fjalë për të më marrë në mbrojtje.”

    Shqip

  • Në shkrimin e tij me titull “E keqja më e vogël ndërmjet moralit e politikës”, të publikuar në “Mapo” gjatë fundjavës, Gjergj Meta i ka dhënë munxët tezës së hedhur në këtë moment elektoral se “duhet zgjedhur më pak e keqja mes dy të këqijave”. Nuk është ai i pari që e bën këtë. Ka dhe të tjerë që e bëjnë, dhe të gjithë ndajnë idenë se “kur zgjedh mes dy të këqijash, ti ke zgjedhur të keqen, gjithsesi”; frazën në thonjëza e thotë germë për germë dhe Gjergj Meta. Është e vërtetë? Sigurisht, që është e vërtetë. E është mirë që theksohet, pasi ka shumë shqiptarë që e kërkojnë ndryshimin (jo vetëm këtë herë) me idenë, shpresën a besimin naiv se “janë duke bërë zëvendësimin e një të keqeje me një të mirë”. Ka shumë socialistë që gjatë muajve të fundit, qysh kur unë kam zënë të inkurajoj, promovoj e mbroj idenë e një koalicioni të ligjsh me synimin për të mundur më të ligun, nuk ma pëlqejnë kualifikimin “koalicion të ligjsh”, që në ndonjë rast e kam rënduar me fjalë edhe më të forta. Nuk ma pëlqejnë, ngaqë me kualifikime të tilla, u bëhet pis e u komprometohet beteja që po bëjnë.

    S’e kam hiç të vështirë të bie dakord edhe me ndonjë nënvizim tjetër në shkrimin e Metës, siç është ai ku thuhet se “shoqëria jonë ka nevojë për një proces ripërtëritës që do ta bëjnë vetëm njerëz të frymëzuar e që dinë të punojnë bashkë; vetëm njerëz së bashku mund të krijojnë një front kundër së keqes më të vogël dhe asaj më të madhe, për të gjetur zgjidhjet më të mira; këta njerëz duhet të jenë idealistë, me frymë kohezioni dhe që kanë për zemër jo veten e tyre, por të mirën e përbashkët”. Por …

    Por shkrimi më duket i gabuar, megjithatë, për më shumë se një arsye. Dhe me sa më poshtë nuk kam për synim ta bëj Metën të ndryshojë qëndrime. Meta është ex officio njeri i bindjeve të forta; ose të paktën, i bindjeve më të forta se të miat. Dhe një nga bindjet e tij është – kështu duket – ideja rousseau-iane (apo kjo ide është dhe kristiane? Për mua nuk është shumë e qartë kjo gjë) se “njeriu është nga natyra i mirë”, ndërsa unë jam në këtë pikë disi hobbes-ian, ngaqë anoj qartazi nga ideja se “njeriu është nga natyra i keq”. Më tej, kam bindjen se shkrimet polemike në përgjithësi nuk bëhen me synimin për ta bërë autorin, me të cilin po ndeshesh, që të ndërrojë mendje. Jo, polemikat janë thjesht një sebep që vetë e kërkojmë nga dëshira për t’i rinënvijëzuar fort ca ide tonat të shprehura më parë. Në këtë kuptim, Meta më dha arsye t’i kthehem tezës sime, se ne këtë herë duhet të zgjedhim më pak të keqen mes dy të këqijave. Këtë tezë e kanë mbrojtur shumë vetë këto kohë, por “mund të mbahem me të madh” se unë kam qenë më i zhurmshmi mes tyre. E prandaj më është dukur se dom Gjergji në shkrimin e vet “është krrujt” veç me mua.

    Ai i kundërvihet publikisht kësaj teze, e unë kam përshtypjen që ndryshon në motivimet e veta nga shumë të tjerë, të cilët thellë-thellë nuk kanë ndonjë siklet moral prej tezës së “zgjedhjes së më pak së keqes mes dy të këqijave”, por kanë thjesht një mospajtim, a trazim, kur vjen puna që i vihet emri së keqes që duhet zgjedhur si më pak e keqja, a si më e keqja. Një pjesë syresh nuk e thonë këtë; përkundrazi, ata vijojnë ta maskojnë shqetësimin e tyre me dëngla morale. Por nuk duhet ndonjë aftësi e madhe për të lexuar te kjo betejë e tyre medemek morale një shqetësim tjetër.

    Përsëris e saktësoj: ky nuk është rasti i Metës. Me siguri, njëra e keqe është më pak e keqe edhe për famullitarin e Kamzës, ngaqë ai voton, por unë nuk kam ide se cila është kjo. Në fakt, edhe sikur ta dija që “më pak e keqja për të” nuk është gjë tjetër veçse “më e keqja për mua”, prapëseprapë do të isha i prirur të bëja një ndarje të votuesit nga intelektuali publik tek i njëjti person. Unë besoj se Gjergj Meta, sidomos kur bën shkrime si ky që më ka ngacmuar mua, është në gjendje të ndajë “interesin” personal elektoral nga ca qëndrime të natyrës krejt impersonale, apo doktrinore, apo universale e, në daçi, “ekumenike”, siç është ky i denoncimit, dhe i refuzimit, të së keqes më të vogël si një të keqe.

    “Kurrë një e keqe nuk mund të sjellë një të mirë”, thotë Meta. Sikur të ma thosh sy më sy, do ta pyesja aty për aty: Je i sigurt? E nëse do t’ma ripërsëriste pohimin, unë prapë do ta pyesja: Je i sigurt? Mua nuk më rezulton që të jetë kështu. Në planin logjik e teorik edhe mund të hajë diskutim një pohim i tillë i betonuar nga ndajfolja “kurrë”, por në planin konkret e empirik është ndryshe. Dhe kur them “empirik” kam parasysh situata të pafundme në historinë e botës, madje dhe në historinë e krishterimit apo të kishës katolike, ku për fat të mirë është zgjedhur “the lesser of two evils”.

    Ndërsa kur vijmë te sjellja elektorale e kombeve të ndryshme, zgjedhja e më pak së keqes rezulton të jetë jo vetëm një praktikë e njohur, as thjesht një gjë e udhës, por dhe gjëja e vetme që na mbetet për të bërë. Në politikë, në atë realen, nuk ka oferta të përsosura (ofertë e përsosur është ajo “e lumturisë dhe e drejtësisë për të gjithë”, por ne e dimë se “mënyra e vetme për t’i sendërtuar oferta të tilla me sukses të plotë” janë diktaturat mizore); aq më pak ka grupe e grupime politike të përsosura, sidomos për njerëz si unë që mendojnë se “njeriu është i keq nga natyra”. E në këtë kuptim, gjithmonë do na duhet të zgjedhim më pak të keqen, ashtu siç u duhet të bëjnë sot e gjithë ditën grekëve, italianëve, gjermanëve, britanikëve, apo amerikanëve (madje, janë këta të fundit që e kanë aplikuar më së shumti teorinë e zgjedhjes së më pak së keqes, qoftë në rrethanat elektorale, qoftë me diplomacinë e tyre).

    Në fund, po bëj tri pyetje, të cilave po u përgjigjem shumë shkurt. Pyetja 1: A nuk mund të bëjmë një zgjedhje të tretë?

    Nëse ekziston, e kur ekziston, po, që ç’ke me të. Por në rrethanat konkrete tonat, në të cilat ka lindur ky diskutim, cila është zgjedhja e tretë? Mos vallë është të mos shkojmë në votime? Individët që e bëjnë këtë zgjedhje demonstrojnë një qibër morale të lavdërueshme, por kjo nuk e zgjidh hallin tonë. Ah, po, do ta zgjidhte hallin tonë, nëse këtë gjë do ta bënim të gjithë, siç jemi. Por kjo praktikisht është e pamundur. E prandaj, abstenimi nuk mbetet si zgjidhje. Atëherë? Atëherë një zgjedhje mund të ish një ofertë tjetër politike, një ofertë e mirë, krijimin e së cilës Meta e këshillon në fund të shkrimit. Por kjo ofertë nuk ekziston. Për më tepër, edhe sikur të krijohej tani, ajo nuk do të ekzistonte si oferta e mirë, por si më pak e keqja. Në çdo rast. Kuptohet pse. Jemi në politikë, në terrenin ku përsosmëria morale jo vetëm nuk mund të ekzistojë, por edhe po të ekzistonte do të ish e frikshme. Dhe “ofertat” që përmend Meta në shkrimin e tij (Marksi, Stalini, Hitleri) nuk kanë përfunduar në përvoja e eksperimentime tragjike, ngaqë u janë qasur njerëzve si e keqja më e vogël që duhej pranuar nga halli. Jo, ato u janë qasur si ofertat më të mira, si e mira absolute. E për ta aktualizuar, e di, Gjergj, që ka momente që oferta e mirë Grillo në Itali më kall frikën më shumë se ofertat e këqija? Më kall frikën, pasi shfaqet me pretendimin, se është e vetmja ofertë e mirë, dhe këtë pretendim, tok me ngrefosjen lidhur me një epërsi e përsosmëri morale të tijën e të njerëzve të vet, shumë italianë ia marrin pa të keq. E pas kësaj, pse të mos e çojë në mendje Grillo, siç e çoi, të marrë 100% të votave të italianëve?

    Pyetja 2: Me ç’kut maten të këqijat? Cila është njësia matëse?

    Nuk ka një kut të qartë matës. Do duhej të ishin ca vlera, parime, kredo të përbashkëta, por ja që ne kemi qëndrime të ndryshme ndaj këtyre vlerave. E prandaj në këtë pikë kemi rënë dakord që secili të ketë kutin e tij matës, e që rrjedhimisht secili të ketë të keqen e tij më të vogël. Puna është ta thotë troç se cila është kjo e keqja më e vogël.

    Pyetja 3: Nuk mund të qëllojë më keq duke zgjedhur të keqen më të vogël?

    Sigurisht, mund të qëllojë më keq, ndoshta edhe shumë më keq. Por a mos vallë ky dyshim duhet të na bëjë të mbështesim atë, për të cilën jemi 100% të sigurt se është më e keqja?

    Shqip