"Gati për luftë", Obama njofton "kosto". Por ta bësh Rusinë të paguajë, tashmë nuk është aq e thjeshtë…

Postuar në 01 Mars, 2014 16:32

Bota është ngritur “peshë” nga vendimi i Rusisë për të pushtuar ushtarakisht Ukrainën. Mediat botërore e kanë këtë ngjarje “lajm të parë”, dhe nuk mungojnë paralajmërimet për një luftë të re botërore apo detajet e asaj që po ndodh në sallat e zyrat e diplomacisë botërore. Paralajmërimi i zyrtarëve provizorë të Ukrainës për kundërpërgjigje me luftë ndaj trupave të armatosura ruse, acarimi e Presidentit amerikan Barak Obama, mbledhja e jashtëzakonshme e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s, qëndrimet publike të kryediplomatëve të vendeve të Europës, përfshirë edhe të vendit tonë; kanë ngritur hijet e një konflikti të përmasave botërore, që pavarësisht produktit që do të japë në fushën ushtarake, minimalisht  që tani e ka rritur dhe thelluar masën e mosbesimit dhe pasigurisë në marrëdhëniet diplomatike mes dy fuqive më të mëdha në botë. 

Presidenti Obama ka paralajmëruar Rusinë se “do të ketë kosto” nëse ndërmerr një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pak opsione të pëlqyeshme për ta bërë Rusinë të paguajë këto kosto, pasi historia ka dëshmuar se kur bëhet fjalë për interesat e saj, Rusia ka qenë e gatshme t’i paguajë pasojat.

Historia duket se vjen si përsëritje e një skenari të 6 viteve më parë me Abkhazinë.

Sipas “New York Times”, "menuja" e veprimeve që mund të ndërmerren tani është e njëjtë me atë që i është ofruar presidentit Xhorxh W. Bush në vitin 2008 kur Rusia hyri në luftë me Gjeorgjinë, një tjetër ish-republikë sovjetike kokëfortë. Megjithatë, kostot e imponuara në atë kohë rezultuan pak efektive dhe jetëshkurtëra. Rusia ndali avancimin e saj por gati gjashtë vjet më vonë, nuk i ka jetësuar plotësisht kushtet e armëpushimit të nënshkruar. Dhe çfarëdo kostoje që është paguar në atë kohë, mesa duket nuk ka shërbyer si mësim për të mos ndërmarrë një tentativë të ngjashme kundrejt një fqinji tjetër, siç po ndodh aktualisht në Ukrainë. Pyetja që ngrihet është: A janë këto kosto aq të rënda sa të detyrojnë Rusinë që të mos përfitojë nga situata në Krime?

 

k.k

Comments

Submitted by Mikanoki (not verified) on

Vendimi per te futur trupat nuk eshte marre akoma, mgjs de fakto trupat ruse jane ne Krime. Sot parlamenti rus i dha lejen Putinit per te marre kete vendim, po deri tani kjo nuk ka ndodhur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.