Rama ftesë kryebashkiakëve të rinj për konsultë. Të zgjedhurit e PD përçahen; Voltana Ademi ngre supet, Mziu nuk pranon

Postuar në 03 Korrik, 2015 02:36

Një takim konsultues për pushtetin vendor të gjithë kandidatët fitues në 61 njësitë e reja vendore. Këtë ka kërkuar së fundmi kryeministri Edi Rama. Sipas “Panoramas” Rama ka ftuar në Kryebashkiakët e rinj të cilët janë njoftuar që takimi do të zhvillohet në selinë e Kryeministrisë ditën e hënë, në orën 12:00.  Kjo mbledhje e kërkuar nga Kryeministri Rama, që pritet të ketë në qendër të diskutimeve implementimin e ri të reformës territoriale, shihet si një mënyrë për t’u dhënë fund aludimeve të kreut të opozitës, i cili garantonte se pas zgjedhjeve kreu i qeverisë nuk do të bashkëpunonte me të zgjedhurit e PDsë.

Ndërkohë që me interes do të jetë qëndrimi që do të mbajnë ndaj kësaj ftese vendorët e djathtë. Një pjesë e tyre të kontaktuar nga “Panorama”, kanë konfirmuar se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga Kryeministri Rama, ndërsa të tjerë konfirmojnë se nuk do të jenë pjesë e këtij takimi edhe nëse do të marrin ftesë. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e kontaktuar nga “Panorama”, ka theksuar se nuk është në dijeni të këtij takimi që Kryeministri pritet të zhvillojë, pasi nuk ka asnjë ftesë prej tij.

Ndërkohë që kryebashkiaku i Kamzës, një prej vendorëve më të akuzuar nga Kryeministri Rama gjatë fushatës zgjedhore, bën të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit, edhe në rast se do të marrë një ftesë. “Nuk kam dijeni për këtë takim që ju thoni. Kryeministri nuk më ka çuar asnjë ftesë, por edhe nëse më çon ndonjë ftesë, unë nuk do të jem në asnjë takim të thirrur prej tij”, shprehet Mziu. Ndërkaq, tjetër qëndrim kanë ndaj këtij takimi kryebashkiakët e së djathtës në Lezhë dhe Kukës.

Drejtuesi i ri i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, konfirmon ftesën e marrë nga Kryeministri Rama, madje pranon se është i gatshëm edhe të jetë pjesë e këtij takimi. “Kam marrë një telefonatë nga kabineti i Kryeministrit dhe më kanë thënë për një takim të tillë. Parimisht nuk kam asgjë kundër dhe nëse do të jetë në shërbim të komunitetit të cilit unë përfaqësoj, do të jem pjesë e tij”, deklaron Frrokaj.

Të njëjtin qëndrim për këtë takim ndan edhe kryebashkiaku i ri i Kukësit, Bashkim Shehu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.