Hotel “Tirana”, del jashtë listës së monumenteve të kulturës. Këshilli Kombëtar i Restaurimit thotë se nuk ka vlera historike dhe as arkitektonike

Postuar në 26 Korrik, 2015 01:27

Me një vendim të datës 3 korrik 2015, hotel “Tirana” ka dalë nga lista e objekteve nën mbrojtje. Deri  para këtij vendimi, prej vitit 2000, ky hotel ishte i shpallur monument kulture i kategorisë së dytë, si pjesë e qendrës historike. “Gazeta Shqiptare” raporton se vendimi është marrë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës. Në relacionin që shoqëron vendimin, sqarohet se monumenti nxirret nga lista dhe si rrjedhojë nuk është më monument dhe as nuk gëzon mbrojtjen e shtetit, për arsye se nuk ka as vlera historike dhe as arkitektonike. “Fasada e objektit është një fasadë e thjeshtë, me një trajtim linear e horizontal. Elementet dhe detajet arkitektonike, janë tepër modeste dhe i përkasin periudhës mbas viteve 2000 kur edhe është bërë ndërhyrja e fundit. Ato nuk e bëjnë atë të veçantë dhe specifik si objekt i cili mund të evidentohet nga pikëpamja kulturore dhe arkitektonike në qendrën e qytetit”,­ thuhet në këtë relacion. Në të njëjtin dokument, sqarohet se objekti i përmbahet frymës së arkitekturës bashkëkohore dhe nuk ka elementë apo vlera historike dhe arkitektonike për të pasur statusin e një objekti monument kulture, por është absorbuar dhe qëndron mirë si pjesë integrale e qendrës historike. I quajtur ndryshe dhe si “15-katëshi”, hotel “Tirana” ka filluar ndërtimin në vitin 1979. Për shumë vite kjo ndërtesë është konsideruar si simbol i kryeqytetit duke qenë dhe më e lartë e vendit deri para disa vitesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.