Meshkujt “alfa”

Postuar në 07 Gusht, 2013 08:51
Dashnor Kokonozi

Njerëzit ndihen më mirë. Shumë vetë po zbulojnë një dimension tjetër të jetës, qetësinë. Kanë filluar t’u kthehen gjesteve të harruara, të interesohen për njëri- tjetrin, të pyesin të afërmit se çfarë kanë bërë gjatë kësaj kohe, t’u kthehen punëve të tyre. Të tjerët ndehin veshët, për të dëgjuar qetësinë dhe thonë: ç’na paskan çarë kryet!
Vendi është bërë më i jetueshëm, sepse dy krerët e politikës shqiptare kanë heshtur, nuk po i dëgjojmë të ulërijnë, të mallkojnë, të gënjejnë, të premtojnë, të mashtrojnë, të hungërojnë, të kërcënojnë, nuk i shohim në manifestime militantësh duke përsëritur vetveten e duke u sjellë rrotull një numri frazash e temash tepër të kufizuara, pa interes, që mund të shiten vetëm në Shqipëri, por të afta të ngrenë në zonë të kuqe parametrat e stresit kombëtar.
Fatkeqësisht, nuk është një heshtje apo qetësim i vullnetshëm. Nuk është një benefic i evolucionit të species. (Me sa duket, ky proces ka përfunduar). Është thjesht një heshtje që vjen si pasojë e një fakti procedural që përgjysmon fuqinë e krerëve të politikës: njëri po lë pushtetin, ndërsa tjetri nuk e ka marrë ende.
Gjithsesi, kohët e fundit u vërejt edhe një herë se nga agresiviteti i skajshëm i tyre një popull i tërë pësonte dhunë të paparë psikike, vetëm dy vetë gjeneronin pa masë e pa mëshirë një mjedis të paparë korroziv që shthurte rrezikshëm indin kombëtar, ato pak fije që na lidhin ende me njëri-tjetrin. Kurrë ky vend nuk ka qenë më i armiqësuar dhe i përçarë se sa në përfundim të zgjedhjeve të fundit politike. Dhe kjo vetëm për shkak të përleshjes pa mëshirë të dy individëve që synonin t’i merrnin bananen njëri-tjetrit!
Të kalojmë gjetiu, se vetëm kaq mjafton të na rivijë në gjuhë përshtypja e hidhur e një periudhe, nga e cila, e kuptoj, ka edhe nga ata që nxjerrin përfitimet e tyre. Hienat janë të pranishme në çdo shoqëri.
Fenomeni është i vështirë të kuptohet në thellësinë e tij pa një sinergji disiplinash. Për një kohë të gjatë, studimet e Prof. Robert Sapolsky-t mbi stresin, sa kohë që zhvilloheshin në laboratorët e universiteteve amerikane (MIT), e kisha të vështirë t’i ndiqja. Diçka ndryshoi kur ai vetë, për të kuptuar më mirë rolin dhe origjinën e stresit në komunitete të ndryshme brenda shoqërisë njerëzore, braktisi laboratorët universitarë dhe shkoi e u vendos në Kenia, ku ngriti çadrën e tij në prani të habitatit të një çete babuinësh.
Ajo që zbuloi aty do të sjellë një informacion që do të revolucionarizojë dijet. Që në fillim Profesori vërejti se kishte të bënte me një komunitet mjaft hierarkik, të njëjtë me atë të shoqërisë njerëzore. U interesua t’u merrte vetë etalonë gjaku të të gjithë primatëve të tufës dhe vërejti për herë të parë se individët e shkallëve të ulëta pësonin në çdo çast të ditës presionin e meshkujve alfa, të meshkujve dominantë të tufës, të meshkujve riprodhues, të shefave të luftës dhe paqes, të atyre që kishin gjithçka në dorë, ushqimet më të mira, vendin më të mirë për të fjetur, femrat më të mira të tufës etj.
Ndërkohë, analizat e vetë meshkujve alfa, Prof. Sapolsky qe i detyruar t’i përsërisë disa herë se i dukej e pabesueshme që indikatorët e stresit në gjakun e tyre të ishin mjaft më të ulët se ato të “nënshtetasve”, të rajave, të atyre që pësonin. Por e vërteta ishte tamam ashtu. Meshkujt dominues injektonin një overdozë stresi në të gjithë popullatën që kishin nën vete, por vetë nuk vuanin fort nga stresi.
Më tej R. Sapolsky vuri re se subalternët, vartësit, individët e thjeshtë, pa poste e grada, mëditësit, duke iu nënshtruar një stresi të vazhdueshëm vuanin nga tensioni i arterieve dhe nga një ritëm kardiak mjaft i lartë, gjë që edhe kjo nuk vihej re te meshkujt dominues alfa, te gjeneruesit e vërtetë të stresit brenda komunitetit.
Dhe erdhi një ditë kur ndodhi diçka që R. Sapolsky e cilësoi si “ fatkeqësi të tmerrshme”, por që rezultoi të jetë e një rëndësie të pamasë shkencore.
Dy meshkujt alfa të tufës, që ai kishte nën vëzhgim, kishin zakonin t’u afroheshin plehrave të qendrave të banuara. Natyrisht edhe të tjerë, por kur ndeshnin në ndonjë ushqim të majmë, ishin dy shefat që e rrëmbenin menjëherë me forcë dhe e shqyenin pa u dhënë asgjë të tjerëve. Kështu ndodhi që një ditë ata ranë në një copë të madhe mishi të infektuar nga tuberkulozi. Dhe ashtu siç ishin të babëzitur, morën dhe e hëngrën të gjithë për vete. Nuk u lanë as edhe një llokëm të vogël të tjerëve, subalternëve, vartësve, mëditësve, atyre që rrethojnë tribunat, të themi.
Kjo qe arsyeja që disa kohë më vonë, të dy meshkujt alfa ngordhën nga tuberkulozi, ndërkohë të që tjerët nuk pësuan asgjë.
Por nuk ishte kjo që desha të tregoj këtu, histori me majmunë ju keni dëgjuar mjaft edhe pa këtë që solla unë.
Ajo që dua të them (dhe këtu historia e majmunëve u afrohet asaj të njerëzve), është se pas kësaj ngjarjeje, shënimet e R. Sapolsky-t shprehin gjëra të çuditshme. Surprizat janë njëra më e madhe se tjetra. Ai thotë se pas ngordhjes së dy meshkujve alfa, komuniteti i babuinëve nisi të përjetojë ditët e tij më të mira. Përditshmëria e tyre kishte ndryshuar rrënjësisht, jeta qe bërë më e qetë, më e jetueshme, anëtarët e komunitetit nisën të interesohen dhe afrohen me njëri-tjetrin, ushqimet ndaheshin më barazisht, savana u bë me e pranueshme, më pak armiqësore. E mbi të gjitha, në epruvetat e R. Sapolsky-t indikatorët e stresit në gjakun e të gjithë komunitetit u ulën në mënyrë drastike dhe arritën në nivele normalë, se pak stres, gjithsesi, është i dobishëm.
Akoma më e çuditshme ishte se jeta e komunitetit jo vetëm që u qetësua, por ajo përparonte mrekullisht. “Femrat”, ndaheshin në mënyrë më “racionale” dhe “të drejtë” dhe kjo bënte që të ulej niveli i tensionit dhe grindjeve brenda komunitetit. Brezat e rinj që lindnin, nuk u nënshtroheshin presioneve dhe stresit që kishin jetuar prindërit e tyre nga meshkuj e ngordhur luftarakë e dominues të tufës, nga meshkujt alfa. Për pasojë, të gjithë silleshin më “njerëzisht” (se nuk e di nëse mund të them ‘babuinisht’), ishin edhe më të shtruar, më të përmbajtur. Duket ishte këputur zinxhiri i një dhune të trashëguar, zinxhiri i së keqes. Shamatat, grindjet, humbjet, vjedhjet dhe gjithçka tjetër që karakterizonte më parë jetën e tyre, u bënë më të pakta. Shkurt, kishte mjaftuar një copë mishi e infektuar për të larguar perspektivën e zymtë, dramatike e të pandryshueshme të jetës së një komunitetit të tërë.
Babuinët kishin kuptuar (me aq sa kishin mundësi), se as nuk banonin në një vend të mallkuar dhe as ishin një komunitet i mallkuar. Ata vetëm se kishin patur mbi krye babuinë të mallkuar.
Ngjarja që ndodhi pa vullnetin e kërkujt e nxori në një dritë të re rolin e vërtetë të shefave të komunitetit, ajo tregoi se ata janë jo vetëm të padobishëm, por edhe të dëmshëm (dikur thoshim, nuk ishin vetëm pjesë e së keqes, por ishin vetë e keqja!)
Thamë në fillim të këtyre shënimeve se edhe ne po jetojmë ditë më të qeta (gjatë fushatës së fundit disa të njohur ndërprenë pushimet e çanë e ikën nga Shqipëria, pa kërkuar t’u ktheheshin as paratë e ditëve të pashpenzuara). Dhe sot kjo qetësi është e vërtetë, por po aq e vërtetë është se këto ditë janë të numëruara. Ne e dimë se është vetëm një bunacë në prag të stuhisë së ardhshme, fatkeqësisht. Golgota e re që na përgatisin alfat të politikës nuk është larg, ka filluar të duket me sy.
Në këto kushte, mendoj se vetë krerët e politikës nga eksperimentet e R. Sapolsky-t duhet të kenë mençurinë të kuptojnë se janë vetëm pjesa më e keqe (jo për fajin e tyre) e një mekanizmi demokratik (përqendrimi i pushtetit), aq shumë i diskutuar dhe zhvleftësuar (të paktën në rastin shqiptar, rus, bjellorus e ndonjë tjetër), duhet të kuptojnë se njerëzit i njohin dhe me aq sa mbajnë mend, kurrë nuk kanë mbetur ndonjëherë gojëhapur me inteligjencën e tyre, se janë barazisht fajtorë për hapat e ngadaltë të integrimit dhe, me këtë rast, e pakta gjë që mund të bëjnë është që të ndryshojnë në mënyrë radikale etikën politike me qëllim që t’i kursejnë një populli të tërë mëkatin e ëndërrimit të një cope mishi të infektuar (me nja dy-tre bacile të vogla Koh-u), duke zbarkuar një ditë të bukur feste në pjatën e tyre të madhe.

MAPO

Comments

Submitted by fundi perralles (not verified) on

Shkrim i kote..., me siguri autori eshte me shkolle nate apo me korespondence

Submitted by R. Sadiku (not verified) on

Edhe ne kohe krizash dhe turbullirash vetpermbajtja e liderve luan rol te madh ne gjendjen shpirterore te popullit. Te  tjere, histerike, bejne qe edhe kohet e paqes te duken si kohe lufte. Tamam.

Submitted by Anonim (not verified) on

Shkrimi duket ka per qellim vetem te shohe ne nje drite tjeter, disi komike, rolin e individit ne stabilitetin shpirteror te masave te gjera. Se edhe vete Sapolsky e kreu studimin te majmunet per te kuptuar njerzit.  Kurrsesi nuk shihet si zgjidhje se nuk ka zgjidhje as shprese per ne. Autori shoh se ka vene te Vehbiu perfundimet e nje ankete perse megjithe skandalet qe kane plasur ne rrethin e saj te ngushte, anketat e nxjerrin A. Merkel si personin me simpatik ne Gjermani. Ato mbi te gjitha vene ne dukje natyren e saj diskrete e te qete, mungesen e agresivitetit, mospushtimin e hapsirave publike, evitimin e personalizimit te konfliktit etj. Sapolsky thote vete se edhe majmunet qe jane majmune silleshin me "njerzisht" kur kishin shefa me te qetë ne krye:-))

Submitted by anticensurë (not verified) on

"anonim"

çdo gjë vendoset nga "individët",si kur janë masë dhe kur janë veç e veç!!ndryshimi i vetëm është shkalla e civilizimit!shkalla e shoqërisë të cilën ata kanë ndërtuar,që ata pranojnë si të drejtë!!rasti i merkelit nuk është i vetëm!!në të gjithë europën veriore qeveritarët janë "në hije",jashtë kamerave,jashtë debateve boshe dhe të zhurmëshme!!po ta fillosh nga austria,vëndet skandinave bile dhe anglia!gjithashtu dhe amerika me gjithë atë para fushatë e fushatë elektorale pas zgjedhjes presidenti fillon punën dhe jo llogjet!!kjo finalizohet me zvicrën,që si në fushatë dhe pas saj shumë rrallë shikon qeveritarët e saj të bëjnë deklarata!

anonim në një shoqëri me ndërgjegje të lartë civile,të arritur me shumë mundime dhe gjak,nuk ka "prijës" nuk ka "heronj"!në ato shoqëri heronjtë janë ata të të shkuarës!!këtyre shoqërive i duhet individi i thjeshtë,ai individ që sjell të mirat materiale!!në këto shoqëri politikani qeveritari ka më pakë pushtet se individi!!vetëm për një arsye të vogël!!ai është i barabartë para ligjit!!duke qënë i tillë nuk mund të vendosë ai,por ligji!!çdo gabim i politikanit ndëshkohet maksimumi 4 vjet,por dhe më shpejt!!

në këto shoqëri individësh të vetdijshëm,individi drejtues vihet në krye të shtetit për të drejtuar,jo për të sunduar!!

ne jemi jastëzakonisht larg!!ne nuk jemi akoma në gjëndje të kuptojmë e jo më të veprojmë!!

do të duhet shumë kohë për të arritur në një nivel të tillë si gjermania e skandinavia!!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.