Statusin kandidat e rrezikon çështja e strehimit të romëve. OSBE: Këtu sundon ligji apo betoni?

Postuar në 07 Gusht, 2013 10:05

Kur ishte menduar se në dhjetor shanset për të marrë statusin e vendit kandidat janë të mëdha, lind një tjetër problem, që mund të bëhet pengesë serioze.

Bëhet fjalë për dëbimin e romëve nga banesat e tyre.

Çështja e trajtimit të romëve është mjaft e ndjeshme për Bashkimin Europian dhe një gjë të tillë e theksoi edhe ambasadori i OSBE në Shqipëri, Robert Wilton.

Duke folur pas një takimi me Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të Komisionit Europian, Wilton tha se kjo çështje rrezikon statusin e kandidatit.

“Të zgjidhet çështja e strehimit të romëve e cila është shqetësuese dhe përbën rrezik për marrjen e statusit kandidat të vendit. T’u jepen romëve akses në shëndetësi dhe arsim. Sigurisht kjo kërkon kohë dhe nuk ndodh sa hap e mbyll sytë”, tha Wilton.

“Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së kanë një synim të veçantë, ju e dini shumë mirë, edhe për sundimin e ligjit, edhe për të drejtat e njeriut. Parimet tona janë mjaft të ngjashme me kolegët tanë të ngushtë në BE. Shoh këtu një rast edhe të sundimit të ligjit, edhe të të drejtave të njeriut dhe erdha këtu sot për t’ia shpjeguar Avokatit të Popullit shqetësimin tim ndaj këtij rasti këtu në Tiranë. Dëshiroj të shpall qartësisht mbështetjen time për shpalljen e tij për këtë rast dhe shpresoj që Avokati të marrë prej institucioneve përgjigje të mbarë. Qëndrimi i tij është i mbarë dhe shpresoj që prej policisë, prej bashkisë, prej institucioneve të marrë përgjigje të mbarë. Pyetja e tij është thjesht: ose ka këtu sundim të betonit ose sundim të ligjit”, tha Wilton.

Më 5 gusht, “Amnesty International” kërkoi marrjen e masave urgjente për 37 familjet rome që rrezikojnë të dëbohen nga banesat e tyre në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Deklarata u bë dy ditë përpara skadimit të afatit që u ishte caktuar nga kompania e ndërtimit “Park Construction Albania” për të liruar hapësirën tek ish-Qendra e Realizimit të Punimeve të Artit, ku disa prej këtyre familjeve rome jetojnë prej më shumë se 10 vitesh./ep

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.