Me 80 % Basha, lideri i ri i opozitës

Postuar në 24 Korrik, 2013 07:26

TIRANË I sapo zgjedhur zyrtarisht si kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi dje përmes një deklarate zyrtare të mbajtur në selinë blu, bashkimin e gjithë demokratëve, duke qenë i vetëdijshëm për sfidat, që e presin në krye të kësaj partie. “…Jam thellësisht i vetëdijshëm, se sa përgjegjësi e madhe është të drejtosh një forcë që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka bërë historinë e re të Shqipërisë, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos, për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, si gjithë Evropa”, – tha ai. Ndryshe nga Olldashi, Basha e cilësoi dje garën të vërtetë. “Në këtë garë, të parën të vërtetë të parimit një anëtar – një votë në Shqipëri, ne demokratët iu dëshmuam sërish bashkëqytetarëve tanë, se jemi perfaqesuesit më të denjë të vlerave, parimeve dhe praktikave të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor”,- tha ai. Një falenderim ai e drejtoi edhe për kandidatin e tij në garën për kryetar, Sokol Olldashin. “Falënderoj Sokol Olldashin, kandidatin tjetër, për kontributin e tij në këtë garë e cila dëshmoi para mbarë shqiptarëve vlerat e patjetërsueshme dhe unike të Partisë Demokratike. Në këtë garë ishim dy kandidatë që shpalosëm vlerat, vizionet dhe vullnetet tona respektive para mijëra anëtarëve, por në fillim, gjatë dhe në përfundim të kësaj gare, ne nuk harrojmë për asnjë çast, se jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familje të madhe, krenarë për identitetin dhe trashëgiminë tonë politike, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë”, – tha Basha. Ai cilësoi se në projektin për një fillim të ri, PD-ja do të mbështetet fuqishëm tek anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite.  “Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të jap gjithçka me përkushtimin më të madh, me vendosmërinë më absolute dhe me përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve të Partisë Demokratike. Për këtë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve të paepur, tek përvoja e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike, sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës. Unë do të punoj pa ndarë që Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë, të vazhdojë të jetë forca e ëndrrave, shpresave dhe dëshirave të të rinjve shqiptare, gjeneratës së parë të lirisë dhe gjeneratave të tjera”,- tha ai. Basha premtoi ndërtimin e një opozitë të fortë dhe alternative me një përballje publike të përhershme.  “Do jemi çdo ditë, kudo, në çdo anë të vendit me qytetarët, elitat lokale, mediat në mbrojtje të interesave publike, do jemi me të përndjekurit e komunizmit, pronarët, biznesin e vogël dhe të mesëm e grupet e tjera të interesit të ekonomisë shqiptare, botën akademike dhe shoqërinë civile, do jemi me gratë shqiptare, rininë, fëmijët, të moshuarit, pakicat, në krah të çdo qytetari shqiptar që ndihet i cënuar nga pushteti politik i votës së deformuar e të vjedhur dhe besimit të përdhosur të 23 qershorit”, – tha ai.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.