Masakrohen 200 vetë në Siri, ushtria përdor tanke e helikopterë

Postuar në 13 Korrik, 2012 11:58

-Komuniteti ndërkombëtar hedh dyshimin për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë nga forcat e regjimit në Siri, ndërsa nga vendi mbërrijnë pamje shokuese të një masakre të tmerrshme. Sipas Wall Street Journal, forcat e armatosura siriane kanë filluar të zhvendosin sasi të mëdha të arsenalit të madh të  armëve kimike në dispozicion. 

Prej disa kohësh rezervat e padeklaruara të gazit nevrin dhe armëve  të tjera të shkatërrimit në masë kanë ngritur shqetësime mes zyrtarëve amerikanë dhe vendeve të rajonit, shkruan e përditshmja, që gjithashtu nënvizon se në perëndim dyshimet janë të forta se regjimi përdor armë kimike kundër rebelëve dhe civilëve në operacione të spastrimit etnik. Besohet se rezervat e armëve kimike dhe biologjike në dispozicion të Damaskut janë më të mëdhatë në Lindjen e Mesme, pasi Siria nuk ka nënshkruar Konventën e 1992, e cila ndalon prodhimin, ruajtjen dhe përdorimin e e armëve të këtij lloji. 

Sot Kombet e Bashkuara konfirmuan dhe raportimet nga ana ana e rebelëve sirianë, ndërsa vlerësuan si shokuese videon e publikuar në internet nga opozita: më shumë se 200 njerëz u masakruan në fshatin Tremseh, në krahinën e Hama. Përveç kësaj, misioni i OKB-së në Siri, "thotë se operacionet ushtarake janë  në vazhdim e sipër në Tremseh" dhe në zonë ishin dëgjuar "më shumë se 100 shpërthime." Sipas televizionit Al Arabiya, të vdekurit në fshat janë 227. Dëshmitarë nga vendngjarja flasin për viktima të ekzekutuara  me thika e plumba, trupa të djegur e kufoma të shpërndara nëpër rrugët e fshatit. 

Opozita, deklaron se  masakra është kryer nga forcat besnike të Assad dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë një rezolutë detyruese kundër regjimit. Në mesin e viktimave janë dhe dhjetra luftëtarë. Bëhet fjalë për sulmin më të përgjakshëm në 16  muaj trazira kundër presidentit Bashar al Assad në Siri. Vëzhguesit e OKB-së janë të gatshëm për të shkuar në vendngjarje për të verifikuar çfarë ka ndodhur. E në këtë kuadër kreu i misionit Robert Mood i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të propozojë një plan të ri për t'i dhënë fund krizës. 

"I shokuar dhe i tmerruar nga kasaphana",-është shprehur dhe i dërguari i posaçëm, Kofi Annan i cili theksoi se "përdorimi i armatimeve të rënda është një shkelje e angazhimeve të Damaskut zyrtar." I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe do të diskutojë sërish të hënën krizën siriane në Rusi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.