"Korrupsioni, progres i limituar"

Postuar në 06 Gusht, 2013 14:28

Për Këshillin e Europës, Shqipëria ka avancuar shumë pak në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe punonjësve të sektorit publik.

Wolfgang Rau, sekretari organizativ i GRECO-s, institucionit të KE-së që funksion prej 14 vjetësh, anëtar i të cilit është edhe Shqipëria, tha për “Deutsche Welle” se do të vazhdojë monitorimi i standarteve kundër korrupsionit, sepse lufta kundër tij është një sfidë afatgjatë, e cila kërkon përpjekje të vazhdueshme. Deri tani GRECO ka bërë tre vlerësime për situatën në Shqipëri.

“Në raportin e fundit të GRECO-s për Shqipërinë, për të cilin po flasim, në zbatimin e ligjit në praktikë, sidomos në sa parashikon Kodi Penal lidhur për shembull me ryshfetin aktiv në sektorin publik dhe privat, trafikun e influencës, deri tani progresi është shumë i limituar dhe zbatimi i ligjit është penguar nga një mungesë informacioni dhe mirëkuptimi të përgjithshëm për gjithë sa parashikon Kodi Penal për korrupsionin, si edhe nga shtrembërimi i zbatimit të ligjit. Vendi ka nevojë për vazhdim dhe zhvillim të mëtejshëm të masave praktike si trajinimet e oficerëve të policisë, gjykatësve dhe prokurorëve”, ka deklaruar Rau.

Wolfgang Rau përmend vullnetin e fortë politik në nivelin më të lartë, si kushtin e parë në luftën efikase kundër korrupsionit.

“Përvoja tregon se duhen përmbushur disa kushte për të luftuar me efikasitet korrupsionin, duke filluar nga një vullnet i fortë politik në nivelin më të lartë politik, që përkthehet në masa praktike për të siguruar që policia, prokuroria, dhe gjykatat kanë në dispozicion mjetet e duhura për të kryer punën e tyre, përfshirë edhe një numër të mjaftueshëm stafi të specializuar. Për më tepër, në shumë vende ngritja e një strukture të fuqishme, të pavarur anti- korrupsion ka provuar të jetë një aset në luftën kundër korrupsionit”, ka nënvizuar Rau.

Në përmbushjen e standarteve të Këshillit të Europës në luftën kundër korrupsionit, Rau sugjeron për qeverinë e ardhshme të Shqipërisë veprim të vendosur për të përfshirë si masat parandaluese ashtu dhe ndjekjen penale efektive, gjykimin e veprave penale të korrupsionit për ta luftuar atë me sukses.

Rau tha se në fund të tetorit, GRECO do të organizojë një vizitë vlerësuese për Shqipërinë në kuadër të raportit të radhës që ka të bëjë me parandalimin e korrupsionit për anëtarët e parlamentit, gjykatësit dhe prokurorët. GRECO planifikon të adaptojë një raport-vlerësim në fillim të vitit 2014 dhe pritet që Shqipëria të plotësojë brenda 18 muajve rekomandimet e ketij raporti.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.