Kontestimi, Olldashi: Proçesi u deformua, nuk kishte garë

Postuar në 24 Korrik, 2013 05:14

TIRANË Në fillim të garimit për drejtimin e partisë, Sokol Olldashi, doli nga selia blu i sigurtë se periudha 20 ditore e lënë në dispozicion të tij, dhe kandidatit rival Lulëzim Basha, do të ishte një proçes i drejtë zgjedhjesh brenda partisë. Por në fund të këtij procesi, Olldashi nuk mendon se kishte garë, tanimë jo nga selia blu, por nga dikasteri që ai drejton, ministria e Transporteve. “Ishte një gabim”, – u shpreh ai, duke radhitur edhe arsyet.  “Përzgjedhja e kryetarit te ri të PD-së, u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë cast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjëtën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”,- thumboi Olldashi në zyrën e konferencave për shtyp të ministrisë së Transporteve. Në periudhën e limituar për kreun e PD-së, Olldashi gjithashtu theksoi se ky proçes ishte i ndikuar. “Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favorin tim, u pezullua, gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je, u përjashtua, siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korcë, apo u pushua nga puna, siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë”,- tha ai. Olldashi e cilësoi intimiduese vendosjen e numrit rendor në fletën e votimit, duke e bërë lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Por përpos problemeve të evidentuara, Olldashi u shpreh se nuk ndihej i penduar që pranoi të bëhej pjesë e garës. “…Do të kisha marrë pjesë në këtë garë për të respektuar të gjithë militantët e PD-së, për t’i përfaqësuar ata në këtë garë, sigurisht për të përfaqësuar edhe të drejtën time si një njeri i lirë, si një njeri politik dhe si një njeri që ka kontributin e vet brenda PD-së”,- tha ai. Në funksion të këtij qëllimi, Olldashi garantoi se do të vijojë të jetë pjesë e PD-së: “…Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë. Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare, një veprim politik opozitar dhe një platformë të qëndrueshme mbi të cilën të mblidhet shumica e shoqërisë së këtij vendi”. Por a do të synojë Olldashi, si një ndër njerëzit kryesorë me kontribute të spikatura në këtë parti, që të jetë pjesë e posteve drejtuese në të ardhmen? Në këtë periudhë pezmatimi jo. “Unë kam përshtypjen që ambiciet e mia momentale i kam të ezauruara me këtë që ju doni ta quaj garë dhe që unë se quaj garë. Për të ardhmen duhet të flasim në të ardhmen, dhe jo sot”,- u përgjigj ai.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.