Kolegji rrëzon kërkesën e Dritan Priftit për kutitë e Fierit

Postuar në 26 Korrik, 2013 03:34

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e kandidatit të pavarur Dritan Prifti për të numëruar të gjitha votat e qarkut të Fierit. Në mbledhjen e djeshme, trupi gjyqësor me relator Klinton Spahiun, e cilësoi si të pabazuar në prova dhe ligj kërkesën e ish-deputetit dhe ministrit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zonën zgjedhore të dytën në vend për nga madhësia. 

Përfaqësuesi i kandidatit Prifti në mbledhjen e djeshme të Kolegjit, avokati Eno Bushi, i kërkoi trupit gjykues që të marrë parasysh kërkesën për rinumërin e votave në këtë qark, pasi sipas tij, votat e tij nuk janë marrë fare parasysh dhe as janë vendosur te votat e pavlefshme. 

“Filmimet që ne kemi marrë në Komisionin Qendror të Zgjedhje nxjerrin që fletët e votimit të vlefshme për kandidatin Dritan Prifti jo vetëm nuk janë quajtur për të, por as nuk janë përfshirë në fletët e votimit të pavlefshme. Nga ana e GNV dhe KZAZ është kryer e lejuar kjo shkelje si për votat e vlefshme, ashtu dhe për ato të pavlefshme, duke deformuar në këtë mënyrë rezultatin e zgjedhjeve me pasoja direkte mbi rezultatin e të gjithë zonës zgjedhore. Veprime këto të palejueshme e në kundërshtim dhe me parashikimet e neneve 33 e 122 të Kodit Zgjedhor”, u shpreh Bushi. 

Sipas tij: “Nga ana e KZAZ nuk janë lejuar vëzhguesit e ankuesit, si kandidat i mbështetur nga zgjedhësit, për të hyrë e qenë prezent në ambientet e VNV-ve për të monitoruar procesin e numërimit. Shkelje e cila është bërë në mënyrë të qëllimshme për të mos lejuar konstatimin e shkeljeve të ligjit të lejuara nga KZAZ e kryera nga GNV mbi votat e marra nga ankuesi”. Kërkesën e ardhur nga Dritan Prifti e mbështeti parimisht edhe Partia Demokratike, e cila kërkoi transparencën e këtij procesi. 

“Ne mbajmë qëndrim parimor në raport me transparencën. Neni i Kodit Zgjedhor kërkon që gjatë procesit në procesverbale të mbahen shënime nga komisionerët dhe anëtarët e grupeve të numërimit. Këto janë garancitë që kërkon legjislatori. Në rastin e kandidatit të pavarur të qarkut të Fierit, Dritan Prifti, duhet të thellohej hetimi sepse ai nuk kishte komisioner dhe vëzhguesit nuk i ishin pranuar për të ndjekur nga afër procesin. Ne jemi që ta thellojmë hetimin”, u shpreh Kaso në mbledhjen e djeshme. 

Gjatë procesit të djeshëm, Partia Socialiste, e përfaqësuar nga Koli Bele, kërkoi që Kolegji të rrëzojë kërkesën, pasi ajo nuk është e bazuar në prova e ligj. Gjykata e Apelit vendosi dje gjithashtu të rrëzojë një padi të Partisë Demokristiane, e cila njësoj si Dritan Prifti, kërkonte rinumërim të të gjitha votave të qarkut të Fierit për shkak të parregullsive që janë konstatuar gjatë procesit. 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.