Kolegji pushon hetimet për Shkodrën, PS kërkon rivotim në Lezhë

Postuar në 26 Korrik, 2013 08:39

Kolegji Zgjedhor pranoi sot kërkesën e Partisë Socialiste për pushimin e hetimeve lidhur me çështjen e qarkut të Shkodrës. 

Gjatë një daljeje për mediat, përfaqësuesi i PS-së, Koli Bele, tha se KQZ-ja e ka përfunduar tashmë rinumërimin e votave për Shkodrën dhe se ankesa e partisë që ai përfaqëson, tashmë do t’i referohet procedurës së KQZ-së dhe jo tabelave përmbledhëse. 

“Iu drejtuam kolegjit, pasi KQZ-ja mori vendim të kundërligjshëm si për qarkun e Shkodrës dhe atë të Lezhës. Një nga arsyetimet ishte edhe vonesa në daljen e rezultatit përfundimtar. 

Nuk ia vlente ta vazhdonim, se ne si PS s’kemi pasur probleme me hapjen e kutive”, tha Bele. Gjithashtu, ai shtoi se PS-ja do të kërkojë edhe pavlefshmëri për procesin zgjedhor të qarkut të Lezhës. 

Ndërkohë Kolegji pritet që sot në orën 16:00 të japë vendimin në lidhje me provat e paraqitura nga LSI-ja për qarkun e Kukësit, nga ku kjo forcë politike pretendon të marrë një mandat. 

Dy ditë më parë kolegji pranoi provë materiale filmike dhe vendosi që akti i ekspertimit të bëhet nga dy ekspertë të caktuar nga 2 forcat politike të interesuara, përkatësisht LSI-së dhe PD-së. LSI caktoi Ardian Pollon ndërsa Partia Demokratike Zamir Hoxhën.

KQZ-ja mbrohet: Hetimet i shërbyen transparencës

 

KQZ-ja mbajti ditën e sotme një deklaratë për mediat nga ku tha se hetimet për Lezhën dhe Shkodrën i shërbyen transparencës. Përmes zëdhënëses, Drilona Hoxhajt, KQZ-ja theksoi se veprimtaria e saj ka qenë në përputhje me Kodin Zgjedhor.

"Ndërmarrja e thellimit të hetimit administrativ dha impakt jo vetëm sa i përket transparencës dhe besueshmërisë së procesit, por mbi të gjitha provoi se në zbatim korrekt të ligjit, çdo manipulim i rezultateve të zgjedhjeve dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, evidentohet dhe do të marrë ndëshkimin ligjor të merituar", deklaroi për mediat zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

KQZ përmbylli dje shqyrtimin administrativ të 41 ankimeve paszgjedhore të paraqitura nga subjektet zgjedhore, të cilat i shqyrtoi rast pas rasti, duke rrëzuar plotësisht 33 prej tyre.

"Vetëm për dy zona zgjedhore, KQZ nuk u kufizua në objektin e kërkimit, konkretisht për qarkun Lezhë dhe për qarkun Shkodër, ku provat e administruara gjatë hetimit i shërbyen KQZ-së, si indicie për thellimin e hetimit administrativ", tha zëdhënësja.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.