Intervista/Arben Malaj: Katër mundësitë e Ramës dhe.. pasojat

Postuar në 05 Gusht, 2013 03:04

Qeveria e re, kujdes nga veprimet e sforcuara për rezultate të shpejta. E ardhmja ime në shtator!

ARD KOLA
Zgjidhje ka, disa, por çështja është të gjendet ajo e duhura, më me pak pasoja. Për herë të parë, pas përfundimit të zgjedhjeve, eksperti i financave publike, Arben Malaj, analizon me detaje situatën ekonomike në vend dhe çfarë sfidash e presin qeverinë e re. Ish-ministri i Financave tregon për “Shqip” se cilat duhet të jenë reformat, ku duhet të bëjë kujdes qeveria “Rama” dhe cila do të jetë e ardhmja e tij në shtator.
Pyetja e parë lidhet direkt me masat e nevojshme që duhet të marrë qeveria e re, por në fakt, duke parë të dhënat e 6-mujorit duket se hapësirat janë të pakta për të manovruar. Fjala vjen për deficitin, etj. Si mendoni?

Keqpërdorimi i financave publike për qëllime elektorale është në nivele kritike, në mënyrë të veçantë huamarrja. Është hera e dytë që PD kur largohet nga pushteti lë pas një gropë të thellë edhe të financave publike. Përpara zgjedhjeve të 26 majit 1996 u konstatua e njëjta gjë, qeveria përdori gati 100% të kufirit të huamarrjes brenda 6-mujorit të parë. E njëjta gjë konstatohet edhe në vitin 2013. Është tejkaluar që në 6 muajt e parë të vitit rreth 85% e kufirit vjetor të huamarrjes, çka do të thotë që pjesa e mbetur e vitit do të jetë më e vështirë.
Pra cilat janë mundësitë?

Në kushtet kur mosrealizimi i të ardhurave dhe në veçanti i të ardhurave nga taksat dhe tatimet rezulton rreth 11 miliardë lekë është shumë e vështirë të mendosh që mundësia e parë mbetet bllokimi i shpenzimeve operative dhe investimeve për 6- mujorin e dytë dhe kjo të “ndihmon” të respektosh kufirin ligjor të deficitit. Bllokimi është i pamjaftueshëm dhe i dëmshëm, sepse dëmton disa shërbime bazë në shëndetësi, arsim, rend publik dhe investime buxhetore që do të zvarriten akoma më shumë.
Mundësia e dytë është të mos paguash biznesin për mallrat, shërbimet dhe investimet publike të tyre për buxhetin. Të ngrish pagesat ndaj biznesit, kjo e thellon krizën e tyre të likuiditeteve, vret rritjen ekonomike, rrit papunësinë dhe kreditë e këqija.
E treta, miradministrimi! Mund të jetë një prioritet sepse vetëm në qershor 2013 janë mbledhur rreth 23% më pak taksa, ku ndoshta diferenca kaq e madhe në një muaj ka brenda rimbursimin e TVSH-së për një kompani. Por katër muaj shtator-dhjetor janë periudhë e pamjaftueshme për të marrë rezultate të shpejta nga përmirësimi i administrimit dhe të kompensosh mosrealizimet e deritanishme.
Mundësia e katërt, njohja e deficitit të rritur, miratimi i një kufiri të ri më të lartë që përputhet me realitetin e thellimit të tij. Elementet kryesore, struktura dhe përmasat e reformave të konsolidimit fiskal, duhet të jenë pjesë e paketës fiskale të buxhetit të vitit 2014 dhe programit afatmesëm 2014-2017.
Përgjegjësia për stabilitetin e financave publike do të duhet të mos rrisë borxhet ndaj biznesit, të mos dëmtojë shërbimet jetike dhe investimet në proces, duhet të përmirësojë administrimin fiskal dhe të ndërtojë një buxhet të bazuar në vizionin për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike bazuar në reforma dhe jo në veprime të sforcuara e të cunguara për rezultate të shpejta.
Atëherë le të flasim më konkretisht për reformat e katër viteve të ardhshme, për të cilat ka nevojë vendi, por më parë, donim të dinim opinionin tuaj: jeni për ulje taksash (sikurse është premtuar), duke sjellë më pak shpenzime, apo për stimuj më të fortë në ekonomi?

Qeveria e re, në programin e 300 ditëve të para, duhet të ndajë me votuesit vizionin e saj për reformat jetike për të cilat ka nevojë vendi. Janë reformat kushtetuese të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve. Është reforma e strukturës dhe ndarjes administrative ku kjo aktuale keqpërdor shumë taksa dhe ka efikasitet të ulët. Është reforma për stabilitetin e financave publike, e cila nuk mund të përmblidhet në një rregull të vetëm apo të fortë fiskal. Është reforma e administratës publike si reformë afatgjatë, janë reformat ligjore dhe institucionale të përafrimit me BE-në.
Prioritet duhet të marrin reformat që nxisin dhe mbështesin rritjen ekonomike, disa prej të cilave me theks të veçantë në mirëqeverisjen e vendit si e drejta e pronës, lufta kundër korrupsionit, kundër nepotizmit, kundër abuzimit dhe arrogancës së administratës publike etj.
FMN, BB dhe BE kanë analizuar përvojat e shumë vendeve në përballjen e tyre me deficitet dhe borxhet e larta, në përballjen me rritjet ekonomike anemike që janë shoqëruar me papunësi të lartë jo vetëm ciklike, por edhe strukturore.
Pjesën kryesore të reformave të stabilitetit të financave publike do ta zënë reformat në krahun e shpenzimeve, rritja e efikasitetit të tyre dhe vendosja nën kontrollon dhe reduktimi i shpenzimeve jo efikase. Njëkohësisht do të duhen reforma në politikat e taksave për një strukturë më të harmonizuar midis tyre dhe niveleve optimale të taksave. Stimulimet ekonomike, rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike pa reforma nuk prodhojnë efekte pozitive të qëndrueshme për një rritje më të lartë ekonomike dhe për uljen e papunësisë dhe varfërisë.
A na rrezikon ky nivel borxhi dhe sa e vështirë do të jetë për qeverinë e re ulja?

Borxhi publik është në nivele kritike. Rritja e ekonomisë pengohet edhe nga borxhet e larta të kompanive, pengohet edhe nga niveli i lartë i kredive të këqija. Financimi me kosto të ulët aktualisht është vetëm për qeverinë, por vazhdon me kosto të larta/rënda për konsumin dhe investimet e individëve dhe kompanive private. Qeveria e re do të ketë ekspertizën e nevojshme për të ndërtuar një strategji të uljes graduale të borxhit publik, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe të punësimit, por pa e lejuar barrën e tij të bëhet akoma më e rëndë. Kur një qeveri e financon ekonominë e saj me rritje borxhi, ajo ia merr apo “i vjedh” dhe i keqpërdor taksat e brezit të ardhshëm. Ndaj kërkohet një këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë për sfidat që ka vendi. Presioni për masa radikale, apo përmirësime nëpërmjet drejtimit me dorë të fortë janë vetëm të përkohshme dhe krijojnë efekte negative në periudhat e ardhshme.
Duket sikur të gjithë mezi po presin FMN-në, por në fakt çfarë leverdie kemi nga një marrëveshje të mundshme dhe sa e lirë do të jetë qeveria në të ardhmen për të vepruar, duke pasur Fondin mbi krye? Çfarë mendoni për auditin ndërkombëtar?

Ne kemi pasur një bashkëpunim të efektshëm me FMN dhe jo vetëm personalisht u jam mirënjohës për mbështetjen në kapërcimin e krizës së ‘97-s. Rritja ekonomike 1997-2008 ishte e lartë, papunësia dhe varfëria u reduktuan ndjeshëm. Disa kërkojnë “liri” nga kushtet e FMN-së dhe institucioneve të tjera që gjithnjë e më shumë janë unik në kërkesat ndaj vendeve anëtare. Liria për të mos luftuar korrupsionin, kapjen e shtetit, nepotizmin në institucionet kushtetuese dhe në administratë, liria për arrogancën ndaj biznesit, liria e pakufizuar apo kushtëzuar për borxhe dhe deficite të larta; janë “liri” që e vrasin të ardhmen tonë dhe jo kushte të paplotësueshme në bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare.
Lidhur me auditimin ndërkombëtar, nëse do të fokusohet tek buxheti sipas Kushtetutës, neni 158, treguesit e tij vërtetohen/certifikohen nga KLSH. Mazhoranca e re deri në nëntor do të ketë në Parlament për të votuar buxhetin faktik të vitit 2012, i cili sipas paragrafit 5 të këtij neni duhet të miratohet nga Kuvendi pasi të dëgjojë raportin e KLSH. A do ta votojë apo do të presin rezultatet e auditimit ndërkombëtar? Misionet e Bankës Botërore, Bashkimit Europian dhe FMN kanë bërë analiza dhe vlerësime edhe gjatë vitit 2013 për sistemin e menaxhimit të financave publike. Në dokumentet e tyre mund të gjenden qartësime të problematikës dhe pikat e dobëta që duhen përmirësuar.
Kërkoj mirëkuptim që është e vështirë të kem një vlerësim përfundimtar për idenë e auditimit ndërkombëtar, pasi së pari, qeveria e re duhet të përcaktojë objektin e këtij auditimi, periudhën që do të auditohet, kohën e publikimit të gjetjeve, duhet të parashikojë koston/fondet buxhetore dhe duhet të bëjë një përzgjedhje transparente të kompanisë audituese. Të gjithë këta elementë të panjohur qartë deri tani, nuk të ndihmojnë të kesh një përgjigje të qartë profesionale.
E fundit, nisur nga përvoja juaj në fushën e financave, pavarësisht si rrodhën zhvillimet politike, a do ta asistoni (dhe si) qeverinë e re në reformat që do të ndërmarrë? Cili do të jetë angazhimi juaj?

Patjetër që kam detyrime mirënjohëse ndaj vendit tim dhe do të angazhohem profesionalisht. Besoj që edhe kjo intervistë është një formë e kontributit publik. Pas shtatorit do të angazhohem në analizat dhe diskutimet për sfidat e mirëqeverisjes. Kemi studiuar përvoja të ndryshme të instituteve shkencore për politikat publike, përfshirë Institutet për Politikat Fiskale, të cilët pasi Ministria e Financave dhe Instituti Kombëtar i Statistikave publikojnë të dhënat mujore, ata ndajnë me publikun analiza profesionale të dinamikes dhe problematikës që kanë financat publike. Pra do të kemi kontribute graduale dhe mujore në shërbim të rritjes së transparencës.
FMN në reformat për mirëmenaxhimin e financave publike, është duke rishikuar, plotësuar dhe përmirësuar Kodin e Transparencës së Financave, ku ka parime, kritere dhe afate të qarta e të monitorueshme. Monitorimi i respektimit të këtij kodi, ndjekja dhe analiza e arritjeve dhe dështimeve bazuar në indekset ndërkombëtare, synohet të jetë një kontribut i vlefshëm.
Efikasiteti i politikave publike në fushën e arsimit, shëndetit, ambientit, buxhetit do të jenë pjesë e studimeve duke bashkëpunuar me institute homologe vendase dhe të huaja.
Sfida jonë do të jenë analizat dhe publikimet, që do ta kenë të shenjtë profesionalizmin, aq më tepër përballë një populizmi të rritur dhe të dëmshëm që kërcënon mirëqeverisjen.

Para zgjedhjeve të 26 majit ‘96 u konstatua e njëjta gjë, qeveria përdori gati 100% të kufirit të deficitit

Lidhur me auditimin ndërkombëtar, nëse do të fokusohet tek buxheti treguesit e tij vërtetohen nga KLSH
Programi

Qeveria e re, në programin e 300 ditëve të para, duhet të ndajë me votuesit vizionin e saj për reformat jetike për të cilat ka nevojë vendi
Auditi

Është e vështirë të kem një vlerësim përfundimtar për idenë e auditimit ndërkombëtar, pasi qeveria e re duhet të përcaktojë objektin dhe periudhën

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.