Berisha: Vazhdojmë me koncesionet

Postuar në 24 Korrik, 2013 05:05

Në mbledhjen e radhës të qeverisë, kryeministri në detyrë, Sali Berisha deklaroi se qeveria e kryesuar prej tij do të vazhdojë punën normalisht me nënshkrimin e kontratave koncesionare me kompanitë private, pavarësisht deklaratave të PS-së për anulimin e tyre.

“Janë dhjetra koncesione për hidrocentrale dhe me gjithë zotimin e zyrës së kryeministrit të zgjedhur, sic e quan ai veten, se do anulojë cdo koncesion, kjo qeveri do vazhdojë të bëjë detyrën e vet”, tha Berisha. 

Kryeministri në largim i cilësoi këto kontrata koncesionare, sidomos ato në fushën e energjitikës dhe hidrocentraleve, histori suksesi. 

Në mbledhjen e qeverisë, Berisha shprehu keqardhjen, që sipas tij, nuk mundi të rrisë ndihmën ekonomike për personat në varfëri ekstreme. Berisha tha se ka abuzime në skemën e ndihmës ekonomike, të cilat shpresonte që t’i pastrojë qeveria e ardhshme. 

“Shpreh keqardhje për një objektiv që nuk e arrita dhe ky ka qenë rritja e ndihmës ekonomike për të gjithë ata që ishin në varfëri ekstreme. Shqipëria ka mundësi që asnjë shqiptarë të mos jetojë në varfëri ekstreme. Mund të bëhet dhe uroj që qeveria e ardhshme të mund të bëjë një pastrim të madh të informaliteti në ndihmën ekonomike. Nga kjo do të mund të nxirrnim fondet e mjaftueshme për të rritur ndihmën ekonomike për personat në varfëri ekstreme”, tha Berisha. 

Kryeministri ftoi ministritë dhe agjencitë që të vazhdojnë të dorëzojnë projekt-ligje pranë qeverisë që do t’i dorëzohen Kuvendit të ri në nisjen e punës në shtator.

 

 

 Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.