Basha: S’jemi Partia Komuniste e Kubës, diversiteti i mendimeve, vlerë për PD

Postuar në 07 Gusht, 2013 05:43

Shefi i ri i PD flet për herë të parë pas zgjedhjeve në revistën MAPO. “Nuk ka garë pa kontestime. Komentet pas procesit janë pjesë e debatit të brendshëm. Sali Berisha, shkollë politike për brezin tim në PD”
Shefi i ri i PD-së, Lulzim Basha flet për herë të parë për median, pas garës që ngjalli mjaft debat. Në një intervistë ekskluzive për numrin e ri të revistës MAPO (që nga sot në treg), Basha skicon modelin e opozitës që do të bëjë. Është i kujdesshëm kur flet për balancat e reja në PD dhe refuzon që fitoren e tij me 80 për qind të votave ta konsiderojë si shenjë për një ‘përmbysje’ të raporteve në parti. Objektivi i tij është mazhoranca e re Rama-Meta, mes të cilëve ai nuk sheh asnjë dallim. “Ky rezultat, për mua është një inkurajim shumë i madh. Partia Demokratike bëhet gati të zbarkojë në një terren opozitar, përballë një mazhorance të ardhur në pushtet nëpërmjet një deformimi të votës më 23 qershor”, – thotë Basha në këtë intervistë ekskluzive për revistën. Zgjedhja e tij në krye të PD-së nuk kaloi pa kontestime, por për kryetarin e ri, ato janë tipar i natyrshëm në një strukturë demokratike. “Nuk ka pra garë pa kontestime. Dhe vetë zërat e komentet pas procesit, janë pjesë e kulturës së hapjes dhe debatit të brendshëm të çdo anëtari”,-pohon i pashqetësuar ai. Në këtë kontekst, Basha nuk mund të mos pyetej për rivalin e tij në parti, Sokol Olldashin. “Kemi patur një bisedë telefonike, ku më ka uruar”, – thotë ai shkurt. Kryetari i ri i PD-së nuk sheh asnjë rrezik çarjeje në PD, megjithë kritikat që figura të njohura të PD i kanë bërë procesit. “Nuk jemi Partia Komuniste e Kubës, apo e Koresë së Veriut. Jemi krenarë për trashëgiminë që kemi”, – përgjigjet Basha, duke e cilësuar vlerë për Partinë Demokratike, rrahjen e mendimeve apo diversitetin e tyre. Raportet me Berishën, para dhe pas zgjedhjes në krye të PD-së mbeten në fokusin e kësaj bisede për revistën MAPO. “Në politikë, gjithsecili hyn me vlerat e veta njerëzore, me kapitalin personal apo profesional. Por, në Partinë Demokratike, i gjithë brezi të cilit unë i takoj, e kemi rritur shtatin në një shkolle politike, dhe kjo shkollë politike e ka emrin Sali Berisha”, – përgjigjet ai. Por, si do të jetë opozita “Basha”? Dhe, a do të rihapet kapitulli i zgjedhjeve të humbura nën udhëheqjen e tij? Kryetari i ri garanton se kjo analizë duhet të bëhet e plotë dhe e thelluar, por pa u ligështuar brenda këtij procesi, në mënyrë që PD të ketë fokusin dhe energjinë e duhur për të ndërtuar strategjinë e re opozitare. “Do të jetë një proces organik dhe gjithëpërfshirës, ku çdo anëtar do të thotë hapur dhe pa doreza mendimin e tij”, – shton ai. Basha nuk e cilëson problem dualitetin mes drejtimit të PD-së dhe atë të Bashkisë dhe as një ndryshim qëndrimi mbi ato që ka thënë për Ramën në fushatën e 2011. Ai garanton se do të përmbushë të gjitha angazhimet ndaj qytetarëve të Tiranës dhe nuk do t’i lejojë për asnjë moment vetes shpërdorimin e besimit të tyre, duke përdorur bashkinë në funksion të luftës dhe përballjeve politike. Por, ç’mendon ai për mazhorancën e re, ku me njërin prej drejtuesve, Ilir Metën, ka pasur bashkëpunim të frytshëm për Bashkinë. “Kundërshtari ynë politik, ndonëse përbëhet nga dy formacione politike, sillet si një i vetëm. Ndaj, do të ishte iluzive dhe absolutisht joproduktive për opozitën në tërësi, për Partinë Demokratike në veçanti, për anëtarësinë tonë, të ushqejmë veten me iluzione, një muaj pas rezultatit të 23 qershorit”, – u shpreh Basha.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.