Plani i Jared Kushner në Beograd kundërshtohet nga serbët

Postuar në 29 Prill, 2024 16:02

Plani i Jared Kushner për një kompleks luksoz në qendër të Beogradit nuk është pritur mirë nga serbët.

Për shumë prej tyre, do të ishte njësoj sikur talebanët të ndërtonin një kompleks apartamentesh luksoze në vendin e Kullave Binjake në Nju-Jork.

Projekti zhvillimor që ka pas Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Richard Grenell, një nga bashkëpunëtorët e Trump-it, përfshin rrënimin e selisë së bombarduar të ish-ushtrisë jugosllave, e cila deri më tani ishte lënë kryesisht e pazhvilluar si një memorial jozyrtar për bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

Është skandaloze që vendi ku njerëzit u vranë dhe u bombarduan të shndërrohet në një vend me xhakuzi dhe kazino,” tha Aleksandar Jovanović Ćuta, nga radhët e opozitës dhe i pari që publikoi detaje të planit.

Sipas dokumenteve të cilave u referohet ai, negociatat kanë nisur që në vitin 2022. Marrëveshja parashikon që Ministria serbe e Infrastrukturës t'i japë një leje 99-vjeçare për dy parcela toke kompanisë së Kushner “Realty and Atlantic Incubation Partners”, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Delaware vitin e kaluar.

Pasi detaje të këtij plani u publikuan në media, Kushner e konfirmoi lajmin duke postuar projeksione dixhitale të planeve të zhvillimit në X, ku përfshihej edhe projekti për Sazanin në Shqipëri.

Jozyrtarisht, serbët i referohen ndërtesës në fjalë si Generalštab. Ajo ka shërbyer si qendër nervore për inteligjencën ushtarake dhe operacionet e ish- Jugosllavisë.

Për shumë serbë, rrënojat e saj janë kujtim nga fushata e bombardimeve të NATO-s, gjatë së cilës u vunë në shënjestër objekte strategjike ushtarake dhe politike në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë në një përpjekje për të frenuar fushatat e spastrimit etnik të Slobodan Millosheviçit.

Zërat për interesin e familjes Trump për ndërtesën datojnë në vitin 2013, kur kryeministri i atëhershëm Ivica Daçiç tha se Trump - manjat pronash dhe yll i reality show në atë kohë – po mendonte të ndërtonte një hotel luksoz në atë vend.

Realizimi i këtij projekti duket se është lehtësuar nga Grenell, ambasador në Gjermani dhe i dërguar në Serbi dhe Kosovë gjatë administratës Trump. Ai e ka sugjeruar zhvillimin e këtij projekti në 2020.

Fakti që Grenell shfaqet si ndërlidhësi kryesor mes Kushner dhe qeverisë serbe nuk habit njeri në Serbi, nëse marrim parasysh stilin trampian të diplomacisë së tij, që shkoi deri aty sa të propozonte që liqenit të Ujmanit t’i bëhej emri liqeni Trump.

Grenell, i cili mbetet një aleat i ngushtë i Trump, është përfolur si sekretar i mundshëm Shteti nëse Trump rimerr presidencën. Ai njihet për miqësinë me ministrin serb të Financave, Siniša Mali, firmëtar i marrëveshjes DFC midis SHBA-së dhe Serbisë që rregullon aktivitetet e bankës së investimeve në vend.

Arsyeja pse më shumë njerëz që janë kundër projektit nuk po dalin në publik është sepse ata e dinë se do të pushohen nga puna dhe do të ndëshkohen menjëherë për të”, thotë Jovanović.

Jovanović dhe figura të tjera të opozitës kanë nisur një peticion kundër projektit, duke mbledhur rreth 22 000 nënshkrime dhe kanë paralajmëruar protesta për të parandaluar realizimin e projektit.

Kundërshtarët e projektit pohojnë se një nga arsyet që negociatat rreth rizhvillimit të sitit janë zhvilluar kryesisht me dyer të mbyllura është sepse dhënia e tokës investitorëve të huaj do të shkelte ligjet që caktojnë ndërtesën si "trashëgimi kulturore".

Nëse ata janë seriozë për të vazhduar me ndërtimin në vendndodhjen e selisë së ish-Jugosllavisë, të paktën tre rregullore të veçanta duhet të shfuqizohen”, thotë Branislav Dimitrijević, historian arti që merr pjesë në lëvizjet protestuese kundër ndërtimeve të paligjshme në Beograd.

Ai thotë se lokacioni në rrugën “Knjaz Miloš” ku ndodhet ndërtesa ishte caktuar për përdorim ekskluzivisht si qendër administrative ose qeveritare që nga planet e para të ndërtimit urban për Beogradin në shekullin e 19-të dhe nuk është menduar për projekte komerciale.

Duhet shkelur rëndë ligji që ajo zonë t'i transferohet apo shitet kujtdo, e lëre më të dhurohet siç është rasti me marrëveshjen e Kushnerit,” vazhdoi Dimitrijeviç.

Në vitin 2005, objekti u shpall monument i mbrojtur me vendim të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, organ i Qytetit të Beogradit. Vendimi i tyre specifikon se çdo ndryshim në ndërtesë duhet të "ruajë pamjen autentike, dimensionet horizontale dhe vertikale, elementët e ndërtimit dhe projektimit të ndërtesës, si dhe materialet e saj origjinale".

/ Me shkurtime nga Politico.eu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.