Faqet e qeverisë bien njëra pas tjerës

Postuar në 27 Dhjetor, 2023 00:28

Njëzet e katër orë pasi hakerat e Homeland Justice njoftuan se kishin shtënë në dorë të gjitha të dhënat e kompanisë One Albania, disa prej faqeve të qeverisë janë jashtë funksionit.

Mëngjesin e së hënës, në kanalin e saj në Telegram, Homeland Justice njoftoi se kishte fshirë më shumë se 2 petabajt të të dhënave të rrjetit të telekomunikacionit dhe rrjetit të brendshëm të të gjitha kompanive të lidhura.

Vetëm pak orë më pas, faqja e Kuvendit doli jashtë funsksionit. “Homeland Justice” mori përsipër sulmin, duke shkruar se « deputetët e korruptuar do të shkatërrohen së shpejti”.

Paralelisht me rënien e faqes së Kuvendit, hakerat njoftuan edhe aksesin në të dhënat e Air Albania-s.

Por pasditen e së martës, numri i faqeve që dolën jashtë funksionit u rrit. Një vështrim i shpejtë i faqeve qeveritare tregoi se nuk funksionojnë disa prej faqeve të agjencive në varësi të qeverisë, si faqja e Arkivave të Shtetit dhe ajo e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Po ashtu, jashtë funksionit janë edhe faqet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive.  Një mosfunksionim që nuk duket i rastit pas sulmeve të mëngjesit të së hënës.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.