Nis turi i drekave me mish nga njëri cep në tjetrin. Buxheti do diskutohet me Popullin

Postuar në 02 Nëntor, 2023 19:13

Pas qeverisë, stafetën e marrin bashkitë. Edhe ato do të diskutojë me popullin projektbuxhetin e ri të vitit 2024. Bashkia Sarandë ta zëmë e ka ndarë popullin në grupe interesi me të cilët do të bëjë takime për të folur për taksat lokale e kështu me radhë. Edi Rama model politik dhe referimi!!! Ndodhi edhe kjo në Zululandin tonë. Njësoj si me ligjin për legalizimin e kanabisit, z. Rama ushtron mekanizmin e referendumit faktik për të kaluar projekte që do t’i kalojë vetë e për të eliminuar çdo zhurmë.

Si mundet të diskutohet buxheti në një tur në Shqipëri? Si mundet që ky atribut t’i hiqet Parlamentit duke paralajmëruar kështu se ky njeri nuk do më as të jetë në atë sallë, të debatojë e të flasë, por vetëm të marrë mikrofonin e të shëtisë fshat më fshat për të folur për investimet e gjithfarë trukesh financiare që s’i kupton kush? As ky vetë madje?

Çfarë republike parlamentare jemi ne sot? Është një pyetje që vjen vetiu në kushtet kur çdo vendim që ka rëndësi merret nga një njeri i vetëm? Sepse republika parlamentare vepron me parimin e delegimit të pushtetit. Kështu siç po shohim, nuk kanë më rëndësi as zgjedhjet, sepse aty caktohet ai ose ajo që do Edi Rama.

Edi Rama, njeriu i amerikanëve na thonë. Edi Rama, njeriu i BE-së në Tiranë. Edi Rama, arkitekt, Edi Rama stilist, artist, këngëtar, aktor. Edi Rama vizionar e shtetar, gjithçka e në të vërtetë një hiç në historinë pozitive të këtij vendi. Pa kuptuar dhe pa e ditur, ashtu me ligësi dhe delir, zotëria në fjalë po shpërbën edhe grimat e fundit të besimit në këtë vend e ka për të mbetur si ai plaku që dërdëllit dhe bën t’u shkëlqejnë sytë ca fshatarëve të pagdhendur që përjetojnë fatin ta shohin, e të cilët e kalojnë veten për intelektualë province, apo ca të tjerëve që kanë interesa dhe e durojnë se ua do puna, pavarësisht se e përçmojnë dhe neverisin.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po lene o burr mos bo kot. Per ty shyqyr qe eshte se po te mos ishte ai ca do shkruje. Dhe ta harroje tasin e persheshit pastaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.