Samit Party në Tiranë

Postuar në 16 Tetor, 2023 19:36

Një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë një talent të rrallë: dinë të shpërfytyrohen sepse në të vërtetë ashtu dinë. Zakoni shqiptar i vlerësimit të Mikut - edhe ai i shkruar - ka kaluar dora-dorës në një lloj adhurimi kompleksiv që nuk mund të lërë shije të mirë, madje as të kuptohet mirë nga kushdo që e sheh, apo përjeton si shfaqje të Tjetrit.

Ajo çfarë pamë sot në Tiranë ishte një shembull i të gjithë kësaj. Vallë mund të pyesim a mbeti më gjë pa shkruar? Mbeti lavdërim dhe mburrje pa u rreshtuar? U ezaurua vallë imagjinata e sëmurë shqiptare e festës së dalldisur me këngë e valle në kuadër të një samiti politik? 

Sepse për aq sa i takon një qytetari të zakonshëm, Europa nuk është pritur të vijë në Tiranë me një samit: ajo është destinacioni i gomoneve, monopateve, konsullatave me viza të shitura, punësimit e kështu me radhë. Europa ka kohë që është aty si varianti ynë ekonomik të cilin po ajo politikë që të përzë dhe e mban vendin larg, përpiqet të interpretojë si pasuri tonën shpirtërore.

Nuk mjafton vetëm kjo: rastisi që sot presidenti francez Emmanuel Macron që viziton Tiranën, do të nisë vizitën e tij me një dekorim të Ismail Kadaresë në Pallatin e Brigadave. Festa pra vazhdon: Shqipëria është qendra e botës dhe qytetërimit. Aq sa dikush shkruante sot se “Gjesti simbolik i Presidentit Macron, në vizitën e parë të një presidenti të Francës në Shqipëri, i jep shumë kuptim identitetit tonë perëndimor, pasi Ismail Kadare është shqiptari që Perëndimi dhe vetë Franca e ka pranuar si pjesë të vlerave të tyre më shumë se çdo shqiptar tjetër”. Kadareja si hajmali nacionale edhe njëherë tjetër!!!

Dekorata ka marrë nga Francois Hollande edhe Edi Rama, edhe Mirela Kumbaro. Cili është dallimi? Macron është një politikan, madje nga këta të kësaj kohe që për imazh nuk i vë fre fantazisë dhe improvizimit. Ka zgjedhur të bujtë në Ballkan nga Shqipëria për të shënuar një lloj spektakli kundërpozues ndaj “samitit gjerman” të Tiranës, por edhe për të njoftuar një politikë të re franceze ndoshta për rajonin. Pak javë më parë, me rastin e incidentit të Banjskës, Parisi njoftoi caktimin e një të Dërguari për Ballkanin siç ka Gjermania, apo edhe Italia, që ka munguar në samitin e sotshëm.

Çfarë festohet se është me të vërtetë e pakuptueshme?! Dhe si e forcoka kjo që ndodhi identitetin tonë perëndimor një samit e një dekoratë, kur për rajone si ky yni duhet të jemi të kujdesshëm dhe seriozë e të frenojmë tek Identiteti Europian, pa u shtyrë në gargarën e zakonshme të servilizmit me të qenit perëndimor, se edhe nuk na beson kush, por edhe shfaqemi për atë që jemi: Palaçot e përjetshëm! Që na pëlqen të shpallim tonën një shtëpi që është e tjetërkujt.

Pak, shumë pak shqiptarë e njohin Europën dhe historinë e Identitetit të saj. Shqiptarët njohin ekonominë e kontinentit, e kanë zgjedhur atë mu për këtë arsye. Të mos ushqejmë asnjë iluzion që e sëmur edhe më tej logjikën tonë të mjerë me të cilën krijojmë autoportretin tonë. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Politiken e ben Presidenti, e ben dhe Kryeministri. Se cfar politike ben Presidenti yne normal dihet, po dihet dhe se cfar politike ben Kryeministri yne kreativ. Politika eshte Spektakel, dhe spektakeli eshte politik. Mandatin per te bere politik e ka Edi Rama, dhe ai do te beje spektalin e tij politik ashtu sic din Ai te krijoje e ndertoje imazhe ne funksion te nje spektakli politik. Qe nga koha e Kajit me Abelin ka filluar inskenimi apo spektakli, ku Abeli inskenoje nje altar me prodhimet bujqesore dhe zoti i kushtoj vemendje, pra cdo gje eshte spektakel, Roma e Lashte bente spektakel me politiken, Komunizmi ka bere spektakel me imazhet e politikes. E ka luajtur kaq bukur skenen me dekor dhe skrenar sa imazhet e manipulimit te komunizmit i kemi akoma te regjistruara dhe nuk na shqiten. Vatikani ben spektakel me imazhin e ritualet e imazhit qe nuk jane gje tjeter vec se spektakel. Edi Rama po ben politike dhe po ben spektakel, dhe imazhet e spektaklit te Edi Rames si kurator politik, i nguliten ne koke te gjithe pjesmarrsve dhe do ti marrin me vete gjer ne varr. Kjo eshte e vertetea; imazhi ka fuqi regjistrimi dhe skenat nuk harrohen. Degjoje nje komentim ndeshje futbolli ne radio, dhe shikoje nje ndeshje ne stadium e bej krahasimin. Ai qe degjon ne radio javen tjeter nuk mban mend asgje, ai qe e perjeton ndeshjen ne stadium e ka te regjistruar gjithe jeten. Kete beri Edi Rama nje spektakel te paharrueshem ku pjesmarresit do ta kujtojn imazhin gjithe jetes se tyre. Kjo eshte politike, dhe Edi Rama e ben mire. Politika ka te beje me formesimin dhe ndikimin, dhe Edi Rama di te beje politike me spektakel, me imazh, me simbol, me metafor, dhe keto jane ritualet e politikes. Dhe Albin Kurti ben politike me imazhin, po ne galerine boterore tablloja e Kurtit nuk mbahet mend dhe ekspozita e imazhit te kurtit eshte nje dejavu po me te njeten ritual te merzitshem.
Ne boten tone sigurisht qe kritika ka shume rendesi, po jo te jete gjithmone ne nje modus antologjie per nje spktakel te merzitshem per ti vene zile miut. Edhe ti ben nje spektakel me lajmet dhe imazhin, duke servirur nje realitet qe, nuk po ja qellon ashtu sic duhet me imazhet qe na servir, dhe kjo eshte kritika ime ndaj spektaklit tend manipulues.

Submitted by redaksia on

Mendimet e pervojes njereozore me politiken si spektakel i dime. Megjithate falemnderit qe i percolle serish. Nuk eshte kunder kush ketij perdorimi, por kanalizimit te tij strikt ne llogari personale te nje njeriu. Legjitime edhe kjo, por jo kur politika shnderron edhe permbajtjen e vet ne element teatraliteti. 

Edi Rama eshte shembulli me i mire per te kuptuar sesi e Keqja ka sukses. Dhe nuk eshte per te ardhur keq pse ai luan me elemente manipulative, por sesa lehte manipulon "turmen pa tru". Komunizmi, feja etj., kane nje spektakel dhe narrative shume me komplekse dhe kishin me vete besimtare gjenuine. Me fal: Ky? Pse duhet te tund zilen e thiatros se zoterise?

Sa me siper jo si replike edhe sepse ne boten tone te gjithe kane te drejte. Per sa i perket asaj qe thua per shenimi  se po bej spektakel me kritika te paqena, apo se po perpiqem te ndertoj nje realitet qe nuk ngjit, nuk jam dakord. Madje fare. Nuk ka kurrfare axhende ketu, shenimet jane percpetime dhe opinione personale. Po te qe per spektakel dhe imazh, ndoshta do behej e kunderta me kollaj. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.