Çfarë je? Përgjigjen e jep "shteti"

Postuar në 11 Tetor, 2023 13:41

Censusi po zhvillohet dhe befas njeriu kupton se numri i shqiptarëve ka rëndësi ndërkombëtare, historiografike, studimore etj. Dhe ka rëndësi pavarësisht se çfarë shqiptarësh jemi, se nga vijmë e ku shkojmë, çfarë bëjmë e kështu me radhë. Jo, ka rëndësi çfarë shënon në letër ai që vjen e të pyet: çfarë je?

Ka rëndësi jo për ne, jo për qytetarët dhe jetën e tyre. Ka rëndësi për matrapazët e marifeteve, të sazeve patriotike dhe profesionistëve të nacionalizmit.

Në këtë kuadër shqetësimi se mos na rrudhen shqiptarët e vërtetë ka zënë vend dhe ka marrë vëmendjen edhe të studiuesve të ndryshëm që kanë bërë si kanë bërë, po një aktivitet e kanë sajuar mbi këtë temë. Drejtori I Arkivës, Ardit Bido ka publikuar punim të vetin me titullin: Beteja për 20 përqëindëshin. Zoti Bido trajton grupime të popullsisë me identitet fluid që çon mandej në vetëdeklarim të rremë. Punimi i tij patjetër që vjen si kontribut hidraulik në përmbajtjen e fluiditetit me stukot e nevojshme të nacionalzimit të cilin zoti Bido nuk lë rast pa e përfaqësuar me zhurmë të madhe. Por e vërteta është e fundit që dëgjohet.

Nuk mund të thuash ti që unë jam kinez, tajlandez se kështu më mbushet mendja mua tani, por duhet objektivisht të vërtetosh dhe kjo është detyrë e shtetit, në këtë rast e zyrave civile dhe të autoriteteve të tjera që janë të ngarkuara me këtë çështje

citohet të jetë shprehur Ksenofon Krisafi, një profesor nga këta të universitetit të Tiranës.

Duhej debat, citohet një profesor tjetër, trajtim me grupe interesi një më tutje dhe në fund mbyllja që tingëllon si sinjal i një turizmi të ri:

Përmes këtij botimi faktik kontribuohet në rikthimin e Shqipërisë së Mendimi

Fjalia e moderatorit Aleksander Çipa.

Ka diçka shumë irrituese dhe gati të neveritshme në mënyrën sesi ky lloj shqiptari i vërtetë, i vetëshpallur i tillë të troket në derë, të del në ekran, të flet, të jep këshilla, të qorton, të drejton nga duhet të shkosh e çfarë duhet të bësh. Të thotë çfarë je e si duhet të ndjehesh, çfarë është objektive dhe e vërtetë e kështu me radhë.

Është irrituese sepse vjen kjo nga njerëz që kanë shpikur kredencialet e veta, sidomos ato të moralit duke patronizuar një proces që konsideron se ka disa shqiptarë budallenj që duhet t’ua kujtosh se çfarë janë. Ky predikimi i rremë kontrastohet nga përditmëria jonë, nga ndërrimi i partive, flamujve, sjelljeve; e gjithë jeta në Shqipëri është një dredhim nga e vërteta sepse këtë e dikton edhe mbijetesa, por edhe faktorë të shumtë psikologjikë. Dhe e gjithë jeta jonë këtu është një dilemë nëse duhet të rrimë apo të ikim duke ia lënë vetëidentifikimin e skënderbejanit këtyre që dalin sot në forume e flasin qesim. Bëjnë moral, shpallen si gardianë.

Ndodh e gjitha kjo kur kallaballëkut i janë shtuar fluiditete të reja, katër gjini po thonë, kemi ndryshimin e gjinive e kështu me radhë që e bëjnë këtë vetëidentifikimin që lidhet vetëm e vetëm me një politikë antigreke e asgjë më shumë, si një luftë fshatarësh të lumtur me veten. Vetëm se lufta gjëkundi nuk duket ndonjëherë. Nuk kanë për të mbaruar ndonjëherë këta komisarë të etnisë si ky Bido që ka zënë karrigen e Arkivës për të bërë propagandë, që do vijnë nga një derë në tjetrën për të na kujtuar emrin dhe mbiemrin, po edhe për të na vënë ndonjë Flamur, pa kuptuar se koha do t’i shpëlajë në budallallëkun e vet, por edhe ligësinë karakteristike, sepse kjo që jetojmë na dëshmon se identiteti nuk burgoset dot më në historiografi. Se ai ka historinë e vet dhe se qysh në momentin kur tjetrin e pyet: çfarë je, ke përcaktuar një mur tëhuajëzimi dhe alienimi.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.