Kosova mund ta përdorë qëndrimin e Tiranës për ngjarjet e Banjskës

Postuar në 29 Shtator, 2023 14:14

Kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja e Banjskës dhe në qëndrimin e Beogradit ka një përpjekje për të evoluar nga izolimi i tanishëm i akuzës që i është bërë thuajse zyrtarisht. Presidenti serb ka folur për hetime, duke u distancuar nga vrasja e policit të Kosovës, Bunjaku, ndërkohë që aksionet e forcave speciale të Kosovës, cilësohen nga Serbia si akte terrori ndaj serbëve.

Kryeministrja Ana Brnabiç ka folur sërish për “terror ndaj serbëve” që ka shtuar se Beogradi ka një interes të diskutojë çështjet e sigurisë me KFOR-in. Ky qëndrim në të vërtetë është e vetmja rezervë që i ka mbetur Beogradit për të negociuar besueshmërinë e vet në tryezën e negociatave që do të vijojnë pas ngjarjeve të Banjskës dhe zbulimit të arsenalit luftarak të zbuluar, i cili flet për synime desatbilizuese që janë mbajtur si plani i përhershëm "B" nga Serbia. Dhe është i tillë që duhet kapitalizuar sa më mirë për ta rrëzuar mitin e viktimizimit serb në Kosovë, pasi një të tillë nuk ka. Është e pamundur dhe jologjike që nga njëra anë pretendohet për terror, nga ana tjetër të kërkohet siguria e serbëve të KFOR dhe EULEX që duket se kanë lëshuar nga zinxhirët Kurtin.

Është për t’u shënuar se mes palës serbe kanë nisur mendime që sugjerojnë se me ngjarjet e Banjskës, terrori ndaj serbëve provohet katërcipërisht dhe se që këtej e tutje, Serbia nuk duhet të vijojë më të negociojë statusin e Kosovës, por vetëm të flasë për sigurinë e serbëve aty. Në vështrim vjen zbatimi rigoroz i Rezolutës 1244, e cila në të vërtetë qëndron në këmbë vetëm formalisht pasi kërkesa e Serbisë për opinion në Gjykatën Ndërkombëtare e zhbën referencën ndaj saj në kuptim politik.

Mes pretendimeve të palës serbe ka madje nga ato që shohin te ngjarjet e Banjskës një manovër të orkestruar nga partnerë të caktuar perëndimorë të Kurtit për ta rehabilituar atë. Aluzioni është për Britaninë e Madhe që ka qenë me përfaqësues të saj në ballë të kontestimit të politikave të Vuçiç.

Në këtë ekuacion të vështirësuar për serbët nga një autogol i tyre, duhet llogaritur një tjetër element: qëndrimi i Tiranës zyrtare. I cili mund të kuptohet formalisht si korrekt nëse e sheh përmes lentes europiane dhe detyrimit për t’u linjëzuar me BE-në. Në daljen e vet të fundit z. Rama ishte më korrekt nga sa duhej kur nuk foli as me gjuhën e BE-së, që ka përmendur termin terrorizëm, por u mjaftua me grupin kriminal, ndërkohë që me lenten shqiptare, ky qëndrim nuk kuptohet mirë. Ose të paktën nuk pritet mirë.

Megjithatë, edhe te kjo duhet parë një aspekt pozitiv. Ka qenë ky qëndrim, që mbahet për qëllime ende të pazbardhura mirë, që e ka bërë të pamundur që në Serbi të mos flasin për përpjekjen për Shqipërinë e Madhe, e cila është një akuzë që rezonon më mirë me shqetësimet e aktorëve të caktuar në Perëndim dhe do ta bënte më të vështirë që parashtresat e palës shqiptare të dëgjoheshin. Ndaj arsyeja e do që qëndrimin e Tiranës, Kosova ta përdorë në këtë drejtim, meqenëse aktualisht nuk ka asnjë mundësi faktike që të bindë kryeministrin e Shqipërisë të lëvizë nga prononcimet e veta, të cilat i paraqet si qëndrime që burojnë nga një bindje e pastër mbi situatën e tanishme.

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Zoti Rama eshte nje oportunist, me ngarkesen me ta larte te mundshme pezhorative qe mund t'i vihet kesaj fjale. Cdo analize, mendoj, mbi aktet dhe veprimet e Rames, duhet te kete si pikenisje pikerisht kete fakt. Perndryshe, exsiton rreziku i renies ne kurthin e estetizimit te palacolleqeve te tij.
Argumenti, te cilin qellimisht Rama e le disi ne heshtje ( megjithese analistet e tij e shprehin sa here u jepet rasti), per ta theksuar sa me shume, se politika qe ai ndjek ndaj Serbise na qenkesh per te zbutur sentimentet nacionaliste te saj, qendron ne vetvete dhe teorikisht; por nuk eshte ky rasti. Sepse, kjo eshte e tejkaluar kohe tashme dhe nuk ka asnje vlere praktike. Jo vetem Rama, qe posepo, por edhe te gjithe ata qe e mbeshtesin, duhet ta perditesojne kozmopolitizmin e tyre, sepse eshte vjeteruar. Jemi ne nje kohe post-moderniste, si te thuash, te kozmopolitizmit.
Nga Perendimoret, askush nga ata qe merren me ceshtjen ballkanike, dhe ate shqiptare ne vecanti, nuk shqetesohet per retoriken e Shqiperise se Madhe, aq me teper qe nuk ka asnje politikan, qofte edhe me periferiku qofte ai, qe ta kete artikuluar ndonjehere publikisht, sic ndodh rendom me politikanet serb kur flasin per boten serbe.
Rama, njejte si ajo kafsha oportuniste omnivore qe pershtatet ne cfaredolloj ambienti, perpiqet te perfitoje nga cdo mundesi qe sjellin zhvillimet politike. Asgje tjeter nuk i intereson dhe as e vret mendjen per to.
Te argumentosh sjelljen e tij politike, eshte njejte si te mundohesh te perpilosh nje menu per kafshen oportuniste omnivore qe ha gjithcka qe i del para.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.