Jam Shqipëri, do t'ua nxij jetën!

Postuar në 22 Gusht, 2023 21:24

Në një kronikë të përcjellë nga MCN Tv evidentohet një gjendje e mjerueshme në Kishën e Shelcanit. E shekullit të 17-të, kisha është e dekoruar më afreske dhe është shpallur monument kulture. Prifti thotë se “çfarë bie jashtë, hyn brenda” dhe se me mundimet e veta ka bërë ca punë. 

E njëjta gjendje është edhe në ishullin e Maligradit në Prespë, me kishëzën tejet interesante aty. Myk, kalbëzim, një depo e shenjtëruar nga vjetërsia dhe pelegrinazhi në shekuj. 

Në Voskopojë po ashtu. Një fshat i gjallëruar nga turizmi pikërisht për trashëgiminë që ka, i ka monumentet të braktisura. 

Sarajet e Këlcyrajve janë një monument që jep historinë e një zone, por qëndrojnë aty të rrënuara , në garë me kohën dhe ligësinë e një shteti që pështyn mbi pasurinë e të parëve. 

Të shkosh në Frashër të Përmetit duhet të prenotosh ndonjë shqiponjë pasi rruga është aty për t’u kujtuar të gjithëve: Jam Shqipëri e do t’ua nxij jetën! 

Pse sillet vallë kështu një shtet i tërë me trashëgiminë monunentale që disponon në territorin e vet? Pse shoqëria është indiferente aq sa nuk arrin të shquash më nëse ka gjë tjetër që dashurohet këtu veç tenxhereve ku gatuhet? 

Në një vizitë në Ardenicë të Fierit para një viti, në manastirin me ikonostas të jashtëzakonshëm, roja thoshte se banorët e zonës nuk vijnë thuajse fare. Pelegrinë(vizitorë) nga Serbia ka shumë. Të cilët nisen edhe në Kolkondas dhe Libofshë. Rruga për andej dekorohet me tabelat e shumta “Zogj fshati”, “Zogj saç”, që të kujton se kush është autokton e kush "di të jetojë" në këto anë. 

Manastiri i Mesopotamit u restaurua me probleme, kisha në Leshnicë ra para disa vitesh. Mund të vazhdohet gjatë kështu. Lëngata e shkatërrimit si pasojë e një braktisjeje që mban era përbuzje, përçmim, më tepër se fatkeqësi është tanimë kuriozitet. 

Ne nuk jemi Italia, as Greqia për pasurinë monumentale. Por ne kemi një pasuri që përfaqëson edhe vlerë për turizmin. Nuk është vetëm Butrinti, të cilin po ta lësh e bëjnë edhe resort. Ka mjaft pika me interes, edhe si Shelcani. Po cila politikë do ta zhbënte nëmën e një elite që mesa duket vuan nga komplekse inferioriteti të mëdha përderisa diferencon fondet e politikave kulturore në një mënyrë që të bën të dyshosh e të pyesësh: këta janë, apo jetojnë me hierarki instagrami në kokë? 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ardenica eshte fshat i rrethit te Lushnjes dhe jo Fierit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.