Shqipëri e respektuar...Shqipëri e dëshpëruar dhe e dorëzuar

Postuar në 07 Maj, 2023 16:23

Kryeministri i vendit Edi Rama ka nisur këto ditë të sulmojë pa u kursyer kandidatët e opozitës së përfaqësuar nga Meta dhe Berisha. Fredi Belerin e Himarës e quajti injorant, kandidatin e Vlorës “më budallain e qytetit”, Boçin e Elbasanit e tall duke i deformuar emrin, kurse sot, kandidatin e Mirditës Arben Mëlyshi e ka cilësuar se nuk ka trutë në rregull meqenëse i jep fytyrën e vet një “gërdalle non grata” dhe një “të pakorrigjueshmi”.

Këto janë tesktualizime vokale të qëllimshme që pasurojnë kolonën zanore të fushatës së socialistëve: një këngë tallava që shërben si frekuencë e posaçme për vulgun. Thjeshtimi deri në këtë pikë i mesazheve elektorale, është dëshmi e faktit se politika ndjen se kush i shkon pas, cilën kategori duhet të miklojë dhe si ta miklojë. Edhe i shumëlavdëruari I Shkodrës, Benet Beci, në një dalje televizive në “Të Paekspozuarit” konfirmoi se artikulimin politik dhe publik e ka në nivele fyese për këdo që ka mbaruar arsmin e mesëm dhe që di vetëm të njohë gjuhën e parave.

Kjo është oferta sot. Z. Rama që shan e përgojon mbarë e prapë, harron apo bën sikur harron se disa kandidatë që sot i ka zëvendësuar i prezantonte si Njerëz të Ndryshimit, katër vjet më parë. Ku humbën ata? Ku iku kryebashkiaku i Sarandës, apo ai I Vlorës? Ku është Dakua i Durrësit? Nuk ka të sosur thesi i fjalëve që nxjerr kryeministri i cili në Mirditë ka nxituar të deklarojë edhe se përballë “non grata-s”, sot:

Shqipëria është në pikën më të lartë. Kurrë nuk është respektuar sa është respektuar sot

Z. Rama është duke ngatërruar qëllimisht koniunkturën dhe begenisjen me respektin. Respekti shkon për qëndrime parimore dhe politikë bindjesh, jo spërdredhjet e zakonshme për mbijetesë apo merkantilizmin e votës për vizibilitet ndërkombëtar. Vizita e fundit e z. Rama jashtë vendit ishte në Britani, ku e detyruan të pranojë krizën e emigracionit dhe të pranojë kthimin e qytetarëve shqiptarë që po ikin. Atëherë: për cilin respekt e ka fjalën kryeministri që e di se ato dyer që i janë hapur atij nuk i janë hapur Shqipërisë si të tillë, por nevojave për marifetçinj të dobishëm?

Shqipëria, si entitet politik, ndoshta kurrë më parë nuk ka qenë kaq e dëshpëruar, e çorientuar, kaq e dorëzuar përkundrejt plaçkitjes që tashmë është norma zyrtare e qeverisjes. Kurrë më parë ndoshta nuk ka qenë kaq i zbehtë dhe i shpërbërë raporti i njeriut me vendin e vet, me komunitetin, por edhe me Gjuhën. Kështu që ky person që po shëtit lart e poshtë duke sharë e bërtitur nuk mund të mbulojë diçka që duket dhe preket përditë sikundër dihet, edhe nga ata që do ta votojnë se projekti i vetëm i suksseshëm i tij dhe ekipit të tij është: VJEDHJA.

s.zaimi

Comments

Submitted by @ (not verified) on

Pervec Dakos ke harruar Tom Doshin e grupit te "non gratave" te nje Kryeministri qe tashme i ngjan me shume nje llaxoreje sesa nje politikani. Ishte po Rama qe Meten e cilesoi si "presidentin me te mire te te gjitha koherave" e qe nuk hezitoi te behej pjese e "kolaicionit te qelbesirave", ishte po Rama qe mbrojti kryebashkiaket e zgjedhur prej tij pavaresisht se kishin rekorde kriminale e emra te ndryshuar. Ishte po Rama qe Tahirin, sot ne burg, e cilesoi si "ministrin me te suksesshem". Pra cfare besueshmerie ka nje njeri i tille? Nivelin e peshtirosjes e ben akoma me te madh Veliaj qe dikur linte Griselden me barre e lyente kokat e protestuesve me boje te kuqe e sot na shtiret si punetor i kudogjendur, mbjelles pemesh, celebrues martesash te BBV e tallavase shoqerore. Gjuha e tij denigruese e tipit "shpirti, zemra" tek debaton me gazetaret tejkalon cdo cak etike dhe edukate. Vlen te permendet dhe strategjia mediatike ku nuk lihet asnje hapesire per pyetje e kritika po ku 90% e kohes zihet nga propaganda e stilit mjaftist qe kerkon te mbuloje cdo zullum me llafe. Jo me kot ne SHBA perballjet elektorale behet me kohe te barabarte e me gazetare qe drejtojne pyetje te pa ndikuar nga interesa personale e perfitime apo diktate te pronareve te mediave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.