Një kulturë e vrasjes tek orkat

Postuar në 24 Mars, 2023 23:10

Muajin e kaluar, trupat e pjetë të 19 peshkaqenëve që dolën në breg në një zonë të Cape Town në Afrikën e Jugut i habitën jo pak banorët. Peshkaqenët - grabitqarë më vete - u gjetën të gjithë në të njëjtën gjendje: u mungonte mëlçia, e cila ishte thithur përmes një çarjeje në shpatull. Pjesa tjetër e organeve ishte e paprekur. 

Një saktësi e tillë gati-kirurgjikale është shenja dalluese që lënë orkat, balena grabitqare me dhëmbë, që bëjnë pjesë në familjen e delfinëve oqeanikë. Sulme të tilla, pre e të cilave kanë qenë peshkaqenët e mëdhenj të bardhë të paktën që nga viti 2015. 

Alice Towner është biologe dhe kandidate për gradën profesor doktor në Universitetin Rhofes në Afrikën e Jugut. 
Njohëse e mirë e peshkaqenëve dhe banore e zonës ku u regjistrua rasti, thotë se e ka parë edhe më parë këtë fenomen. Sulmi është kryer nga orkat e llojit Port dhe Starboard dhe pyetja është nëse sjellja e tyre e gjuetisë është unike. Orkat, të cilat jetojnë në mbarë botën, shfaqin një gamë të gjerë dietash dhe sjelljesh, duke përfshirë ngrënien e peshkaqenëve, organet e të cilëve - veçanërisht mëlçitë - janë të pasura me yndyrë.

Por shkencëtarët nuk kanë dokumentuar kurrë më parë raste kur orkat kryejnë sulme të tilla kirurgjikale mbi peshkaqenë. Për më tepër, vëzhgimet e tyre sugjerojnë se orkat po u tregojnë të tjerëve se si t’u heqin mëlçitë peshkaqenëve – çka mund të përbëjë një shembull intrigues të kulturës në mbretërinë e kafshëve.
Fenomeni u dokumentua për herë të parë nw False Bay në vitin 2015. Ai u përsërit një vit më pas dhe biologët bënë nekropsitë e para. Ajo që u bëri përshtypje në mënyrë të veçantë ishin shenjat e dhëmbëve të orkave
Zbulimi u bë rasti i parë i regjistruar i orkave që vrasin peshkaqenë në zonë, dhe rasti i parë i regjistruar i orkave që shqyenin gjoksin e peshkaqenëve për të arritur te mëlçia, duke lënë gjithçka tjetër të paprekur.

Megjithëse kishte të dhëna të mëparshme se orkat hanë mëlçi peshkaqeni, studiuesit e quajtën fenomenin e Afrikës së Jugut "një teknikë e re dhe e specializuar".
"Ato nuk po hapnin thjesht një plagë në trupin e peshkaqenëve. Orkat shkonin pikërisht aty ku fillon mëlçia. Është e pabesueshme," thotë Towner.
Dihet pak për orkat, si mosha e tyre apo nga erdhën, thotë Simon Elwen, një studiues i balenave vrasëse dhe kreu i organizatës jofitimprurëse të ruajtjes në Afrikën e Jugut, Sea Search.

Kurrizi i tyre i përkulur, një tipar relativisht i pazakontë që mund të jetë për shkak të dietës, dëmtimit ose gjenetikës, i bën ato të pazakonta dhe magjepsëse.

Pse ato duan në mënyrë të veçantë mëlçinë? Disa ekspertë supozojnë se Port dhe Starboard janë pjesë e një nëngrupi, ose "ekotip" i orkave që frekuentojnë oqeanin e hapur, por që gradualisht iu afrua bregut, ndoshta për shkak të peshkimit që ka varfëruar burimet e tyre normale të ushqimit.

Një teori tjetër është se Port dhe Starboard, në mënyrë të pavarur ose së bashku me nëngrupin e tyre, e kanë zhvilluar këtë sjellje të re për të shpëtuar dhëmbët, të cilët konsumohen kur orkat kafshojnë lëkurën e ashpër të peshkaqenëve. Mëlçia e peshkaqenit të bardhë është mjaft e madhe për të siguruar një vakt të plotë, pa pasur nevojë për angarinë e copëtimit të peshkaqenit.

Shumë lloje balenash dhe delfinësh - orkat janë speciet më të mëdha të delfinëve - shfaqin shenja kulture, për shembull, duke i përcjellë brezit të ardhshëm disa strategji gjuetie ose sjellje të tjera. Kultura është një klub relativisht ekskluziv në mbretërinë e kafshëve dhe shfaqet zakonisht te specie të tjera sociale me jetë të gjatë dhe tru të madh, si sorrat dhe majmunët e mëdhenj.

Pavarësisht nëse orkat Port dhe Starboard janë shpikësit e kësaj sjelljeje të ngrënies së peshkaqenëve, një sjellje e tillë ka gjasa të përhapet, thonë studiuesit.

Burimi: National Geographics

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.