Plastika krijon shkëmbinjtë e vet “natyrorë”

Postuar në 22 Mars, 2023 23:38

Ka pak vende në Tokë aq të izoluara sa ishulli Trindade, një dalje vullkanike tre deri në katër ditë me varkë nga brigjet e Brazilit. Gjurmët e ndikimit njerëzor janë gjetur edhe atje. Gjeologia Fernanda Avelar Santos zbuloi aty shkëmbinj të formuar nga teprica e ndotjes plastike që notojnë në oqean.

Santos i pa për herë të parë shkëmbinjtë plastikë në vitin 2019, kur ajo udhëtoi në ishull për të hulumtuar për tezën e saj të doktoraturës mbi një temë krejtësisht tjetër – rrëshqitjet e dheut, erozioni dhe “rreziqe të tjera gjeologjike”.

Ajo ishte duke punuar pranë një rezervati të mbrojtur natyror të njohur si Turtle Beach, terreni më i madh në botë për mbarështimin e breshkës së gjelbër të rrezikuar, kur hasi në një masiv shkëmbinjsh me pamje të veçantë blu në jeshile.

E intriguar, ajo u kthye në laboratorin e saj pas ekspeditës së saj dymujore. Së bashku me kolegët, ajo i identifikoi ekzemplarët si një lloj i ri formacioni gjeologjik, duke bashkuar materialet dhe proceset që Toka ka përdorur për të formuar shkëmbinj për miliarda vjet me një përbërës të ri: mbeturinat plastike.

"Ne arritëm në përfundimin se qeniet njerëzore tani po veprojnë si një agjent gjeologjik, duke ndikuar në procese që më parë ishin krejtësisht të natyrshme, si formimi i shkëmbinjve," tha ajo për AFP.

"Përputhet me idenë e Antropocenit, për të cilin shkencëtarët po flasin shumë këto kohë: epoka gjeologjike e qenieve njerëzore që ndikojnë në proceset natyrore të planetit. Ky lloj plastik i ngjashëm me shkëmbin do të ruhet në të dhënat gjeologjike dhe do të shënojë Antropocene”.

Trindade është një ishull i bukur tropikal, largësia e të cilit e ka bërë atë një strehë për të gjitha llojet e specieve - zogjtë e detit, peshqit që gjenden vetëm atje, gaforret në zhdukje e sipër dhe breshkat e gjelbra. E vetmja prani njerëzore në ishullin e Atlantikut të Jugut është një bazë e vogël ushtarake braziliane dhe një qendër kërkimore shkencore.

Formacione të ngjashme plastike të ngjashme me shkëmbin janë raportuar më parë në vende si Haëaii, Britania, Italia dhe Japonia që nga viti 2014. Por ishulli Trindade është vendi më i largët në planet që janë gjetur deri më tani.

Frika e studiuesve është se ndërsa shkëmbinjtë gërryen, ato do të derdhin mikroplastikë në mjedis dhe do të kontaminojnë më tej zinxhirin ushqimor të ishullit.

Ata botuan në shtator të vitit të kaluar një studim mbi rastin nëfjalë, në revistën Marine Pollution Bulletin. Studimi e klasifikoi llojin e ri të "shkëmbinjve" të gjetur në mbarë botën në disa lloje: "plastiglomerate", të ngjashëm me shkëmbinjtë sedimentarë; "piroplastikë", të ngjashëm me shkëmbinjtë klastikë; dhe një lloj i paidentifikuar më parë, "plastistone", të ngjashëm me shkëmbinjtë magmatikë të formuar nga rrjedha e lavës.

Përbërësi kryesor në shkëmbinjtë që Santos zbuloi ishin mbetjet e rrjetave të peshkimit. Por rrymat e oqeanit kanë çuar në ishull me bollëk shishe, mbeturina shtëpiake dhe mbeturina të tjera plastike nga e gjithë bota. Kur ndotja ka arritur deri atje, nuk është e vështirë të imagjinosh përmasat e saj në ujërat pranë metropoleve të botës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.